Omar Saif Ghobash dhe libri i tij “Letra për një musliman të ri” janë komentuar gjerësisht në botën islame, por ende nuk kanë mbërritur në shqip. Autori është ambasador i Emirateve të Bashkuara Arabe në Rusi. Më poshtë mund të lexoni disa pjesë botuar me të drejtën e autorit nga “Time”.
“I dashur Saif,
Më kujtohet kur ti sapo kuptove se ishe një musliman. Ishe shumë i vogël. Ishe kaq i ëmbël, topolak dhe miqësor. Ishte në një aktivitet shkollor. Shkollat tuaja, deri më tani, kanë qenë me kurrikula akademike në anglisht, dhe trupa mësimore vinte nga më shumë se 100 kombësi. Një ditë, studentët duhet të identifikonin besimin e tyre dhe ti u ktheve “i ndërgjegjshëm” për identitetin tënd fetar. E more identitetin shumë seriozisht. Nise të më bëjë pyetje se “çfarë duhet të bësh” që të jesh musliman. Unë u shpjegova sa më mirë që munda hapat e thjeshtë të faktit që i Madhi në qiell, që krijoi botën, vërtet quhej Allah, dhe se qindra vjet më parë, ai na dërgoi lajmëtarin e tij me Kuranin. Të thashë se ne falemi pesë herë në ditë dhe të kujtova Ramazanin, kur ne nuk hamë gjithë ditën deri në mbrëmje.
Shpejt, ti ktheheshe nga shkolla duke më treguar se çfarë duhet të bëja për të qenë një “musliman i mirë”. Dukej se mësuesi yt i arabishtes dhe kolegu i tij, mësuesi i studimeve fetare, kishin një ide më të mirë se ç’donte të thoshte të ishe musliman. U bëre pak agresiv, dhe unë nisa të kuptoj se nëna jote dhe unë nuk ishim të vetmit që po të rrisnim. Vura re se na duhej të konkurronim për të kapur vëmendjen tënde. Më zuri pak paniku. Pata imazhe sesi arratiseshe drejt Sirisë për të marrë pjesë në një luftë ku njerëzit do të shfrytëzonin natyrën tënde të mirë. Të imagjinova duke prerë lidhjet me ne, familjen tënde, për shkak se ne nuk ishim mjaftueshëm striktë si muslimanë sipas standardeve që ti kishte marrë nga ana të ashtuquajtur mësues të tu. Pata nxitjen të shkoja në shkollën tënde dhe t’i godisja me grusht e t’u thoja se nuk kishin asnjë të drejtë të të mësonin ty këto gjëra.
Në vend të kësaj, fola me nënën tënde shpesh dhe gjerë e gjatë. Ajo është shtatë vjet më e re se unë dhe është rritur tre rrugë më tutje nga ku unë jetoja me motrat e vëllezërit e mi. Në ndryshim nga unë, të dy prindërit e saj janë nga i njëjti qytet në Emirate, al Ain. Procesi i rritjes së saj ishte më uniform arab dhe musliman sesa mund të jetë imi, duke qenë se nëna ime është ruse dhe rrjedh nga familje klerikësh ortodoksë. Nëna jote kishte kaluar përmes përvojave të ngjashme.
Unë e dija pasi kemi ndjekur të njëjtën shkollë. Nuk ishte se ne na mësonin të urrenim grupe njerëzish në një mënyrë formale. Ishin ato komentet e mbetura në ajër që një mësues mund të bënte, apo thashethemet në këndin e lojës për hebrenjtë apo sektin shiit të Islamit. Sugjerimi ishte që mund të dënosh njerëz që nuk i ke takuar kurrë, dhe që në vetvete nuk kanë bërë asgjë të gabuar. Nëna jote ishte, dhe është, e paepur, sikundër jam edhe unë, që ne nuk do të lejonim që fëmijët tanë të edukoheshin për të urryer.
