Nga Artan Murati*
Për herën e katërt radhazi në pak se 10 vite, qytetarët e Kosovës u përballën me zgjedhje të parakohshme, kësaj here pasi ish-kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje pas intervistimit që e pati në Hagë, ku në cilësinë e dëshmitarit u përgjigj për krimet e pasluftës në Kosovë.
Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit ishin të organizuara mirë dhe rezultatet ishin të përafërta, por të qarta. Ish Koalicioni PAN, i përbërë kryesisht nga subjekte politike të udhëhequra ose themeluar nga profile të larta të UÇK-së, u përballën me pasojat që ata kanë krijuar vetë gjatë viteve të kaluara, pasi që shumica prej tyre kanë qeverisur vendin për një kohë të gjatë.
PDK-ja e Veselit përfundoi e treta, AAK-ja e Haradinajt e katërt dhe NISMA e Limaj deri më tani nuk e arritën pragun qoftë edhe për të hyrë në Parlament. Nga ana tjetër, ish-partitë e opozitës, Vetëvendosje (VV) dhe LDK, u bënë pararendësit e politikës së Kosovës, me një dallim të ngushtë prej rreth 6.000 votash midis tyre. Procesi i numërimit vazhdon ende, por nuk ka pothuajse asnjë shans që LDK të tejkalojë VV-në, dhe lëvizja politike e Albin Kurtit është qartë se do të fitojë zgjedhjet për herë të parë që nga pjesëmarrja e saj në zgjedhje në vitin 2010.
Bashkëpunimi midis VV-së dhe LDK-së që ka filluar në dy vitet e kaluara, pavarësisht kundërshtimeve pritet të vazhdojë, tani si partnerë të koalicionit në qeveri. Përkundër faktit se të dy palët zyrtarisht janë duke pritur për certifikimin e rezultateve nga KQZ, grupet teknike të të dy palëve tashmë kanë filluar të punojnë në programin e përbashkët i cili përfundimisht do të bëhet programi i Qeverisë.
Ky proces është tepër i rëndësishëm, veçanërisht pasi që Kosova urgjentisht duhet të shpejtojë për çështje të ndryshme të brendshme, si rritja ekonomike, ulja e papunësisë, forcimi i sundimit të ligjit dhe përmirësimi i sektorëve të shëndetit dhe arsimit. Sidoqoftë, sfidat më të mëdha për qeverinë e re të Kosovës besohet të jenë ato që lidhen me veprimin e jashtëm, kryesisht dialogun me Serbinë dhe rrugën integruese drejt BE.
Ish-kryeministri Haradinaj e trajtoi rolin e tij sikur të ishte një tavolinë suedeze: mori atë që donte dhe la çfarë nuk i pëlqeu. Në këtë drejtim, Haradinaj nuk ka treguar ndonjë interes të merret me dialogun me Serbinë. Ai thjesht transferoi përgjegjësitë e tij për këtë proces te Presidenti Thaçi, dhe u përpoq të mbështeste një “delegacion shtetëror” i cili më vonë u shpall antikushtetues.
Ndikimi më i madh që Haradinaj pati në dialog ishte vendosja e tarifës 100% për produktet serbe, e cila rezultoi me tërheqje nga tryeza e dialogut të delegacionit serb. Edhe pse taksa ishte një mjet i fundit për të luftuar kundër agresionit diplomatik kundër Kosovës nga Serbia, ky veprim, megjithatë, ndikoi në dialog, dhe nga ajo ditë nuk ka pasur asnjë takim zyrtar të regjistruar midis dy palëve.
Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në vitin 2019 në lidhje me atë se kush duhet të flasë në emër të Kosovës në procesin e dialogut. Gjykata Kushtetuese shpërfilli Ligjin për Kompetencat e Delegacionit Shtetëror dhe sqaroi kompetencat e Kryeministrit dhe Presidentit në lidhje me dialogun. Si rezultat, Kryeministri i ri do të drejtojë drejtpërdrejt procesin e dialogut.
