Intervistoi: Blendi Gashi
Arkitekti i njohur nga Kosova, Ylber Vokshi- Ylli i cili ka nisur para katër dekadash në qytetin e tij të lindjes në Gjakovë punën si arkitet, në një intervistë të dhënë për portalin “Te Sheshi”, ka folur për degradimin e qyteteve të Kosovës në aspektin urban pas përfundimit të luftës.
Arkitekti Vokshi thotë se ka disa arsye përse u veprua kështu, por kryesorja sipas tij janë përfitimet e lehta materiale, uzurpimet e hapësirave publike, mosdija kronike, ndërhyrjet e ndryshme politike, grupeve të interesit etj.
Sipas arkitektit gjakovar, Prishtina si kryeqyteti i Kosovës nuk ka konkurencë në degradimin e territorit urban; dhe për këtë ai përgjegjës bën gjeneratat që kanë qenë aktive dhe pjesëmarrëse në procese dhe e kanë mbyllur gojën e nuk kanë reaguar.
Ai thotë se degradimit nuk i kanë shpëtuar as Prizreni dhe Gjakova, por edhe qytete të tjera.
Për t’i thënë STOP, këtij ‘krimi urbanistik’, arkitekti Vokshi thotë se duhet ndërprerë ndërtimet pa leje në tërë territorin e shtetit, pastaj duhet respektuar dhe zbatuar ligjet aktuale dhe të përpilohen dokumente hapësinore realiste dhe të zbatueshme, e jo si është vepruar gjerë me tani.
Thirrja e tij, si një arkitekt i pavarur është “Boll ma’ me legalizimin e të keqes, të merremi me planifikimin e territorit për të ardhmen”.
Arkitekti nga Gjakova, thotë se rregullisht i përcjelli zhvillimet urbane edhe në Shqipëri dhe edhe atje qëndrojnë problemet e njëjta, por shton se ata mund të arsyetohen pasi kanë përjetuar një diktaturë të egër ku kontaktet me botën e arkitekturës dhe urbanistikes ishim shumë të kufizuara.
Keni filluar punën si arkitekt para afër katër dekadash në qytetin e Gjakovës. Çfarë kujtoni si ka qenë në atë kohë planifikimi urban i qyteteve?
Kur pas përfundimit të studimeve të arkitekturës dhe urbanistikës u kyça në procesin e ndërlikuar të projektimit arkitektonik dhe urban,nuk kamë mundur të imagjinoi se do të përjetoi ketë çka kamë përjetuar në vitet e pas luftës. Kosova nuk mund të mburret me zhvillimet urbane të duhura të qyteteve tona, pasi në atë kohë kishim shumë pak profesionist të kualifikuar,por së paku kishte rend dhe rregull dhe ishe i detyruar të respekton dhe ti zbaton ligjet e ndërtimit dhe normat e urbanistikës që ishin në fuqi.
Ju në disa intervista keni shprehur mllefin tuaj për degradimin urban të qyteteve në Kosovë, veçanërisht pas luftës. Pse u veprua kështu?
Ne ishim shoqëri post konfliktuoze, e dal nga një luftë tërësisht e pa barabartë. Normal ishte që nevojitej një kohë të normalizohet situata urbane në vendbanimet tona. Me vetë dëshirë u inkuadrova në Institucionet e përkohshme të qeverisjes (Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor), me shpresë që sado pak të kontribuoi në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban, edhe se kisha braktisur punën me të ardhura shumë ma të mëdha. Zhgënjimi ma i madh i imi ishte se si punohej në atë dikaster qeveritar. Në fillim mendova se disa çështje janë rezultat i mos eksperiencë,por së shpejti u binda se problemi ishte i natyrës tjetër. Kur u hartua “Strategjia e zhvillimit urban e Prishtinës” në prill 2004, kërkova nga udhëheqësit e Ministrisë të intervenohet dhe të ndërpritet kjo formë e punës pasi ishte rrezik i madh për zhvillimet urbane në të gjitha qytetet e Kosovës. Për fat të keq të të gjithë neve, atëherë nuk u parandaluan këto veprime të qeverisjes lokale dhe asaj qendrore,për atë e kemi situatën e tillë urbane në tërë Kosovën. Atëherë kur i shtjerra të gjitha mundësitë institucionale për të vepruar, me anën e shkrimeve kritike, intervistave dhe disa konferenca ndërkombëtare dhe kombëtare, e kam shprehur pakënaqësinë time me atë që është duke ndodhur në Kosovë. Ka disa arsye përse u veprua kështu por kryesorja janë përfitimet e lehta materiale, uzurpimet e hapësirave publike, mosdija kronike, ndërhyrjet e ndryshme politike, g rupeve të interesi etj. Për të gjithë këta e kam një porosi të thjeshtë, të gjitha ato përfitime, që në shikim të parë janë joshëse, do t’i humbi si rezultat i ngopjes së tregut, gjegjësish i mos planifikimit realist të vendbanimeve tona.
