Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord në Samitin e Brukselit për të intensifikuar bashkëpunimin mbi një numër çështjesh globale, duke përfshirë angazhimin e përbashkët në Ballkanin Perëndimor, përfshirë dialogun Kosovë-Serbi.
BE dhe SHBA thanë në një deklaratë të përbashkët se qëllimi i Samitit ishte rinovimi i Partneritetit Transatlantik dhe vendosja e një axhende të përbashkët transatlantike për epokën post-pandemike.
Forcimi i bashkëpunimit
Të dy palët bënë thirrje për forcimin e bashkëpunimit për shumë çështje – nga lufta kundër pandemisë te ndryshimi i klimës, nga marrëdhëniet me Rusinë, Kinën, Iranin dhe një pikë e deklaratës i referohet Ballkanit Perëndimor.
“Ne synojmë të forcojmë më tej angazhimin tonë të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, ndër të tjera përmes dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës mbi normalizimin e marrëdhënieve të tyre me ndërmjetësimin e BE dhe me mbështetjen për reformat kryesore në rrugën e integrimit evropian,” tha deklarata e përbashkët, botuar në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë dhe Bashkimit Evropian. /tesheshi.com/