Aeroporti Heathrow i Londrës urdhëroi anulimin e dhjetëra fluturimeve që duhej të transportonin rreth 10 mijë pasagjerë në minutën e fundit, raporton dpa.
61 fluturime u anuluan pasi aeroporti në perëndim të Londrës tha se nuk ishte në gjendje të trajtonte kaq shumë pasagjerë.
Linjave ajrore u është kërkuar që të mos transferojnë pasagjerë në fluturime alternative të planifikuara për të hënën.
Një mosfunksionim në sistemin e bagazheve në Terminalin 3 rezultoi që qindra valixhe të mos dërgoheshin gjatë fundjavës.
Heathrow u kërkoi falje “të gjithë pasagjerëve të prekur”, por shtoi se “shumica u shërbyen mirë”.
Pasagjerët e dëmtuar nuk kanë të drejtë kompensimi nga kompanitë ajrore, pasi sipas klasifikimit zyrtar arsyet e anulimit janë jashtë kontrollit të tyre.
Numri i pasagjerëve që fluturuan përmes Heathrow në gjysmën e parë të vitit ishte 26 milionë, gjashtë herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021. /tesheshi.com/