Nga Eva Gjura
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani komenton zhvillimet më të fundit politike në vend. Sipas tij Reforma në Drejtësi po mbahet peng nga Rama dhe Meta, të cilët duan të kenë një pushtet gjyqësor të kapur dhe të korruptuar.
Ristani thekson se propozimet e opozitës kane qenë të drejta dhe kjo u konfirmua edhe nga Komisioni i Venecias. Ai nënvizon se ngërçi i krijuar është politik, ndaj për zgjidhjen e saj duhen edhe tryeza e diskutime. Deputeti Ristani e sheh si një opsion të papranueshme referendumin duke theksuar se teknikisht ai nuk mund të realizohet.
Dhe në fund konkludon se kjo reformë, në mënyrën se si po shkon, do e e çojë vendin në zgjedhje të parakoheshme.
Reforma në drejtësi është kryefjala e diskutimeve politike. Çfarë po ndodh?
Unë besoj se çdo punë që ka bërë kryeministri Rama dhe e ortaku i tij në qeveri Meta, që kur kanë marrë qeverisjen edhe kësaj ata nuk po ia dalin dot. Nuk dinë ta bëjnë, nuk kanë vullnet ta bëjnë, nuk duan që të bëjnë një reformë. Duan thjeshtë të çimentojnë, të forcojnë pushtetin e tyre, pushtetin e hajdutërisë, pushtetin e dhunës ndaj qytetarëve, pushtetin e talljes ndaj tyre dhe për këtë arsye nuk besoj se ata duan vërtet një reformë të qenë në drejtësi. Është e mira që reforma të vazhdojë në atë rrugë që e ka nisur opozita. Ju e dini se gjatë hartimit të draftit të reformës, ekspertët e Partisë Demokratike bënë një skaner të plotë të materialit të reformës; dërguan në Komisionin e Venecias paralelisht me draftin e shumicës mendimet e tyre dhe ky komision konfirmoi tërësisht gjithë konceptin që opozita kishte për reformën në drejtësi dhe, në këto kushte e vetmja mënyrë që reforma në drejtësi të eci janë që ta udhëheqë siç e ka bërë deri më sot opozita, nëpërmjet mendimit të vlefshëm të ekspertëve të saj, të konfirmuar tashmë edhe nga Komisioni i Venecias.
Ambasadorët janë angazhuar maksimalisht për një reformë konsensuale. Mendoni se do të arrihet një gjë e tillë?
Ne kemi të gjitha shpresat që kjo reformë të përfundojë në mënyrë konsensuale, sepse është e vetmja mënyrë që kjo reformë të mund të ecë përpara. Unë e kuptoj shqetësimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Shqipërisë i duhet një reformë zgjedhore, në mënyrë që të godasë më shumë atë gangrenë të madhe që ka sistemi, që është korrupsioni; të godasë korporativizmin e sistemit dhe sigurisht të mos lejojë kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye ata janë vërtet të shqetësuar dhe unë i mirëkuptoj; por besoj shumë që të gjitha të dhënat, e gjithë mënyra sesi ka ecur Rama deri më sot, mua më bën të besoj se ai nuk e do vërtet reformën në drejtësi. Atij i duhet vetëm ta kapë reformën në drejtësi në mënyrë që më pas ta përdorë si kërbaç ndaj kundërshtarëve të tij qoftë brenda koalicionit, qoftë tek kundërshtarët e tij politik.
Gjatë debatit për reformën në drejtësi ju si opozitë nuk po e gjeni gjuhën e përbashkët me mazhorancën, por kryei i LSI-së ka deklaruar se reforma duhet të arrihet me praninë e opozitës . Cili është komenti juaj për këtë deklaratë?
Unë besoj se ngërçi në të cilin ka ndeshur diskutimi për reformën në drejtësi është politik, sepse zgjidhjet teknike janë dhënë, kështu që nuk mbetet më në një rrafsh ekspertësh zgjidhja e çështjes, por mbetet tek debati politik. Duam ne të kemi një drejtësi të pavarur politikisht apo nuk duam? Duam ne një drejtësi që të mos e kapë sot Edi Rama apo të mos e kapë nesër Lulzim Basha, apo nuk e duam? Ne sigurisht duam një drejtësi që të mos e këtë as Edi Rama sot as Lulzim Basha nesër; ne duam një drejtësi që të jetë e pavarur, një drejtësi që t’i shërbejë këtij vendi dhe zhvillimit e anëtarësimit të tij në BE. Në rast se sistemi kapet politikisht, atëherë vetë kapja politike është korrupsion dhe sjellë të gjithë problemet më pas.
Është hedhur idea për realizmin e një referendumi nëse nuk arrihet gjuha e konsensusit. Ju si opozitë do ta mbështesin një propozim të tillë?
