Prirjet e fundit në ndërtimin e xhamive variojnë nga ajo e qasjes si “qendra tregtare saudite” e deri tek imitimet e xhamive klasike. Një grua në Stamboll, e para që ka ndërtuar një xhami, ka nxitur debat për detajet e reja të sjella në xhaminë Sakirin.
Xhamitë kanë qenë prej një kohe të gjatë vende të mrekullive, në të cilat eleganca dhe qetësia e arkitekturës kanë shtuar atmosferën e besimit. Por, në vitet e fundit, përndryshe, xhamitë e reja janë dukur më pak tërheqëse. Ato ose kanë marrë qasjen saudite të një qendre tregtare me përmasa gjigande dhe ndriçim ekstravagant, ose ndjekin trendin për të qenëkopje të mëdha të xhamive tradicionale sunite, minaretë dhe kupolat e të cilave përpiqen të marrin format klasike si ato të Hagia Sofias në Stamboll, por pa pasur delikatesën dhe ngjyrat e mrekullueshme të saj. Ato shpesh kanë proporcione jo elegante, ndërtuar me beton apo materiale të tjera të ashpra.
Arkitektja 60-vjeçarja Zeynep Fadillioglu, është gruaja e parë turke që ka ndërtuar një xhami. Ajo ka sjellë një qasje të re në ndërtimin e xhamisë Sakirin në Stamboll, duke përzjerë së bashku përmasat me dritën. Ajo ka sfiduar konformizmin në arkitekturën e xhamive, një sprovë kjo që ka rezultuar jo e lehtë. Gjashtë vjet pas hapjes së madhe, Sakirin (që do të thotë “mirënjohës ndaj Zotit) ende nxit debate të nxehta për gjithçka që nga roli që u jep grave e deri tek motivet e tapisterisë.
Jo të gjithë e pritën mirë përfshirjen e Fadillioglu në projekt. Një kritik madje, parashikoi se xhamia do të përfundonte të dukej “si një kafene apo restorant”, një tallje ndaj punëve të saj të mëparshme në projektimin e bareve dhe hoteleve. (Arkitektja është e martuar me Metin Fadillioglu, restaurator i mirënjohur dhe ka dekoruar shumë prej sipërmarrjeve të tij)
Të projektonte një xhami mund të dukej një punë e çuditshme për të, pasi vetë Fadillioglu është sekulariste, por ajo citon ndikimin familjar. Paraardhësit e saj ishin tregtarë të pasur mëndafshi dhe pambuku. Gjyshja e saj e kishte njohur me tekstilet osmane dhe ajo kishte vizituar xhamitë së bashku me të për të vëzhguar variacionet e tyre.
Fillimisht, Fadillioglu kishte porosi vetëm dizenjimin e pjesës së brendshme të xhamisë. Por, ajo e bindi arkitektin e parë, të ndjerin Husrev Tayla, të braktiste muret anësorë tradicionale për t’i zëvendësuar me panele filigrani, të dekoruara sipas stilit tradicional Islimi, me lule dhe arabeska që e mbushin pjesën e brendshme me dritë. “Ishte si një betejë”, pranon ajo, por familja Sakir, një dinasti turko-saudite që financonte xhaminë, mbështeti qasjen e saj më radikale.
Në mënyrë që të shmangte linjat e ngurta të xhamive të porositura nga shteti, kubeja moderne prej alumini e Sakirinit zbutet me një motiv guackash dhe një shtresë e lehtë bluje në gri. “Njerëzit kanë pasur këtë idenë e një xhamie që duhet të jetë e errët dhe hijerëndë, apo ndërtesë e ngurtë moderniste, që mund të japë ndjesinë e diçkaje të ndaluar”, thotë Fadillioglu. “Por, ne kemi pasur shumë kopje të këqija të dizenjimeve të mëparshme dhe unë ndjeva se kishim nevojë për diçka me klas, e po ashtu meditative në një kohë kur jeta dhe feja janë aq të rravguara”.
Fadillioglu këmbëngul se nuk ka përshtatur me ndërgjegje një perspektivë femërore, e megjithatë ndikimi është i perceptueshëm. Mihrabi, kamarja që tregon drejtimin e Mekës, është një hark akrilik që duket si mitër në ngjyrë blu-jeshile që zgjerohet. Shkallarja që çon në këmbalkën e librave, është një strukturë e lakuar me akrilik të lehtë e gdhendur me karajfila dhe gjethe, vizatime të dizenjatorit të madh të shekullit të 16-të, Mimar Sinan si evokim i universit bujar.
Në zemër të xhamisë varet, në një kënd të vështirë, një shandan i madh, asimetrik me pikëza transparente, që duket si një stuhi shiu e ngrirë në kohë. Kjo veçori ka zgjidhur një mëdyshje të rëndësishme dizenjuese për Fadillioglu: nevojën për të përfshirë gratë në jetën e ritualeve të xhamisë. “Gratë janë shumë aktive në shoqërinë turke, fatmirësisht”, thotë ajo, “dhe ne duhet ta përfshijmë praninë e tyre me respekt”.
Por, interpretimi modern islamik i roleve të mashkullit dhe femrës ndonjëherë është i ngurtë. Një hadith thotë se “radhët më të mira për burrat janë ato të para dhe më të këqijat janë ato të fundit, dhe radhët më të mira për gratë janë ato të fundit e më të këqijat janë ato të parat”. Akademikët modernë ndryshojnë në atë që do të thotë kjo në praktikë, por në xhami ndërtohen dhoma të veçanta faljesh për gratë. Fadillioglu e refuzon një zgjidhje të tillë. Në vend të kësaj, ajo krijoi një ballkon që shtrihet përreth ndërtesës, që i jep bashkësisë së grave “vendin më të mirë të shtëpisë”. “Ato janë në nivelin e syrit me shandanin”, thotë ajo, “dhe marrin efektin e plotë të dritës së tij që shpërndahet në gjithë xhaminë… Unë kam pikëpamjen se besimtaret gra duhet të jenë në gjendje të shohin imamin dhe të jenë pjesë e shërbesës”.
Tensionet janë të dukshme, nga ky akt ballancimi. Edhe qilimi me qime gamilje shkaktoi mosmiratim. Një zgjerim i errët ngjyrë kremi me zigzage vishnje, qilimi synonte të shkrinte estetikën moderne me një ndjesi qetësie dhe rendi. Autoritetet e xhamisë shpejt kërkuan shtimin e linjave, që të ishin në përputhje me faljen, dhe kjo ka sjellë një qilim tepër të ngarkuar.
“Besimtarët e kanë ditur me shekuj se ku të vendosnin kokat”, ankohet
Fadillioglu, por e kotë pasi qilimi u end nga e para. Më së fundmi, një ekran dixhital i kuq që shfaq vargjet që duhen thënë gjatë faljes, është shtuar në xhami.
Në vetvete, ndryshime të tilla janë të vogla. Megjithatë, xhamia Sakirin nuk ka probleme për të mbledhur besimtarët në falje…
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/