Një ditë para vizitës së diplomatit të lartë amerikan në Tiranë, njeriut – shpresë që do mund t’i japë zgjidhje ngërçit politik në Shqipëri, kreu i PD-së Lulzim Basha nuk jep asnjë shenjë zbutjeje dhe sinjale për kompromis.
Një ditë pas protestës, e cila nuk pati masivitetin e pretenduar, Basha është treguar akoma më i ashpër duke thënë se nuk heq dorë, as nga qeveria e teknike e as nga votimi dhe numërimi elektronik.
Ndërkohë, vartësi i tij, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, tha se mund të hiqej dorë nga qeveria teknike në këmbim të votimit dhe numërimit elektronik. Ndërsa Basha u tregua i prerë:
“Republika e re e cila së shpejti do të zëvëndosojë institucionalisht të vjetrën që po bie, kërkon tranzicionin e butë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që mund të sigurohen përmes një qeveri teknike që lufton drogën dhe jep garanci përmes reformë zgjedhore numërimit dhe votimit elektronik. Pazar me zgjedhjet e lira nuk ka për të patur”, theksoi kreu demokrat.
Por kujtojmë se gjatë fjalimit të djeshëm në protestë, Basha iu përkushtuar vetëm Republikës së re të tij, pa e përmendur qeverinë teknike, e aq më pak Ramën nominalisht. /tesheshi.com/