Arben Taravari, një mjek i angazhuar në politikë, ditë më parë i përcolli një letër të hapur publicistit dhe gazetarit, Blendi Fevziu. Në një intervistë për tesheshi.com, ai zbërthen arsyet e letrës dhe pse ia adresoi pikërisht Fevzos (siç quhet në korridoret mediatike të Tiranës). Ndër të tjera, Taravari flet për kauzën e madhe shqiptare që duhet të përfshijë politikën maqedonse, e jo vetëm, si dhe vizionin e tij e të forcës që përfaqson për t`u dhënë bashkëkombasve një tjetër status nga ai i të nëpërkëmburit. Siç dihet, Taravari është sekretar organizativ në Levizjen për Reforma në PDSH.
Intervistoi: Memedali Jusufi
Tek letra dërguar Blendi Fevziut, mos vallë duhet të lexojmë faktin se ju u besoni më shumë intelektualëve në Shqipëri?
Për të gjithë ata që nuk e kanë lexuar letrën, dhe nuk e dinë qëllimin e saj, po e përsëris në vija të shkurtra qëllimin e saj: E para, e ndjej si detyrë që të falemnderoj një personalitet aq mediatik që nuk e ngushton vizionin e tij në problemet e Tiranës halleshume, por si një shqiptar i përgjegjshëm çon vëmendjen e tij intelektuale, shpirtërore dhe njerëzore tek një kauzë madhore, siç janë aktualisht shqiptarët e Maqedonisë. E dyta, z.Fevziu lëshon një kumtim, thirrje dhe denoncim me të cilin unë jam dakort kryekëput, dhe si të thuash i vendosem në krah drejtësisë së kësaj letre, e cila është letër ndoshta për efekt sensibilizimin, sepse nëse do të ulej cilido shqiptar i ndershëm, do mund të bënte dhe libër. Z.Fevziu vë në shërbim jo vetëm personalitetin e tij, por edhe insitucionin e tij për të ndryshuar realitetin dembel dhe negativ të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni.
Unë nuk i ndaj shqiptarët në të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Çamërisë, Kroacisë e deri Egjiptit dhe Turqisë. Une nuk e mas tokën me km2 por e mas me frymë njerëzish, me tradita dhe zakone. Kështu z.Fevziu flet shqip njësoj si unë dhe ju, luan të njëjtat valle dhe bën të njëjtat ceremoni mortore apo dasmore. Ndaj, pavarësisht që situata në Maqedoni bën që çdo shqiptar të ketë nga një letër të pashkruar, mendoj se letra e Fevziut nuk është një mësim për intelektualet shqiptarë që jetojnë këtu. Eshtë më shumë një letër e pashkruar e intelektualëve që jetojnë në Tiranë, Prishtinë apo Korçë e Shkodër, Mitrovicë dhe Prizren.
Jo vetëm intelektualët shqiptarë të Maqedonisë, por çdo shqiptar i Maqedonisë ka me mijëra letra të pashkruara nga dhuna dhe represioni sllavo-maqedonas që e pësojnë secilën ditë në kurriz të tyre, dhe Fevziu tregoi thjesht dhe shkurt që ai është një shqiptar i mirë. Ne kemi nevojë kaq shumë për mediatizim të çështjes tonë. Europa ka hallet e saj që i rrinë para syve, ndaj nuk besoj se do na sheh nëse nuk i dalim përpara dhe t`i themi që tek ne bëhen shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Fevziu shkroi letrën e pathënë të shqiptarve kudo që janë, besoj unë, dhe qëllimi i letrës time ishte një falenderim, por edhe vazhdim i apelit ndaj gjithë të heshturve e të përgjumurve.
