Nga Denijal JEGIÇ
“E dua Izraelin. Çfarë vendi i shkëlqyeshëm. Kosova është mik i Izraelit”, tha Presidenti kosovar Hashim Thaçi pak para se të shpallte pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Një dekadë më vonë, Thaçi premtoi të hapte ambasadë në Jeruzalem, nëse shteti izraelit e njeh Kosovën.
Për më shumë se një dekadë, elita politike e Kosovës i është gjunjëzuar Izraelit, duke shpresuar të marrë mbështetjen e tij politike. Me gjithë refuzimin e Tel Aviv-it për të njohur pavarësinë e Kosovës, zyrtarët kosovarë kanë vazhduar me një ofensivë sharmante.
Në prill të këtij viti, kryeministri kosovar Ramush Haradinaj mirëpriti gjashtë investitorë amerikanë në Prishtinë, në zyrën e tij të dekoruar me flamujt e Kosovës, SHBA-ve dhe Izraelit. Ai u tha mysafirëve të tij “se jemi shumë krenarë për bashkëpunimin me amerikanët dhe popullin hebre, dhe Izraeli si komb është një model i mirë për t’u ndjekur.”
Në korrik, gjatë një udhëtimi në Izrael, të organizuar nga Komiteti Hebre Amerikan, ambasadorja kosovare në SHBA, Vlora Çitaku, tha se ka dashuri të madhe për këtë shtet dhe se populli kosovar “duhet të shohë nga Izraeli si një shembull se si shteti mund të ndërtohet”.
Se shteti izraelit ishte ndërtuar mbi spastrimin e vazhdueshëm etnik të popullit palestinez dhe se ajo vetë dikur ishte bërë refugjate si rezultat i një fushate të ngjashme për spastrimin etnik, nuk ishte aspak shqetësim për të.
A e duan kosovarët e zakonshëm Izraelin apo jo është temë e diskutueshme, por ajo që është mjaft e qartë është se qeveria e tyre ka adoptuar një qëndrim të rreptë pro-Izraelit, duke injoruar historinë, realitetet gjeopolitike dhe konsideratat praktike të Izraelit.
Me vendosmëri pro-SHBA
Republika e Kosovës është përpjekur të fitojë njohje ndërkombëtare. Megjithëse mbi 90 përqind e popullsisë së vendit është shqiptare, Serbia ende pretendon kontrollin mbi Kosovën, duke u mbështetur në ato që pretendon se janë historikisht territori serb.
Thelbësore për narracionin e Beogradit për këtë çështje është Beteja e Kosovës e vitit 1389, në të cilën osmanët mposhtën serbët dhe menjëherë pas kësaj pushtuan tokat serbe. Kjo ngjarje historike u bë gurthemeli i etosit kombëtar serb gjatë përpjekjeve për ndërtimin e kombit – shtet të sapo pavarur serb në shekullin XIX.
Pavarësisht se demografia e saj ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme në katër shekuj të sundimit otoman, Kosova u mistifikua në përfytyrimet nacionaliste serbe si “zemra e Serbisë” apo edhe “Jeruzalemi i Serbisë”.
Nën sundimin jugosllav dhe atë të atëhershëm serb, shqiptarët e Kosovës pësuan forma të ndryshme shtypjeje, nga praktikat e kolonizimit në fillim të shekullit të 20-të deri në spastrimet etnike në vitet 1990. Gjatë luftës së vitit 1999, rreth 90 përqind e popullsisë së saj u zhvendos dhe mijëra u vranë përpara se forcat e NATO-s të ndërhynin duke detyrojnë trupat serbe të tërhiqen.
Si rezultat, kosovarët dhe elita e tyre u bënë me vendosmëri pro-amerikanë. Sipas një sondazhi të Gallup për vitin 2018, popullsia e Kosovës mbetet më pro-amerikania në botë, me gati 75 përqind të kosovarëve që mbështesin administratën aktuale të SHBA. Pjesa më e madhe e hapësirave publike të Kosovës janë zbukuruar me flamuj amerikanë dhe ish-Presidenti Bill Clinton dhe sekretarja e tij Madeleine Albright kanë statuja në Prishtinë.
Çuditërisht, kur është fjala për politikën e jashtme, siç theksoi Çitaku gjatë vizitës së saj në Izrael, “Kosova gjithmonë ndjek pozicionin amerikan”. Kjo do të thotë që qeveria e Kosovës është e padiskutueshme dhe pakundërshtueshëm pro-Izraelite.
Dallimet palestineze-kosovare
Politikanët kosovarë rrallë flasin për Palestinën, dhe palestinezët nuk pranojnë ta njohin Kosovën si shtet, ose të formojnë çdo lloj marrëdhënie diplomatike me të. Ekzistojnë një numër arsyesh për këtë armiqësi paradoksale midis dy kombeve që ndajnë një histori të ngjashme të viktimizimit.
Si anëtar drejtues i Lëvizjes së të Paangazhuarve, Jugosllavia mbështeti Organizatën Palestineze pë Çlirim, (PLO) dhe prishi të gjitha lidhjet me Izraelin pas luftës së vitit 1967. Sidoqoftë, pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990, shtetet e reja paraqitën veten si demokraci liberale perëndimore dhe miratuan politika pro-izraelite si rrugë drejt integrimit në BE. Kosova nuk bënte përjashtim.
Sidoqoftë, Serbia nën Sllobodan Millosheviç ndoqi një rrugë tjetër. Ndërsa ishte e para midis shteteve ish-Jugosllave që hapi ambasadë në Tel Aviv, ajo gjithashtu ka bërë gjeste simbolike kundrejt Palestinës.