Unë shoh si zgjidhje të vetme konsensusin politik, dëshirën përgjegjshmërinë politikë të aktorëve politik për ta zgjidhur me vullnet këtë punë. Çdo tentativë tjetër jashtë vullnetit politik unë nuk e shoh si të realizueshme. Mjafton t’ju them një shifër: një referendum që të organizohet do të duhet të votojnë pro alternativës fituese jo më pak se 1/3 e zgjedhësve të regjistruar në listë, që do të thotë nëse ne kemi 3 milion e 300 zgjedhës jo më pak se 1/3 duhet të votojnë pro alternativës më shumë se një milion votues, ndërkohe që ju e dini që në Shqipëri pjesëmarrja në zgjedhje është diku tek 50% . Nuk besoj se çështja zgjidhet me referendum. Për mua këto janë teknikalitete që fshehin në vetvete arsye të tjera, dëshira për të goditur politikisht, për të çuar vendin normalisht në zgjedhje të parakohshme, duke krijuar edhe qeveri teknike. Janë manovra politike ku qëllimi nuk është reforma në drejtësi, qëllimet kanë në thelb mbajtjen e pushtetit.
Presidenti kërkoi një tryezë politike, propozim ky që u mbështet edhe nga kreu i LSI. Ju mendoni se duhet një tryezë e tillë?
Zgjidhja e vetme është vullneti politik. Duam apo nuk duam të kemi një reformë të plotë dhe një drejtësi të pakapur nga politika, sepse për antikorrupsionin të gjitha palët bien dakord. Mekanizmat që ka reforma kundër këtij fenomeni nuk janë pjesë e divergjencave midis palëve. E vetmja pikë ku palët nuk bien dakord, është shmangia e kapjes së sistemit dhe kjo zgjidhet vetëm nëpërmjet vullnetit politik, që sigurisht do tryeza dhe bisedime, do që palët ta ftohin kokën e tyre dhe të ulen dhe të gjejnë zgjidhje; sepse në këtë rast nuk shtrohet çështja pushtetit të Ramës, por nevoja që kanë shqiptarët për të pasur një drejtësi të pavarur.
Çfarë do të ndodhë me reformën në drejtësi, si do të veproni për të mos lejuar që ky sistem të bjerë në duart e politikës?
Neve na duhet që të bindin shqiptarët dhe faktorin ndërkombëtar se një reforme e tillë nuk mund të votohet. Ne do të bëjmë atë që kemi në dorë nuk do ta votojmë, për të ardhur në pikën tjetër që shqiptarët më në fund të binden që Rama jo vetëm do të kapë pushtetin, por ka ngritur një pushtet të vetin personal, që po çon vendin drejt një diktature, e cila duhet përmbysur me të gjitha format, që nga format e menjëhershme që do të ishte një revolucion demokratik për ta hequr qafe këtë qeveri banditësh, deri në rastin e zgjedhjeve të pritshme që vijnë për të votuar pro alternativës së opozitës dhe kundër Ramës.
Mendoni se sistemi i drejtësisë do të shpëtojë nga politika?
Unë besoj se e vetmja shpresë është që opozita me forcën e saj dhe me përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë e të shqiptarëve, të arrijë ta detyrojë Ramën që të bëjë hapa mbrapa. Nuk besoj se ka rrugë tjetër. Sepse ju shikoni sesa i papërgjegjshëm është: kur shqiptarët përmbyten ai shkon dhe shikon ndeshje basketbolli. Kjo do të thotë se ai nuk shqetësohet për atë që kalon apo vuan vendi. Unë nuk pres asnjë të mirë nga një kryeministër i tillë, i cili vjedh edhe dhunon shqiptarët.
Opozita po këmbëngul në kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme, ndërsa mazhoranca ju akuzon se bllokimi i reformës po bëhet me qëllim që ju të çoni vendin në zgjedhje. Qëndron ky pretendim?
Mazhoranca po të ishte mazhorancë, i ka votat dhe mund të bëjë të gjitha vendimet që ajo mendon se do të bëjë. Por problemi është se nuk i shërben vendit një reformë e njëanshme, një reformë e cila nuk del nga kornizat e një mazhoranca të momentit. Duke folur për reformën në drejtësi, ne nuk duam të kemi një reformë në drejtësi sa të jetë Rama në pushtet, por një reformë në drejtësi që i reziston viteve , që i vlen shqiptarëve dhe që del përtej kufijve të një pushteti të caktuar. Në këto kushte unë besoj se duke mos pasur një zgjidhje të tillë – dhe nuk është vetëm reforma shkaku që ne kemi kërkuar zgjedhje të parakohshme – thirrjet e opozitës për një revolucion demokratik kanë qenë edhe me parë sesa të shtrohej për diskutim drafti i reformës. Ju e shihni që problemet e shqiptarëve janë ekonomia që po shkon në zgrip çdo ditë, rendi dhe siguria; mungesa e vendeve të punës po i detyrojnë shqiptarët të largohen çdo ditë…janë këto shkaqe që i çojnë shqiptarë në zgjedhje të parakohshme, por sigurisht me një qeveri teknike; por reforma në drejtësi është “qershia mbi tortë” që do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Cili është komenti juaj për koalicionin qeverisës Rama –Meta?
Ky është një koalicion banditësh ku e vetmja gjë që i mban bashkë është dëshira për të vjedhur dhe grabitur shqiptarët, por sigurisht që këto lloj pikësynimesh nuk të çojnë gjatë. Banditët e kanë gjithmonë miqësinë e shkurtër, sepse nga momenti në moment interesat e tyre prishen, siç po prishen dhe do të zihen. /tesheshi.com/