Këtë letër nuk e shkruajta nga pozita e Sekretarit të LR-PDSH-së me thënë të drejtën, as në pozitën e një doktori apo profesori. E shkruajta në kontekstin e një burri 43-vjecar, babai i dy fëmijëve që jeton në shtetin e Maqedonisë. Megjithatë, partia ku bëj pjesë, natyrisht që mban idealet e mia dhe ndaj me krenari përsëris që kjo letër, eshte letra e çdo njërit prej kolegëve të mi, të cilët më bëjnë krenar me aksionet e tyre. Kauza jonë është aq njerëzore sa që është e pamundur të mos jesh pjesë e saj.
Çfarë është situata në Maqedoni parë nga dioptria juaj?
Në fakt, shumica presin që unë të them- Keq! Jo, nuk është edhe aq keq! Problemet janë po aty, sllavët nuk u bënë as austriakë dhe as amerikanë, por ne shqiptaret duket se po mësojmë nga pësimet tona. Jemi më të bashkuar, jemi më ballëlartë, dhe dimë të artikulojmë probemet tona më qartë. Kur detekton problemin, aty fillon edhe zgjidhja. Zgjidhje e cila ka filluar që me denoncimin që po i bëhet dita-ditës disa politikanëve të cilët kanë qenë në kufijtë e “idhullit” për shqiptarët. Shqiptarët kanë filluar të kuptojnë se politika nuk është mit. Ju e dini se mitologjia është sa e bukur, por po aq e rrezikshme t`i besosh.
Mitologjia është mirë për fëmijët e vegjël, të cilët janë aq të zgjuar të bëjnë diferencën dhe të kuptojnë që në realitet nuk ekziston as Zeusi dhe as Athina që janë zotër dhe nuk bëjne gabime. Shqiptarët nuk pranojnë më të jenë marioneta në duart e disa njerëzve. Dita ditës po harxhohet tifozeria politike, subjektivizmi, dhe po ia le vendin një politike objektive. Shqiptarët po kuptojnë që nuk është turp e tradhëti të ndërrosh parti. Shqiptarët po kuptojnë që duhet lexuar programi i partisë në cdo pikë, duhen krahasuar programet, duhet të bëhet vleresimi dhe pastaj duhet votuar. Shqiptarët po fillojnë të ndjejnë nga personalitete si Fevziu që nuk janë më vetëm të Shkupit, Tetovës apo Gostivarit dhe Dibrës, por janë njësoj edhe të Tiranës, edhe te Vlorës, Prishtinës dhe Preshevës.
Ndaj mendoj që problemet janë po aty por sa vjen dhe po i shohim më qartë, me laps e letër, dhe natyrisht që do vij dhe zgjidhja.
Cila është platforma juaj politike?
Dëgjoni, çdo politikan do nxitonte të bënte fushatë me këtë pyetje duke thënë klishetë e zakonshme për zvogëlimin e numrit të papunësisë, uljen e taksave, barazisë racore dhe zbatimin e të drejtave të njeriut. Ne si parti kemi një vizion larg klisheve të deridjeshme të politikës. Ne gjykojmë që situata është shumë serioze, dhe nuk nxitojmë që të themi të njëjtat vjersha ose më mirë vjersha të kota. Programi ynë politik fillon me respektin e cdo individi që jeton në Maqedoni. Nuk përjashtojmë asnjë etni, ashtu si deri tash që flas bëhet me ne shqiptarët për shembull. Jo, ne nuk duam të bëjmë reagimin klasik që nga i shtypur të kthehesh në shtypës. Nuk duam të jemi as racist dhe as diskriminues. Ne duam të ekuilibrojmë jetën e çdo qytetari që jeton në Maqedoni, por duke qenë se shqiptarët janë ata që e kanë më të c’ekuilibruar do të fillojmë nga vetja.
Një komunikolog shumë i famshëm, Dale Carnegie, thotë që pëpara dhimbjes së dhëmballës tënde as nuk do t’ia dish për krizën e urisë diku tjetër, kështu përpara diskriminit dhe shtypjes që na bëhet neve nga ky shtet me shenja të dukshme totalitare, ne nuk do merremi me uljen e taksave, por fillimisht themi të merremi me gjëra esenciale. Thelbi i problemeve tona është ndoshta demode për shekullin e 21, por nuk duhet të vajtojmë kur mund ende të shpëtojmë. Liria dhe barazia nacionale (etnike) është thelbi i paltformës tonë.
