Partia Demokratike duhej të ishte më e ëmbla në gjuhën ndaj ndërkombëtarëve. Ajo ka qenë e përkëdhelura e Perëndimit duke ardhur në pushtet prej një investimi dhe mbështetjeje të fortë ndaj saj në vitin 1992; por dhe rikthyer po ashtu në qeverisje në 2005-ën, nga “dora e ngrohtë” e ndërkombëtarëve. Ndërkohë, edhe dy “kupat” e saj të qeverisjes përgjatë 8 viteve, NATO-on dhe liberalizimin e vizave, e ka po ashtu nga Uashingtoni dhe Brukseli. Por përkundër saj, ajo rezulton më shumë një parti “anti-imperialiste” përgjatë 25 viteve. Dhe ajo që ka vluar prej muajsh e javësh me sulmin ndaj ambasadorëve Lu e Vlahutin, ku PD është pikëtakuar jo pak me LSI-në e Metës, kulmoi këtë të mërkurë me përplasjen Berisha – Fleckenstein, ku në qendër ridoli emri i Sorosit, vlerësuar prej ish-kreut demokrat si mik i madh i shqiptarëve vetëm pak vite më parë, gjatë një takimi mes tyre në Davos….
Amerika dhe Europa ishin dy ëndrrat e ndaluara të shqiptarëve për 50 vite dhe shembja e frikës kundër imperializmit të ndërtuar nga diktatori Enver Hoxha i bëri amerikanët dhe europianët miqtë më të nderuar të Shqipërisë. Si një demokraci e re dhe pa përvojë, klasa politike shqiptare në këto 27 vite tranzicion i ka mbajtur sytë gjithmonë nga ndërkombëtarët: çfarë do të thotë SHBA; BE dhe OSBE. Por, pikërisht aty ku nuk pritej, ku nuk ishte e natyrshme, në gjirin e Partisë Demokratike, partia që lindi me rënien e murit komunist, u ndërtua një “anti-imperializëm” që ngre krye sipas situatave. Retorikës së Berishës – njeriu që ende drejton de fakto PD-në – tij kundër ambasadorit amerikan Donald Lu, ambsadores së BE-së, Romana Vlahutin dhe së fundmi dhe ndaj eurodeputetit gjerman Knut Fleckenstein i janë bashkuar dhe disa deputetë të tjerë demokratë, të njohurit si Jozefina Topalli, Edi Paloka, Gent Strazimiri, apo dhe Genc Pollo.
Më i kujdesshëm është treguar vetëm Basha duke mos i sulmuar fare hapur përfaqësuesit e huaj diplomatikë.
Nga buron anti-amerikanizmi i Berishës
Retorika kundër Amerikës e Berishës nisi që në vitin ’96 kur çarja mes tij SHBA-së ishte graduale deri në një dalje hapur kundër pas zgjedhjeve të manipulura të atij viti që do të pasonin me trazirat e ’97-ës. Amerikanët dolën kundër gjyqit të minoritarëve grekë “Omonia 5,” krijimit të një gjyqësori të kapur nga politika deri tek zgjedhjet e manipuluara të 1996-ës.
Edhe pas rikthimit në pushtet në 2005-ës ai ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me amerikanët. Mjafton të përmendim faktin se tre ambasadorët e fundit të Uashingtonit në Tiranë, Withers, Arvizu dhe Lu janë akuzuar hapur nga Berisha se kanë pasur axhendë personale apo se i kanë shërbyer Partisë Socialiste.
Kulmi arriti me kundërshtimin që ai po i bën rolit ndërkombëtar në reformën në Drejtësi. Pas një shmangie disa-mujore për ta votuar reformën, Berisha refuzoi të merrte pjesë dhe në një mbledhje të grupit parlamentar të PD-së ku ishin të pranishëm dhe dyshja e ambasadorëve.
Ai i cilësoi së fundi si ambasadorin amerikan dhe atë të BE-së po ashtu, si “guvernatorë” që po qeverisin Shqipërinë. Akuza lidhet pikërisht me këmbënguljen e të dyve për reformën në Drejtësi dhe Vetingun në këtë sistem të kalbur nga korrupsioni, ku meritën kryesore për këtë kalbje e ka dhe vetë Berisha gjatë qeverisjeve të tij.
