Për muaj të tërë, Sigmar Gabriel, shefi i social-demokratëve gjermanë është përpëlitur në marrjen e një vendimi për të garuar kundër kancelares Angela Merkel në zgjedhjet federale të 24 shtatorit. Popullaritetit të tij personal i mungon shumë nga ai që ende gëzon kancelarja. Në sondazhe, socialdemokratët kanë mbështetjen e vetëm 21 për qind të gjermanëve, ndërsa blloku i qendrës së djathtë të Merkelit ka 37 për qind. Mbështetja e tij në partinë e vet, sidomos mes krahut më majtas, është e dobët. Dhe, si partner i koalicionit të Merkelit, zëvendës-kancelar dhe ministër kabineti, ai tingëllon tërësisht i pabesueshëm kur sulmon politikat e saj. Duke e ditur se gjasat janë të dështojë, më 24 janar, Gabriel zgjodhi në vend të kandidimit, të habisë partinë e vet dhe të japë dorëheqjen duke ia lënë një tjetër social-demokrati që mund të ketë mundësi më të mira në rezultat.
Lideri i ri i partisë dhe kandidat për kancelar do të jetë një mik i tij, Martin Shulc. Shulc, si ish-president i Parlamentit Europian, ka disa përparësi ndaj Gabrielit (i cili planifikon të bëhet ministër i Jashtëm). Shulc njihet si një artikulues i drejtpëdrejtë dhe një promovues i patundur i integrimit europian. Duke qëndruar në krah të Gabriel gjatë njoftimit të kandidaturës, ai premtoi “të luftojë gjithë populistët”, referencë ndaj partisë “Alternativa për Gjermaninë”, forcës euroskeptike të krahut të djathtë. Duke qenë jashtë politikës së brendshme gjermane, për shkak të detyrës në Bruksel, Shulc nuk është i prekur nga koalicioni i madh i social-demokratëve me Merkelin. Ai mund ta sulmojë atë, siç shpreson partia, më mirë sesa mund ta bëjë këtë çdo social-demokrat tjetër sot.
Për fat të keq të socialdemokratëve, edhe një gjë e tillë nuk i rrit shumë mundësitë e partisë për fitore. Niveli i miratimit për Merkelin është rimëkëmbur nga shifrat e ulëta që u vërejtën gjatë krizës së refugjatëve dimrin e 2015-16. Sipas sondazheve të grupit Forschungsgruppe Wahlen, niveli i mbështetjes për Merkelin tashmë qëndron në 74 për qind, një shifër që do ta ëndërronin pjesa më e madhe e liderëve botërorë. Gjermanët, qartësisht, besojnë se Merkel ka rikthyer rendin. Pas mbërritjes së 890 mijë refugjatëve në vitin 2015, vetëm 280 mijë erdhën vitin e kaluar, dhe numrat vijojnë të rrudhen. Rreth 57 për qind e gjermanëve tashmmë ndjejnë se vendi mund t’ia dalë mbanë me refugjatët.
Madje, edhe sulmi terrorist në Berlin, dhjetorin e kaluar, kur një refugjat tunizian drejtoi një kamion në një treg krishtlindjesh duke vrarë 12 njerëz, duket se ka ndihmuar Merkelin. Në një sondazh pas sulmit, 68 për qind e gjermanëve thanë se nuk fajësonin politikat e Merkelit për refugjatëve. Nga ata që e fajësonin kancelaren, pjesa më e madhe ishin tashmë mbështetës të “Alternativës për Gjermaninë”, AfD, që megjithatë mbetet e ngecur në rreth 12 për qind mbështetje në sondazhet kombëtare.
Në vend që të ulte mbështetjen për Merkel, sulmi devijoi edhe debatin publik nga pabarazia, që është çështja më e preferuar e social-demokratëve, drejt sigurisë, tradicionalisht pika e fortë e kristian-demokratëve të Merkel. Ministri i Brendshëm i Merkelit, Thomas de Maizière, propozoi këtë muaj një rishikim të arkitekturës së sigurisë së Gjermanisë: centralizimin e burokracisë së agjencive që tani janë të shpërndara mes 16 shteteve federale, deportimin më të shpejtë të azil-kërkuesve të refuzuar dhe ndalimi më afatgjatë i të dyshuarve për terroristë.
Nëse siguria mbetet fushë-beteja e zgjedhjeve, Shulc do të ketë probleme për të shënuar pikë kundër Merkelit.
Për më tepër, matematika e koalicionit favorizon Merkelin. Social-demokratët do të përballnin një detyrë kolosale për të gjetur partnerë në arritjen e mazhorancës së vendeve të Bundestagut. Ashtu si gjithë partitë e tjera të rrymës, ata kanë përjashtuar mundësinë e bisedimeve me AfD-në. Por, edhe në rast të një aleance me dy partitë e tjera të së majtës – të gjelbrit me orientim të majtë dhe partinë majtiste post-komuniste – sërish nuk do arriheshin numrat për mazhorancë, sipas të gjitha sondazheve të fundit. Çdo gjë tregon se Merkel është e vetmja në gjendje të formojë një koalicion qeverisës. Social-demokratët mund edhe të dëshirojnë të mbeten në pozicionin e tyre aktual, të partnerit më të vogël të koalicionit.
Ajo që ndihmon edhe më shumë Merkelin janë titujt e shtypit botëror, që mbajnë gjermanët në akth për të pasur një lidership të qëndrueshëm. Presidenti i ri i Amerikës, Donald Trump, i trazon ata përditë me postimet e tij në rrjetet sociale. Dhe negociatat për Brexit do të nisin këtë pranverë. Për gjermanët, si presidenca Trump ashtu dhe Brexit kërcënojnë të zhdukin rendin botëror të dominuar nga Perëndimi në të cilin u vendos me sukses Gjermania e pas-luftës, ndërtuar rreth Bashkimit Europian, NATO-s dhe marrëveshjeve të tregtisë së lirë mbi të cilat bazohen eksportuesit në Gjermani.
Jashtë Gjermanisë, kjo ka rritur shpresat se Merkel do të merrte përsipër mantelin e mbrojtëses së rendit liberal që Amerika dhe Britania duket se e kanë hedhur tutje. E parehatuar me pritshmëri të tilla, ajo e ka cilësuar këtë sugjerim “grotesk”. Por ndërsa ecën koha, me daljen e fuqishme populiste në zgjedhjet holandeze dhe franceze, votuesit gjermanë kanë gjasa të vlerësojnë lidershipin e përgjegjshëm akoma edhe më shumë. Ata do e respektojnë Shulc që ka kaluar shumë vështirësi në jetën e tij. Pas një lëndimi në gju ai hoqi dorë nga ëndërra e shkurtër për futbollin, e u shndërrua në alkoolist në fillimin e të njëzetave, por që prej viteve 1980 ka qenë një fitimtar.
Sidoqoftë, në zgjedhjen që do të bëjnë për liderin e tyre, gjermanët kanë shumë gjasa të anojnë sërish për ato që i shohin si duart më të sigurta: ato që i përkasin sundimtares prej një kohe të gjatë, kancelares Merkel.
Përgatiti: Juli Prifti -/tesheshi.com/