Që unë dhe ju të mund të themi ne cdo zyrë “Mirëdita!” pa u përzënë apo tallur nga autoritet, që fëmija im dhe fëmija juaj të konkurojë si i barabartë me fëmijët e një sllavi në një konkurs pune, që mos të trajtohemi më si një ndër etnitë pakicë në këtë shtet, por të konsiderohemi si element shtetformues, që t`i themi botës që nuk shitemi, por duam të punojmë dhe të paguhemi për aftësitë tona. Platforma jonë politike është një “kushtetutë” e cila është hartuar nga njerëz të mendimit dhe është e frymëzuar nga çdo shqiptar, pa marr parasysh se çfarë pune bën dhe çfarë partie është.
Ju dhatë mbështetjen kryesore letrës së Fevziut për kërkimin e dorëheqjes së Jankullovskës, vlerësoni se ka pasur impakt ky gjest i Fevziut?
Sigurisht që po. Nuk du atë bie në përsëritje por Fevziu është një njeri i cili ka mundur të ndërtojë një insitucion nëpërmjet punës së tij. Nuk dua të nënvlerësoj me qindra intelektualë shqiptarë të cilët kanë bërë dhe bëjnë për kauzën shqiptare, por Fevziu ishte një piskamë që vinte nga shteti amë, si me pëlqen mua t`i them Shqipërise. Fevziu që përfaqëson elitën mediatike në Shqipëri, ne emisionet e të cilit dëgjohen dhe plot aversione, çudira dhe gjëra fare të zakonshme, është çuar mbi të gjithë, dhe ka shprehur kërkesën e tij. Blendi nuk na ka lënë të vetëm. Ai u tregoi sllavëve që shpeshherë fërkojne duart me kënaqësi nga politika e Tiranës dhe Prishtinës, se duhet të kruajnë dhe kokën. Besoj që ka shkruar një letër që edhe të mos ka pasur efekt të drejtpërdrejt te qeveria e Gruevskit, ka pasur efekt të madh tek ne shqptarët. Na ka dhënë mbështetje, guxim dhe mbi të gjitha, Fevziu nuk na ka lënë vetëm në këtë betejë!
A po kemi heshtje të intelektualëve ne Maqedoni?
Ju nuk po heshtni, dhe ju jeni nje intelektual padyshim! Unë nuk po hesht dhe jam intelektual. Qindra burra dhe gra, të cilët sa vijnë dhe po ngrejnë kokën lart në vendet e tyre të punës, të cilët mbajnë era maqedonizëm nuk po heshtin. Mendoj që ka ardhur koha që të përgjumurit po kthehen në pakicë. Dikush zgjohet nga gjumi sepse fëmija e tij bërtet aq shumë sa nuk e le më te fle, dikush sepse nuk kanë qenë në gjumë; kjo pak rëndësi ka, të heshturit po flasin dhe kjo është tepër pozitive.
Për ata që ende janë të përgjumur uroj që këmbanat e alarmit mos t’iu bie aq afër veshit sa t`i lenë shurdh për gjithë jetën. Ndoshta ka shurdh që nuk do dëgjojë kurrë, por kryesisht raca njerëzore, duke folur nga pikëpamja e mjekut tashmë, është një racë e shëndetshme dhe ka prirje të jetë e tillë.
Po braktisjen e trurit nga Maqedonia?