Kritikat më të mëdha i keni pasur për degradimin që është bërë në kryeqytet. Si do ta përshkruani Prishtinën dikur dhe sot?
Ajo çka ka ngjarë me Prishtinën në aspektin urban, është gati e pa mundur të shpjegohet, është ndërtuar pa leje në të gjitha anët e saj,duke mos i respektuar edhe ato pak dokumente urbane që janë punuar me shumë mangësi. Askush deri me tani nuk ka dhënë përgjegjësi, së paku morale për atë se çka ka ndodhur, e që e ka pasur obligim ligjor ta parandalon, edhe se kjo nuk ka rëndësi pasi jemi të detyruar të jetojmë në një mjedis të tillë. Kualiteti i jetës urbane në Prishtinë është shumë i varfër, nuk vlerësohet jeta urbane vetëm për një kategori njerëzish që në një kohë të caktuar ndihen të lumtur, e ata janë shumë pak. Në këtë mënyrë i kemi mësuar gjeneratat e ardhshme se si të veprojnë gabimisht,edhe se të gjithë po e përjetojnë keq këtë mënyrë të jetuarit në kryeqytet,i cili duhet të ishte shembull pozitiv për qytetet tjera. Se si ka funksionuar Prishtina dikur dhe sot ma së miri është të pyeteni banorët e vjetër të saj. Nga aspekti im profesional dallimi është i madh si nata me ditën, me veprimet tona është arritur dehumanizimi i tërë një shoqërie që me shekuj e kemi kultivuar dhe ruajtur me xhelozi dhe nderë.
Degradimi urban është bërë si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal. A janë marrë parasysh ndonjëherë sugjerimet tuaja nga vendimmarrësit kosovar apo nga specialistët e fushës?
Pesë vite (2002-2007) , si e theksova me parë, kam punuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH). Ishte ideal i imi dhe i kolegëve të mi të kemi dokumente hapësinore dhe urbane të mirëfillta. Tërë kohën jam angazhua, kam punuar dhe sugjeruar vendimmarrësit kosovar se cilat mënyra do të ishin ma të favorshme për ne,duke u bazuar në të arriturat dhe lëvizje ndërkombëtare, ishte e kotë, askush nuk i përfillte rekomandimet e mija, me injorancën me nënçmime ekstreme janë sjellë, pasi kjo lëmi jetike për funksionimin e një shteti fare nuk iu ka interesuar. E “specialistët e fushës” të pakët, fare nuk e kanë ngritur zërin e arsyes, por kanë veruar sipas diktatit të gabuar të urdhërdhënësve të tyre, kjo aspak nuk do të iu shkon për nderë.
Sa ka ngritur zërin Shoqata e Ndërtimtarëve për degradimet që janë bërë dhe a është dëgjuar zëri i tyre?
Sa jam unë në dijeni Shoqata e Ndërtimtarëve asnjëherë nuk e ka ngritur zërin për degradimet që janë bërë. U treguan se sa janë të varur nga dikush tjetër kur organizuan edhe demonstrata, kinse Komuna e Prishtinës po i pengon në veprimtari. Jam gjithsesi të respektohen kërkesat legjitime të tyre,por kjo shoqëri duhet të mësohet ma në fund t’i respektoi ligjet e urbanistikës dhe ndërtimit. Te vetmit që kanë reagua në këto dukuri pas vitit 2008 ka qenë Asociacioni legjitim i Arkitektëve të Kosovës.
Po roli i pushteteve lokale, janë apo jo fajtor dhe a kanë mundur të ndalin degradimin që është bërë në komunat e tyre?
