Teksa po afron 21 janari, data që të kujton përgjakjen e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me katër të vrarë nga rradhët e protesteusve të opozitës, këtu e 5 vjet më parë, Arben Imami, një të parët që doli në TV dhe mbrojti idenë se viktimat mund te ishin shkaktuar nga brendapërbrenda rradhëve të protestuesve, thotë se kemi patur të bëjmë me një grusht shteti edhe me frymë amerikane.
Ndër të tjera, në një intervistë dhënë për gazetarin Enkel Demi në “Shih Programin”, Imami flet dhe për reformën në drejtësi, ku draftin e paraqitur nga ekspertët e quan si “të Sorosit”.
Ndërsa duke iu kthyer viteve të para ‘90-të, ai sjelle një detaj nga Gjirokastra, ku thotë se atij dhe Leka Meksit i është gjuajtur me levë…
Ke informacion të detajuar për ndryshimet kushtetuese?
Të detajuar nuk di nëse mund të quhet njohja vetëm me draftin. Atë e kam parë.
Cilin prej tyre?
Një nga draftet e “Sorosit”.
Pse e keni pagëzuar drafti i “Sorosit”?
Ekspertët e këtij fondacioni kanë bërë një draft, i cili duhet parë dhe marrë në shqyrtim. Përsa kohë është një propozim i tillë është i vlefshëm për t’u parë dhe konsultuar. PD-ja dhe ekspertët e saj e kanë parë këtë draft. Problemi i draftit qëndron tek pamundësia që ka krijuar shumica për të diskutuar realisht mbi draftin. Shmangia e diskutimit, paraqitja në mënyrë të njëanshme, vijimi edhe pas vërejtjeve nga Komisioni i Venecias, ky është problem i draftit dhe është problem serioz politik, nuk është problem draftimi konsensual.
Unë ndjek me vemendjen median, debatet, portalet, por nuk shoh diskutime për draftin, shoh për 3/5 apo 2/3…
Jo, diskutime ka. Ne të PD-së kemi ngulur këmbë tek një element që është thelbësor. Reforma në drejtësi duhet ta shkëpusë sistemin e së drejtës nga politika duke i dhënë autonominë më të lartë të mundshme. Por, ne shikojnë se po tentohen që 7-8 institucione të kontrollohen nga shumica aktuale. Në vend që të shkojmë drejt shkëputjes së drejtësisë nga politika, në vlerësimin tonë kjo varësi do të bëhet edhe më e madhe.
Po krijohet ideja se po ndryshojnë “skuadrat”. Dikur të njëjtat akuza janë bërë nga socialistët drejt jush apo jo?
Në fakt nuk është kjo. Po ta shohësh tabllonë e madhe, e mira e përgjithshme është që të luftohet krimi, por sot ne po shikojmë një lulëzim të krimit në Shqipëri. Kështu që me të drejtë lind pyetja çfarë po ndodh? Kushtetuta që kemi sot është e ndërtuar mbi idenë e balancës, që tek emërimi i gjyqtarëve të lartë, prokurorit, dhe strukturave kontrolluese, si presidenti apo Kuvendi. Mandatet ndërrohen në vijimësi, kështu që ka gjyqtarë që duhet të përballen me dy mandate zgjedhore, pasi qëndrojnë në detyrë 8 vjet. Shumica e gjyqtarëve të lartë në vend janë zgjedhur dhe me votat e opozitës. Por, shikohet sot se në vijimësi të politikës nihiliste të mazhorancës po tentohet dëshpërimisht të vihet në funksion parimi i vitit zero, por kjo është e pamundur.
Së fundmi po shikoj shumë komente që thonë: doni reformë në drejtësi, filloni nga 21 janari. Ju si mazhorancë e asaj kohe patët arritur ta davarisni si çështje, sepse nuk ka të ndëshkuar apo jo?
21 janari është kompleks. Ai ishte grusht shteti. Ishte organizim bandash, celulash antiamerikane, të cilat sulmuan ndërtesën e qeverisë dhe nuk u mbajt asnjë qëndrim për këta organizatorë të sulmit ndaj qeverisë. Çështjet politike nuk i zgjidh as policia dhe as drejtësia. Përgjithësisht, të gjitha ngjarjet ku ka konflikt mes palëve politike është e vështirë, gati e pamundur për të gjetur zgjidhje nëpërmjet drejtësisë. Kam mendimin se ky aparat mendimi po funksionon edhe sot. Të ndërtojmë një drejtësi, që të rregullojmë politikën. Nëse sistemi ynë është problematik, asnjë ndër sistemet e ndërvarura nuk mund ta shpëtojë. Nëse sistemi politik është i korruptuar, ai do të vijojë të prodhojë korrupsion. Aty ku ka filluar “konfrontimi” mes sistemeve aty gjendet zgjidhja.