Skema e lidhjeve “sorosiane” ishte një tezë e re që ish-kreu i demokratëve e përqafoi fill pas zgjedhjeve në Amerikë ku fitoi Trump.
Po kush e ndjek Berishën në linjën anti-amerikane?!
Guximin për të dalë hapur ndaj përfaqësuesve diplomatikë të SHBA-së dhe BE-së e kanë marrë dhe disa eksponentë të tjerë në kampin blu, që njihen si “krahu i amratosur” politik i Berishës. Jozefina Topalli ishte kundër pranisë së Lu e Vlahutin në mbledhjen e demokratëve duke e cilësuar si shkelje të sovranitetit, ndërsa sot ajo ka sulmuar Knut Fleckenstein, pak pasi ai i quajti “përralla sorosiane” akuzat e Berishës dhe i kërkoi opozitës të kthehet në Kuvend. “Jetojmë në liri dhe askush nuk duhet të thotë që t’i duhet të thuash këtë apo atë. Këtë e kemi kaluar dhe nuk e kemi pranuar as kur ka qenë Enver Hoxha”- i kujtoi Topalli eurodeputetit gjerman.
Edi Paloka po ashtu ka dalë publikisht me deklarata ku i kërkonte Lu-së të mos heshtte për drogën e problemet e qeverisjes, ndërsa deputetët Gent Strazimiri dhe Genc Pollo e ironizonin ambasadorin pas një artikulli të Washington Post për drogën në Shqipëri duke thënë se në ambasadën amerikane nuk i kanë këto infomacione.
Pjesa tjetër e deputetëve janë treguar të kujdesshëm kur ka qenë fjala për të dalë kundër ndërkombëtarëve, megjithatë pro-amerikanët e deklaruar në PD mund t’i gjesh me kokrra. Kur Lu kërkonte vota për reformën në Drejtësi vetëm Eduart Selami e Majlinda Bregu e takuan dhe u pozicionuan publikisht.
Rezonanca e Berishës me Metën
Në këtë linjë “anti-imperialiste” është futur dhe Ilir Meta, i cili ka një rezonancë të çuditshme me PD-në kur është fjala për të kundërshtuar reformën në Drejtësi. Ministrat e tij, Vasili e Gjosha, shkuan deri atje e quajtën antikushtetuese bordin e ndërkombëtarëve që po monitoron listat e institucioneve të reja të Vetingut.
Gjithashtu Meta përdor metodën e “hidh gurin, fsheh dorën” duke sponsorizuar artikuj në media anglisht-shkruese ku sulmohen ambasadorët apo flitet për konsipiracionet soroiste.
Një shembull për këtë ishte xhiroja që bëri lajmi ku sulmohej Vlahutin për një vilë të blerë në Tiranë nga vetë Komisioni Europian. U përdor një faqe online në anglisht, e pabesueshme për seriozitetin e saj dhe me më pak shikueshmëri se shumë prej faqeve shqiptare, ku një autor me emrin“Kasandra” përkthente nga shqip në anglisht artikujt e mediave shqiptare pranë PD-së e LSI-së për këtë çështje.
Vetë Meta në një nga daljet publike u mundua t’i vinte “kufirin tek thana” Ambasadës Amerikane për procesin e Vetingut. “Nuk do të ketë një proces Vetingu nga ambasada amerikane, një nga ajo gjermane, një nga ajo greke e kështu me radhë. Do të ketë një proces Vetingu nga institucionet shqiptare nën monitorimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ata mund t’ua heqin vizat të gjithëve, por duhet të paraqesin prova për t’i larguar nga detyra”, tha Meta në Top Story pasi ambasadori Lu hapur kishte akuzuar kryeprokurorin Adriatik Llalla (i zgjedhur nga Meta) se po pengonte procesin.
Qëndrimet e tyre “anti-imperialiste” do ishin vërtet për t’u përshëndetur, nëse do ishin të hapura dhe të argumentuara sa i përket reformës në Drejtësi, pa fluturuar sa tek Sorosi e sa tek vila e Vlahutinit. Edhe në qofshin të ligë e të korruptuar, kjo nuk ka lidhje me reformën.
Ne si shqiptarë kemi nevojë për të tillë burra shteti që nuk kompleksohen nga të huajt dhe e thonë atë që mendojnë.
Por në rastin konkret kemi thjesht mospërputhje axhendash…personale dhe mbipersonale. /tesheshi.com/