Pushtetit lokal më së shumti i ka “konvenuar” kjo situatë që ka derivuar nga mos veprimi i pushtetit qendror. Të më tregon dikush se a do të kishte lejuar me u plaçkit apo keqpërdorë prona apo pasuria e tij private. Pa marr parasysh veprimet e pushtetit qendror, komunat kanë pasur mundësi të veprojnë por ato nuk kanë vepruar se iu ka konvenuar duke plotësuar kërkesa të ndryshme të kundër ligjshme.
Në një shkrim tuajin të botuar në media ju keni përmendur Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të Kosovës, ku keni thënë se është fryt-rezultat i mospunës tonë kronike, në fushën e planifikimit urban dhe rural. Cilat janë çështjet kontestuese dhe të rrezikshme në këtë dokument?
Për ketë jam i bindur tërësisht, nëse do të kishte “dikush” t’iu shpjegoi faktorëve ndërkombëtarë në bisedimet e Brukselit, atëherë pika “e”, e objektivave as që do të ishte përfshirë në ‘Marrëveshje…’. Me ligjet e Planifikimit Hapësinor dhe atë të Ndërtimit pushteti lokal ka ingerenca të mëdha dhe ka mundësi të vepron i pavarur natyrisht nën mbikëqyrjen e pushtetit qendrorë (MMPH). Atëherë çështje e rrezikshme janë fazat e ardhshme, Statuti dhe implementimi i tij në teren, përndryshe përse është vepruar kështu.
Arktitekt, ju keni thënë se kur të fillon implementimi i marrëveshjes për Asociacionin në teren pas hartimit të Statutit do të vërehet se çfarë fshihet pas saj. Çka mund të fshihet sipas jush?
Duke e ditur se si është trajtuar territori i Kosovës këto vite, tek unë ekziston dyshimi real i cili ka të bëjë me pavarësinë territoriale ku nuk do të ketë rol mbikëqyrës të pushtetit qendror të Republikës së Kosovës.
Gjendja urbane në Kosovë është alamante, por sipas jush çfarë duhet bërë institucionet relevante që t’i thuhet STOP kësaj gjendje dhe të fillohet pastrimi i ‘oborrit’?
Së pari duhet ndërprerë ndërtimet pa leje në tërë territorin e shtetit, pastaj duhet respektua dhe zbatuar ligjet aktuale pa marr parasysh në të metat e tyre të cilat duhet apostrofuar dhe amandamentuar. Kryesore është përpilimi i dokumenteve hapësinore REALISTE dhe të zbatueshme e jo si është vepruar gjerë me tani. ‘Boll ma’ me legalizimin e të keqes, të merremi me planifikimin e territorit për të ardhmen.
Cili është qyteti, apo tre qytetet më të dëmtuara në Kosovë nga krimi urbanistik ?
Të gjitha qytetet në Kosove kanë qenë të lirë të veprojnë si të duan në aspektin urbanistik, nuk ka dallime të mëdha.
Prishtina si kryeqyteti i Kosovës nuk ka konkurencë në degradimin e territorit urban. Gjakova me ndërtimet në qendrën e ngushtë të qyteti ka arritur ta bastardoi atë zgjidhjen e definuar të planit urbanistik. Prizreni me ndërtimet në zonën historike (afër Lidhjes së Prizrenit) ka arritur të iu humb disa vlera historike ati qyteti. Ajo çka është ma e dhimbshme është mospërfillja e identitetit urban në qytetet tona si janë fasada e hotelit ”Grand” në Prishtinë apo “Shtëpia e mallrave”në Gjakovë.
Në fund, mendimi juaj për gjendjen urbane në Shqipëri. Kryeqyteti Tirana qëndron njëjtë si Prishtina apo …?
Rregullisht i përcjelli zhvillimet urbane në Shqipëri. Vjet isha në një konferencë kombëtare në Tiranë, kisha një kumtesë e cila trajtonte këtë problematikë në Kosovë gjegjësisht në Prishtinë. Në përfundim të ekspozeut tim, një nga organizatorët me theksoi se të njëjtat probleme i kemi edhe ne. Natyrisht të dyja palët jemi shqiptarë ishte përgjigja ime. Deri diku ata edhe mundem ti arsyetoi se kishin përjetuar një diktaturë të egër ku kontaktet me botën e arkitekturës dhe urbanistikes ishim shumë të kufizuara, por si ti arsyetoi kosovarët të cilët ishin jetuar në kushte tjera të zhvillimeve urbane,që ishin të njëjta me botën e civilizuar. /tesheshi.com/