A është e drejtë të ndërhyhet kaq shpesh në Kushtetutë?
Nuk dua të tregohem refraktar për shkak se jam një ndër aktorët e rëndësishëm të Kushtetutës. Në Kushtetutë duhet ndërhyrë kur të jetë diagnostikuar qartë problematika, dhe dianostikuar se përse ky model çalon dhe ku çalon. Unë kam 15 vjet që them se Kushtetuta jonë përgjithësisht është shumë e mirë, nuk krijon ajo problem. Është një Kushtetutë e konceptuar që të ketë në qendër të rregullimeve kushtetuese një Senat dhe kjo nuk ka asnjë kosto. Po ngrihen shumë më tepër institucione që do t’i kushtojnë buxhetit shumë më tepër sesa një trupë e përzgjedhur figurash, të zgjedhur nga shqiptarët, siç do të mund të ishte Senati.
Kjo puna e Senatit duhet shpjeguar, përse u la pa u bërë, pasi unë e mbaj mend qysh në 1998 këtë propozim… U la në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm. Arrestimet që u bënë në atë kohë, vrasja e Azem Hajdarit në shtator 1998, e bënë klimën të panegociueshme, megjithëse duhet thënë se në një mënyrë ose në një tjetër palët ishin të pranishme dhe mbas këtyre ngjarjeve. Në atë kohë drafti e kishte të parashikuar parlamentin me dy dhoma, por pati reaksion nga një grup deputetësh dhe u bë i pamundur ngritja e dy dhomave.
Senati është një institucion i zgjedhur si dhoma e ulët, apo është një institucion garant?
Në draftin që kemi patur zgjidhet në mënyrë të ndryshme dhe ka kompetenca të tjera. Ne asaj kohe menduam ngritjen e një trupe politike, një institucioni politik, jo partizan. Pra, e menduam që të zgjidhej në mënyrë të ndryshme, me kompetencë dhe objekt të ndryshëm; pjesa natyrore e shtetit politika e jashtme, drejtësia dhe siguria kombëtare dhe në këtë mënyrë dhe në rrotacionet politike që jane ende të ashpra senati mbetej një institucion serioz që nuk ndryshon sipas humorit të politikës.
Pra, janë 30-40 persona që krijojnë një lloj “pleqësie” apo jo?
Po, ky ishte thelbi. Duhej të ishte një përpjekje për të kaluar nevojat urgjente të shumicës dhe disa institucione themelore të shtetit duheshin çuar drejt një trupe politike me vështrim më afatgjatë për shkak të interesit të saj. Senati do të ishte i vlefshëm në këtë moment, për shkak të futjes së një “ingredienti të ri” në sistemin në tërësi. Ky lloj institucioni do t’i jepte kohë dhe kulturës politike dhe standardit ekonomik që të rriten dhe të maturohen. Kjo pleqësi frenon vrullin e madh të cilado mazhorance qoftë në fusha të caktuara duke i dhënë dhe vendit një stabilitet më të madh, sepse mandati i senatorëve nuk ka lidhje me mandatin e qeverisë. Mandati i Kuvendit është mandat kolektiv, ndërsa mandati në senat është konceptuar si mandati personal.
Senati e përjashton Gjykatën Kushtetuese?
Jo, absolutisht jo, vetëm se mund të luante një rol më të mirë në raport me drejtësinë.
Lulëzim Basha kërkoi parlament me dy dhoma, por nuk e shoh më që të jetë kaq aktiv në këtë ide. Ndërroi mendim?