Serbia ishte i vetmi vend në rajon që votoi në favor të pranimit të Palestinës në OKB si një vëzhgues joanëtar në 2012.
Në përgjigje të mbështetjes që Serbia i dha Palestinës në arenën ndërkombëtare, Autoriteti Palestinez (PA) jo vetëm që shpesh shprehu mirënjohjen e tij, por gjithashtu deklaroi kundërshtimin e tij ndaj shtetësisë së Kosovës. Në janar 2000, vetëm disa muaj pas fushatës brutale të regjimit të tij kundër shqiptarëve të Kosovës, PA ftoi Millosheviçin të bashkohej me festimet e Krishtlindjes Ortodokse të Krishtere në Betlehem.
Kohët e fundit, në korrik 2019, ambasadori i Palestinës në Serbi, Mohamed Nabhan, falënderoi Serbinë për mbështetjen e saj të gjatë dhe riafirmoi që Palestina do të kundërshtonte pranimin e Kosovës në Interpol.
Kundërshtimi i Palestinës ndaj shtetësisë së Kosovës gjithashtu mund t’i atribuohet luftimeve të vetë Palestinës me njohje. Argumentet amerikane, izraelite dhe evropiane për mosnjohjen e Palestinës shpesh herë bazohen në refuzimin e deklarimit të njëanshëm të shtetësisë, e cila, në rastin e Kosovës, nuk ka qenë problem.
Kur Prishtina shpalli pavarësinë e saj, lideri palestinez Yasser Abed Rabbo tha: “Kosova nuk është më e mirë se ne. Ne e meritojmë pavarësinë edhe para Kosovës, dhe ne kërkojmë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për pavarësinë tonë.”
Qëndrimi i autoriteteve kosovare ndaj Palestinës padyshim është i ndikuar nga qasja “e hidhur” e autoritetit palestinez për çështjen e shtetësisë kosovare, si dhe nga marrëdhëniet e saj të forta me Serbinë.
Mbështetja e Izraelit për Serbinë
Me gjithë qëndrimin pro-izraelit të Kosovës për çështjen Palestineze, marrëdhëniet e saj me Izraelin përballen me një pengesë të madhe: Tel Aviv i sheh qartë paralelet midis Kosovës dhe Palestinës dhe frikësohet se pranimi i pavarësisë së tij të shpallur në mënyrë të njëanshme do të ndihmonte përpjekjet për çlirimin e Palestinës.
Për të njëjtën arsye, Izraeli gjithashtu qëndroi pranë Beogradit përgjatë viteve 1990, pasi republikat jugosllave ishin gjithashtu duke shpallur pavarësinë e tyre. Ndërsa qeveritë perëndimore dhe organizatat hebraike dënuan regjimin serb në vitet 1990, qëndrimi i Izraelit ishte i heshtur.
Për më tepër, ka disa lajme se Izraeli theu embargon e armëve të imponuar nga Perëndimi ndaj Jugosllavisë dhe i shiti armë Beogradit.
Sipas profesorit izraelit Yair Auron, “nuk ka pothuajse asnjë dyshim” se predha që ra në tregun e Markale në gusht 1994, duke vrarë 68 dhe duke plagosur 142, në atë që u bë e njohur si Masakra e Sarajevës, ishte prodhuar nga Izraeli.
Në përgjigje të incidentit, Izraeli lëshoi një deklaratë dënuese ku nuk arriti të bëjë dallimin midis viktimave dhe autorëve.
Kur shpërtheu lufta në Kosovë, Tel Aviv ishte në mëdyshje të hapte qëndrim kundër Serbisë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dënoi mizoritë e kryera nga forcat serbe pas kritikave për heshtjen e tij fillestare.
Ministri i tij i jashtëm, Ariel Sharon, në anën tjetër, dënoi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në 1999. Ai shprehu kundërshtimin e tij ndaj vetëvendosjes shqiptare duke përdorur retorikë islamofobike e paralajmëruar “botën e lirë” për rreziqet e “një blloku të madh të shteteve islamike” duke formuar një “Shqipëri të Madhe”.
Pas humbjes së tij në zgjedhjet e Izraelit atë vit, Netanjahu ishte i etur për të bërë publike faktin që qeveria e tij dërgoi ndihmë humanitare dhe pranoi rreth 200 refugjatë, të cilët ai i përdori si një foto-mundësi.
Një vit pas pavarësisë së Kosovës, ambasadori i Izraelit në Beograd, Arthur Koll, pohoi se Izraeli nuk do ta njohë Kosovën, duke i kërkuar “popullit dhe qeverisë serbe” të “vlerësojë pozicionin e Izraelit” si një shenjë miqësie.
Pas agresionit të Izraelit në Gaza në vitin 2014, presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vucic, i cili shërbeu në regjimin e Millosheviçit, vizitoi Izraelin dhe deklaroi se Serbia është “shumë krenare” për miqësinë e saj me Izraelin.
Me gjithë mbështetjen e fortë të Izraelit për Serbinë – në retorikë dhe në praktikë – elita qeverisëse e Kosovës vazhdon të mbështesë me shtetin izraelit në çdo mundësi.
Një dekadë e adhurimit të verbër të Tel Aviv-it nuk është paguar politikisht.
Në të njëjtën kohë, ekzistojnë baza solide për solidaritet midis palestinezëve dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilët, me përvojat e tyre unike të shtypjes, ndajnë qëllime të ngjashme të çlirimit dhe njohjes kombëtare. Ndoshta së shpejti, do të jetë populli, e hi udhëheqja e tyre e paqartë, që do të përcaktojë të ardhmen e marrëdhënieve Palestinë-Kosovë./tesheshi.com/