Njëri pas tjetrit, ne folëm me ty për njerëzit që “ishin aty për t’u urryer”. Nuk kishte asnjë arsye të urresh dikë. Nuk ka asnjë arsye të reagosh ndaj botës rreth e rrotull me urrejtje. Duhet të kuptoje se dikush kishte bërë zgjedhjen për ty dhe e vetmja rrugë për ta bërë botën një vend më të mirë është duke bërë të kundërtën e të urryerit. Bëhet përmes të dashurit. Nuk është e lehtë të ndryshosh mendje. Mësuesit e tu kishin bërë një punë të mirë. Kjo na bëri ne edhe më të vendosur se kurrë për të të rifituar. Praktikisht, ti u ktheve tek ne dhe vendose se urrejtja është e panevojshme dhe e padrejtë. Në fakt, urrejtja është shumë më tepër.
Së fundmi, festova ditëlindjen e 43-të. Kisha pritur për këtë ditëlindje të caktuar për një kohë të gjatë. Që nga mosha 19-vjeçare. Dy vitet ishin të një rëndësie të madhe për mua ndërsa rritesha dhe maturohesha. Ashtu si edhe ti e di, gjyshi yt Saif, babai im u vra në një sulm terrorist në vitin 1977.
Babai im ishte 43 vjeç kur humbi jetën. Kur isha në moshën tënde, edhe unë mendoja se 43 ishte një numër i madh. Tani që kam kaluar 43 vjetët, ndjej se jeta vetëm sa ka filluar për mia. Përpara se të vazhdoj, më lejo të të them edhe pse 19 është një ditëlindje kaq e rëndësishme për mua.
Kur isha 12 vjeç, zbulova se personi që vrau babain tim ishte 19 vjeç, kur ai bëri atë që bëri. Nëntëmbëdhjetë. Kur isha 12 vjeç, pyeta veten nëse do të isha në gjendje të vrisja një njëri kur të mbushja 19. Prita për atë ditë dhe më pas i bëra vetes pyetjen. Përgjigja ishte jo. Në asnjë mënyrë. As në një milion vjet mund të ngrija një armë apo një pushkë dhe të qëlloja një njeri tjetër. U ndjeva sikur isha ende një 12-vjeçar.
Prisja me padurim moshën 43-vjeçare dhe e dija se do të bëja pyetjen nëse mund ta imagjinoja që jeta ime të përfundonte 43 vjeç. Kur erdhi ditëlindja ime, ndjeva tmerrin sesa sapo e kisha gërvishur jetën. Mbaj mend se mendova sesa pak kohë kisha kaluar me ju. Mendova për babanë dhe imagjinova tmerrin që mund të ketë ndjerë kur kuptoi se jeta po e braktiste. Vëllezërit e motrat e mia, dhe unë, xhaxhallarët dhe hallat e tua, ishim të gjithë nën moshën 10-vjeçare kur gjyshi yt vdiq. Të shoh ty dhe e kuptoj sa shumë më tepër kohë kaloj me ty pikërisht për shkak të kësaj frike dhe madje, edhe kjo kohë nuk është e mjaftueshme.
Dua të të jap dashuri dhe të të rrëfej rrugën ashtu si do dëshiroja që babai im të kishte qenë në gjendje të më jepte kur isha në moshën tënde dhe më i madh se kaq. Nuk dua që t’i mësosh mësimet më të rëndësishme në jetë nga njerëz që nuk të duan ashtu si të dua unë. Dëshiroj t’i dëgjosh këto mësike nga personi që të do më shumë. Nëse mendon se unë shqetësohem tepër për ty, dije se unë shqetësohem vetëm për ty.
Dua që ti të dish për gjërat që unë besoj pas më shumë se 30 vjetësh mendimesh për vdekjen e tim eti. Vdekja e tij më detyroi të përgjigjem ndaj një sërë pyetjesh të vështira; formësoi mënyrën sesi unë shihja botën.
Unë dua që të dish se pyetjet me të cilat përballesh, dhe zgjidhjet që gjen apo që të propozojnë të tjerët, janë zgjedhje me të cilat janë përballur edhe shumë prej nesh”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/