Basha e ka shfaqur këtë mendim që për mua është shumë i drejtë. Por, në kushtet e njëanshmërisë totale nga mazhoranca do të ishte pa sens që në këto rrethana PD të përgatiste një set propozimesh pozitive, kur shumica po bëhet gati që të kapë sistemin e drejtësisë. Nëse diskutimi do të ishte i hapur ne mund ta përpunonim këtë ide, aq më tepë kur kjo ide, pra e dy dhomave; Kuvend dhe Senat, e ka kaluar testin e Komisionit të Venecias këtu e gati 20 vjet më parë. Për të ndërhyrë në Kushtetutë nuk është e lehtë, por në situatën ku ndodhemi është e nevojshme që të shikojmë një reformim serioz si të sistemit politik shqiptar, ashtu dhe atij të drejtësisë. Senati është zgjidhje për të dyja problemet. E për t’iu kthyer reformës në drejtësi unë shtroj një pyetje: Ne sot duam reformë për të mirë të qytetarëve apo për të dënuar kundërshtarët?! Nëse duam të parën, ne do të kërkonim që pikësëpari të ketë transparencë në sistemin gjyqësor, të ketë mundësi normale pune për gjyqtarin dhe prokurorin. Në qoftë se një gjyqtar ka një numër çështjesh dhe nuk arrin fizikisht as të lexojë dosjet nga mbingarkesa dhe gjyqet bëhen jo në sallë, por nëpër zyra, që këtu është prekur shenjtëria e një procesi. Kur përdhoset autoriteti i njerëzve të drejtësisë edhe qytetarët nuk kanë as respekt dhe as besim tek ky sistem. Sistemi ynë i drejtësisë fillimisht ka nevojë për njerëz, ka nevojë për administrim. Kjo me kushtetutë i është lënë ministrisë së Drejtësisë. Në vitet e fundit nuk ka asnjë përpjekje për të bërë administrim më të mirë, me buxhet, njerëz, rroga të gjyqtarëve dhe prokurorëve, jo nga kontrollorët e tyre, sepse kjo vetëm do ta bëjë më të keq këtë sistem.
A ka gjasa që reforma të jetë apolitike?
Absolutisht jo. Nuk ekziston diçka si apolitika, sepse nuk mund të ekzistojë një politikë që nuk është politike. Ne themi na duhet një reformë jashtë interesave të politikës, por kjo nuk ekziston.
Cili është roli i diplomatëve të huaj në këtë histori? Është rol pozitiv, me çfarë mandati e bëjnë ata këtë gjë?
Me thënë të drejtën, gati asgjë në këtë vend nuk është bërë pa një rol serioz të ndërkombëtarëve.
Kam dëgjuar se Kushtetuta e vitit ‘98 ka patur një dorë të mirë nga ndërkombëtarët…
Po. Zëvendësambasadori amerikan atë kohë më bëri një telefon dhe më ftoi në një takim. Më tha hapur se vendi ka nevojë për Kushtetutë dhe se unë duhet të isha ndër njerëzit që duhej të merresha me të. Kjo ka ndodhur në fund të 1997. U ngrit komisoni dhe mbështetja që i ka dhënë OSBE-ja ka qenë totale. Mos të harrojmë që OSBE-ja është një organizatë ku marrinë pjesë amerikanët. Ata kanë qenë në tryezën e punës si pjesë e pandarë. Kjo kushtetutë që kemi sot në rradhë të parë është bërë për shkak të tyre dhe unë e gjej këtë krejt normale. Kështu është edhe sot. Nuk jam i mendimit se ndërhyrjet e ndërkombëtareve prekin sovranitetin. Çdo qytetar duhet ta ketë parasysh se çdo shtet ka sovranitet aq sa ka fuqi. Ne për një kohë të gjatë do të kemi nevojë për ndihmë, për shkak të një sërë faktorësh politikë, socialë dhe historikë, por kjo nuk duhet përceptuar si mungesë sovraniteti. Nëse nuk dimë t’i zgjidhim problemet tona, por duam të jemi në BE dhe NATO, nuk kemi përse të themi pse aksh ambasador shfaq një qëndrim për këtë apo atë problem madhor. Po nuk qe e qartë kaq, është naivitet.
Kemi një projekt që ju e keni pagëzuar i “Sorosit”; kemi një trysni të ambasadorëve; një draft të LSI-së të firmosur nga Ilir Rusmaili; kemi disa pika të propozuara nga PD. Si e shikoni tabllonë?
PD politikisht ka vepruar drejt duke u kapur me një çështje themelore si 2/3. Lidhur me raportin e mazhorancës me çëshjen e drejtësisë, dua të theksoj se nëse makina e ministrit të Brendshëm qarkullon me drogë, çfarë mund të bëjë një gjyqtar apo një prokuror në Shqipëri?! Ne nuk na funksionon policia gjyqësore që duhet të mbledhë faktet, përsa kohë është nën trysninë e pushtetit politik. Pa prova krimi nuk dënohet askund.
