Dardan Molliqaj, ish-vetëvendosësi që tashmë është pjesë e Partisë së re Socialdemokrate me kryetar Shpend Ahmetin, një tjetër “ish”, është ndaluar nga policia e Kosovës për një rast të katër viteve më parë, siç e sqaron dhe vetë partia e tij.
“Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015. Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme”, thuhet në një deklaratë të PSD-së.
“PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë. Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre”, përfundon deklarata.
Siç dihet tashmë, Dardan Molliaj është bashkëshort i ministres së Arsimit në qeverinë e Ramës, Besa Shahini, edhe kjo një ish-vetëvendosese.
Por pak orë më vonë, Molliqaj është liruar e për këtë ka njoftuar sërish partia e tij.
“Rasti ishte dërguar në Prokurori. Deputeti Molliqaj tashmë është liruar me procedurë të rregullt”, tha zëdhënësja e PSD-së. /tesheshi.com/