E këtu do jem pak racist. Eshtë gati nonsens kjo që do them sepse une jam neurolog, por më duhet të pranoj që në fakt braktisja e trurit nga Maqedonia ka ardhur si rrjedhojë e braktisjes që shteti u ka bërë shqiptarëve. Ne jemi racë e shumë e zgjuar. Për këtë dëshmon historia. Ne jemi arkitektët e periudhës më të ndritur të Perandorisë Osmane, ne kemi dhënë e bërë kaq shumë në formimin e shtetit grek, pa përmendur Skënderbeun, për të cilin çohen me rradhë shtete të botës për ta përvetësuar sot e kësaj dite. Ali Pashë Tepelena studiohet si strateg nëpër shkollat më të mira të botës; Faik Konica është një gjeni i publicistikës që sot e kësaj dite mbahet në Amerikë si një nga diplomatët më të mirë; Gonxhe Bojaxhiu është një monument dashurie, humaniteti, morali dhe paqeje; Ferid Murati është një mjek nobelist. Kadareja është një pasaportë krenarie; Arben Xhaferri, rilindas i epokës së re, njeriu që i ndërtoi urrat e miqësisë ndërmjet tre shteteve shqiptare në Ballkan. Dhe të mendoni se kam harruar me qindra intelektualë të tjerë që kanë ndërtuar dhe ndërtojnë botën.
Nga ana tjetër ne jemi një shtet shumë i vogël për të nxjerrë kaq shumë njerëz të mëdhenj. Fatkeqësia jonë ka qenë dhe është që jemi fatalistë. Kemi një lloj ngërthimi në sagën mijëravjeçare se shqiptarët nuk dinë të jenë bashkë. Eh jo! Unë do thoja të kundërtën: Shqiptarët dinë të jenë bashkë dhe shqiptarët kanë arritur të jenë një shtet, edhe pse kulçedrat e politkës ndërkombëtare e kanë pa shtetin tonë si copën më të madhe të tortës ballkanike. Maqedonasit nuk na shfrytëzojnë, fatkeqësisht as ne njëri-tjetrin. Maqedonasit nuk na shfrytezojnë se kanë frikë nga ne, ne nuk i japim mundësi njëri-tjetrit sepse kemi xhelozi të pashpjegueshme. Ndoshta aspak autoktone, por ndoshta është një xhelozi që na është injektuar ndër shekuj nga ata që na duan të fjetur!
Na intereson një mendim juaj për diasporën shqiptare dhe investimet maqedonase që bëhen në mjedisin maqedonas dhe harrohen zonat lira, aty ka shqiptarë…
Shqiptarë që jetojnë jashtë tokave të tyre ka shumë. Fakti më prekës është që këta burra dhe gra, ruajnë me fanatizëm traditën dhe zakonin autokton, pavarësisht viteve të shumta të mërgimit. Dashuria për atdheun që iu vjen nga mungesa e tij, bën që ndjenja e tyre kombëtare të jetë shumë më e fortë se e shumë shqiptarëve që jetojnë në tokat e tyre. Pavarësisht se për fat te keq në brezat e rinj shoh një zbehje të faktorit atdhedashës, duke u reflektuar në shqipe të munguar, në vizita më të rralla, besoj që gjithsesi shumica e diasporës është një krah shumë i rëndësishëm që na ndihmon të jemi prezent në momentet tona kyçe në kryeqytetet më të rëndësishme të botës.
Nuk më harrohet asnjëherë se sa krenar jam ndjerë kur Kosova shpallej shtet. Rrugët e Zvicrës, Gjermanisë, Austrisë, Suedisë, Danimarkës dhe e shumë shteteve të tjera të largëta si SHBA-së apo Australisë dhe Kanadasë, u ndezën me të kuqen shqiptare njësoj si rrugët e Tiranës, Shkupit apo Prishtinës. Ishte ky një moment që diaspora tregonte fuqinë e saj, dhe jam i bindur që do vazhdoj ta tregoj.
Sa për maqedonasit që investojnë atje ku ka maqedonas dhe jo atje ku ka shqiptarë, kjo nuk është asgjë e re. Ndaj dhe përpiqemi të ndryshojmë, prandaj dhe Fevziu shkruan, andaj edhe ti më bën këto pyetje, sepse përndryshe do ishim duke biseduar vetëm për neurologjinë.