A mund të më thoni pse nuk jeni në skuadrën e PD-së si bashkëhartues i Kushtetutës?
Edhe për mua është më mirë që nuk jam në grupin e ekspertëve, sepse kjo më lejon të kem pavarësinë që të shpreh mendimin tim. E dyta, unë nuk jam ekspert. Unë jap gjykime politike, ndaj për këtë arsye është e rëndësishme që të këtë njerëz të rinj me ide të reja.
Sot, po të bësh vërejtje për reformën ka një frymë jakobine, të quajnë antiperëndimor…
Reforma është e jona dhe e Donald Lu-së bashkë. Qëndrimet e PD-së nuk kanë marrë një etiketim të tillë. Ne kemi thënë se nevoja për një proces duhet të shkojë drejt bashkëpunimit. Por, mes palëve ka mosbesim, sepse dyshimi është në themel të ecurisë, dyshimi çon përpara gjërat. Vetëm ISIS nuk ka dyshime në veprimet e veta.
Janari po ikën dhe opozita nuk po del në protesta si u premtua? Çfarë po ndodh?
Ky vit do të jetë shumë i vështirë për Ramën. Ekonomia shqiptare ka shkuar keq e më keq. Nga pikëpamja psikologjike ky popull nuk ka më shpresë. Po ikin njerëz që nuk janë për bukën e gojës. Po ikin edhe më të zotët në karrierë. Kemi një presion mbi njerëzit në çdo moment. Edi Rama është natyrë konfliktuale. Ai e përdori këtë model që në 1998 me Teatrin e Operas dhe atë ndjek. Procesi i reformës në drejtësi duhet të ishte një proces normal, por është bërë si telenovelë. Kjo vjen, sepse nuk po qeveriset, vetëm po hapen kryqëzata. Qeveria nuk duhet të krijojë armiqësi me popullin. 37 mijë njerëz nuk ka futur në burg asnjë pushtues, i fut një kryeministër. Pushteti vendor është në gjendje të lemerishme, sepse reforma u bë e nxituar dhe jo me maturinë e duhur për të gjetur optimumin e territorit të bashkive, ndaj nuk po funksionojnë. Administrata nuk funksionon, lufta politike është në kulm, ka një luftë brenda mazhorancës. Ky konflikti PS-LSI është i dukshëm. Kjo dobëson legjitimitetin e një qeverisje, ku secila palë nuk bën gjë tjetër veç publikon dokumenta kundër njëri-tjetrit. Po pas këtyre publikimeve ata nuk ndahen, por vetëm forcojnë kërcënimet ndaj njëri-tjetrit. Ndërsa do të jetë ferr për qeverinë, ky vit të shpresojmë të sjell pak optimizëm për qytetarët nëpërmjet protestave të opozitës.
Opozita pse nuk është frymëzuese e mërisë popullore?
Nuk bie dakiord me këtë konstatim. Unë nuk dua të evidentoj nëse po përfiton PD nga kjo qeverisje, por dua të them se kjo maxhorancë është e deligjitimuar, është në krizë dhe sigurisht që përgatija e zgjedhjeve të reja me një qeveri teknike, është rruga e vetme për fillimin e shërimit të këtij trupi social të sëmurë.
Jeni të sigurtë që mund të fitoni në këtë rast? Sondazhet i japin sërish fitoren së majtës…
Sondazhet nuk janë përcaktuese. Në janar të 2013 ishim fitues të zgjedhjeve, pak muaj më vonë ishim humbës, sepse ndryshoi gjendja politike. Ne po përgatisim tashmë programin tonë elektoral.
Por nga ana tjetër opozita nuk po rrëfen pikën e saj të arritjes, atje ku dëshiron të mbërrijë. Në çdo tubim ju thoni ky është finishi, qeveria do të bjerë…
Jo, ne kemi thënë në dhjetor: fillon rruga pa kthim, sepse kur dalin aq shumë njerëz në rrugë një qeveri edhe mund të reflektojë. Po jo kjo qeveri mesa duket, kjo nuk mundet.
Sa e gjatë është rruga pa kthim, deri në fund të mandatiti të kësaj qeverie?
Ne edhe mund të dështojmë në këtë rrugë. Po më kërkon llogari për të ardhmen? Nuk ta tregoj dot. Unë po të tregoj rrugën për ku jemi nisur me bindjen që kemi deri më tani dhe me shumë shpresë. Historinë nuk e tregojmë dot sot.
PD, ka njohur dhe më herët humbje si ajo e 31 marsit të 1991…
PD-ja atë kohë kishte vetëm tre muaj e gjysëm që ishte krijuar dhe morën gati 40 përqind të votave.
Jo, jo doja të thoja se atëherë kishte dhimbje për këtë rezultat, shikoje njerëz me lot në sy, të zhgënyer dhe një lloj politike revanshi të komunistëve, por PD të nesërmen ka menaxhuar depresionin dhe e ktheu në optimizëm. Kurse sot nuk ka të njëtin perceptim opozitari…
Sigurisht që pas zgjedhjeve të 31 marsit kishte shumë më tepër shpresë për ndryshim. Ndryshimi nuk erdhi atëherë, erdhi në tetor të një viti më vonë, sepse ishte e pashmangshme. Atëherë ishte vetëm TVSH-ja dhë pavarësisht mungesës së informacionit u morën gati 40 për qind e votave. Por, situatat ndryshojnë në 25 vite dhe përceptimet popullore gjithashtu.
Unë bëra një paralelizëm me 31 marsin e 1991. Ku ke qenë sot e 25 vjet më parë, në Tiranë?
Në Tiranë dhe kudo tjetër. Në dhjetor 1990 kemi qenë kryesisht në Tiranë, sepse ende nuk ishte situatë e qartë. Më pas kam qenë nëpër mitingje, jo tek të gjithë, por tek më të vështirët. Kam qenë në mitigun e parë të PD-së në Vlorë, Tropojë, madje dhe në antimitingje. Sepse ai ishte në Tropojë dhe paçka se Saliu dhe Azemi ishin nga Tropoja duhej dhe dikush tjetër, e ku kishte më mirë se një nga Vlora.
Si ka qenë antimitingu i parë, sepse sot mund të duket komike…
Komike thuhet sot, por aty dolën thikat. Ishte i organizuar antimitingu i parë me foto të Enverit dhe çdo gjë tjetër. Por, për komike mund të tregoj një detaj tjetër. Kam qenë me Aleksandër Meksin, i cili duhet ta theksoj që ka një kontribut të jashtëzakonshëm, në themelimin e PD-së. Ishim në Sarandë dhe Gjirokastër. Duhej të ishte data si sot 17, 18. Në Gjirokastër na qëlluan nga ballkoni me një levë. Lavdi Zotit ishin disa djem nga Lazarati që e mbajtën situatën fort dhe kaloi mirë. Kurse kur shkuam në Sarandë tribuna ishte e improvizuar. Komiteti i PPSH i kishte marrë masat në atë qytet që ta prishte mitingun, sepse dihej që Saranda kryesisht ka qenë me ushtarakë duke qenë porti i jugut të vendit dhe na u hodhën dhe na bërtisnin mu në fytyrë. Ishte presion shumë i madh. Atëherë policia na mori në mbrojtje, por në fakt na shtynte. Ndërkohë shikoj që një polic i qëllonte me shkelm nga mbrapa Leka Meksit.
Por, kemi ikur nga aty duke thënë: pavarësisht sesi po ikim sot ne do të vijmë prapë këtu. Dhe kjo lidhet me çëshjen e besimit të përgjithshëm që kishim vite më parë tek fitorja, tek pluralizmi politik. Kurse tani jemi në dinamika normale politike në PD.
Atehërë PD ishte Front apo jo?
Po, është e vertetë.
Po sot a është më konservatorë ideologjikisht PD?
I vetmi problem që kemi patur si qeverisje kanë qenë 2-3 momente ku pragmatizmi iu kundërvu dhe fitoi mbi disa vlera të përgjithshme.
E keni fjalën për pjesën e dytë të qeverisjes?
Kryesisht po.
E keni fjalën për marrëveshjen e 1 prillit dhe faktin që vendi nuk shkoi në zgjedhje të parakohshme?
Po, por edhe për elementë të tjerë. Pati një qasje pragmatiste, që solli një gabim njerëzor që e paguam shumë më shtrenjtë sesa duhej. Kur themi duhet t’i rikthehemi dhjetorit, nuk e kam fjalën tek njerëzit që bënë dhjetorin e vitit 1990, porse çdo entitet duhet t’i kthehet arsyes së krijimit të tij. /tesheshi.com/
Marrë nga “Shih Programin” në TVSH me lejen e autorit