Nëse e sheh të rrugës të përgjigjeni për anën profesionale. Keni qenë mjek i Arben Xhaferrit. Çfarë raporte kishit dhe cfare emocioni u sjell kjo përvoje juaja personale?
Ai ka qenë kryetari dhe miku im, më shumë se sa pacient. Shpeshherë më pengonte ky fakt, sepse pacienti nuk kërkon trajtim subjektiv, mirëpo ishte shumë e veshtirë t`i rezistoje kërkesave, tash të të ndjerit Xhaferi, të cilit edhe pse i thoja që nuk duhet të punonte shumë sepse shëndeti nuk e lejonte, ai qeshte dhe më thoshte se shqiptarët ishin shumë më të rëndësishëm se shëndeti i tij. Për z. Xhaferi është krijuar një mit, kryesisht e trajtojnë me madhështi, por unë kam pasur privilegjin ta njoh nga afër. Vet fjala “privilegj” nënkupton konsideratën që kam për të. Ishte një burrë shteti i aftë, ishte një shqiptar që i donte shqiptarët. Deklaroj pa droje, me përgjegjësi mjeku, se rrezikoi me vetëdije të plotë shëndetin e tij për kauzën shqiptare.
Ai nuk vuante vetëm nga parkinsoni. Fatkeqësisht ishte i rënduar dhe nga diagnoza të tjera të cilat shkonin në përpjestim të zhdrejtë me punën. Sa më shumë punonte aq më shumë ato rëndoheshin, por ishte më kokëforte se faktet tona shkencore, dhe nuk hiqte dorë nga ankthi dhe stresi që puna i jepte. Në fund fitoi shkenca dhe ai u largua ne një moshë të re nga ky dimension. A ishte burri më i mirë i shtetit që kam njohur? Absolutisht që po! Unë e ndjej mungesën e tij si mik shpesh here, por si personalitet ai ka lënë dëshmi të tëra mendimesh të cilat i shërbejnë dhe do t`i shërbejnë brezave në vazhdim.
Dhe diçka mbi opozitën shqiptare, pjesë e asaj paradigme për shqiptarë që nuk bëhen dot kurrë bashkë…
Tani të kalojmë te paradigma që është krijuar për opozitën shqiptare. Eshtë krijuar idea e kahmotshme se shqiptarët janë dyshues, mosbesues, gjykues e mospranues ndaj njëri-tjetrit. Nuk është e vërtetë. Unë i besoj çdo shqiptari të mirë. Dhe shumica e shqiptarëve janë të mirë. Janë të mirë edhe ata që politikisht nuk janë dakort me mua sepse këndvështrimi i tyre dallon për arsye vizioni nga i imi. Ne të gjithë duam që të fusim lumin në shtrat të tij, aty ku përket. Dallojmë nga mënyra se si duam ta çojmë në shtrat lumin. Përsa kohë këto mënyra janë të ndershme kam respekt për secilën, vetëm duhet parë se cila është mënyra më e mirë.
Ah, sa për besim as nuk e ve në diskutim, sepse nuk besoj kurrë që një shqiptar ka dëshirë t’i bëj keq fëmijës së një shqiptari tjetër. Opozita shqiptare është një nevojë organike që e ka sjellë realiteti, dhe bashkimi i saj është një tjetër ngutje që koha kërkon. Dhe koha është gjykatësi më i mirë i gjithçkaje, cfarë vendos ajo duhet bërë patjetër, përndryshe koha nuk fal.
Jam shumë optimist, i bindur, që Aleanca për Shqiptarët do të zgjerohet edhe më, sepse qëllimi ynë janë shqiptarët, andaj do të duhen të tejkalohen problemet individuale krejt të nartyrshme që ka një popull i munduar si ne.
Faleminderit dhe uroj që çdokush që lexon këtë intka përjashtuar bota! Mos e përjashtojmë ne njëri-tjetrin!
/tesheshi.com/