Edhe pse partia e Kurtit fillimisht ka mbështetur vendosjen e tarifave, retorika e tij ka ndryshuar ngadalë në favor të një “reciprociteti të plotë”. Në këtë këndvështrim, pritet që Kurti të kalojë nga një vendim që ka bllokuar dialogun me Serbinë në ndonjë vendim tjetër që mund të vendosë edhe më shumë kufizime në fusha të ndryshme.
Pasaporta e Kosovës nuk njihet nga Serbia, dhe as targat e saj zyrtare të makinave. Produktet kosovare nuk mund të kalojnë Serbinë për të hyrë në tregjet e BE-së, dhe ka ende shumë çështje të hapura në çdo fushë tjetër.
Nëse do të zbatohej reciprociteti i plotë, atëherë situata midis të dy palëve mund të bëhet edhe më e polarizuar.
Nëse ka diçka që e ka karakterizuar Vetëvendosjen në udhëtimin e tyre politik, do të ishte qëndrueshmëria. VV gjithmonë e kishte kundërshtuar mënyrën se si zhvillohej dialogu me Serbinë. Sipas Vetëvendosjes, dialogu duhet të përqendrohet në komunitetin serb që jeton në Kosovë.
Pothuajse të gjithë e konfirmojnë se pozicioni i komunitetit serb në Kosovë nuk është në gjendjen më të mirë, veçanërisht ndaj atyre që nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me zyrtarë serbë në Beograd.
Institucionet e Kosovës, me gjithë përpjekjet, ende nuk gjetën zgjidhje për integrimin e plotë të serbëve të Kosovës. Ka shumë faktorë për këtë, por më i rëndësishmi është ndërhyrja e vazhdueshme e politikës serbe në jetën e përditshme të njerëzve, veçanërisht në veri. Qytetarët e rëndomtë serbë dhe figurat politike që jetojnë në Kosovë, që nuk kanë qenë të lidhur me Listën Serbe, janë kërcënuar vazhdimisht, dhe madje janë quajtur tradhtarë për bashkëpunim me institucionet në Prishtinë.
Prandaj, një dialog i vërtetë me serbët e Kosovës është i nevojshëm, por as Kurti dhe asnjë figurë tjetër politike në Kosovë nuk mund të përjashtojnë negociatat me zyrtarë të lartë të Serbisë. Dialogu duhet të zhvillojë të dy mënyrat, brenda dhe jashtë, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme.
Një detyrë tjetër që pret qeverinë e re do të jenë marrëveshjet që janë nënshkruar dhe ratifikuar tashmë. Sipas burimeve të ndryshme nga OJQ-të me qendër në Prishtinë, vetëm 4 nga 23 marrëveshjet janë zbatuar plotësisht deri më tani. Qeveria e re duhet të shtyjë zbatimin e këtyre marrëveshjeve përpara, edhe pse shumica e tyre kanë dështuar jo për fajin e palës së Kosovës, por thjesht sepse Serbia refuzon të njohë Kosovën.
Marrëveshja më sfiduese është, sigurisht, Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë. Kjo marrëveshje rrjedh nga Marrëveshja e Parë e nënshkruar në 2013, dhe e konfirmuar në 2015. Figurat kryesore të qeverisë së re, që pritet të jenë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kanë kundërshtuar vazhdimisht marrëveshjen. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka sqaruar se shumë nga çështjet e përfshira në këtë marrëveshje janë kundër Kushtetutës së Kosovës.
Nga ana tjetër, Kosova tashmë e ka ratifikuar këtë marrëveshje, duke e bërë atë ligjërisht të detyrueshme. Prandaj, marrëveshja e Asociacionit është edhe më komplekse se sa që duket, veçanërisht pasi të keni parasysh që Kosova mund të ketë një Kryeministër që i është referuar gjithnjë këtij asociacioni si “Zajednica”, duke përdorur term serb që nënkupton “bashkim”.
Për fund, atë që duhet ta përfundojë menjëherë qeveria e re është miratimi i një Platforme Shtetërore për Dialog me Serbinë. Dialogu ka filluar që nga viti 2011, dhe deri më tani Kosova kurrë nuk ka pasur një platformë e cila do të udhëheqë procesin. Çështjet e përfshira në dialog janë vendosur kryesisht nga BE, dhe këto çështje janë perceptuar ndryshe – në varësi se kush po fliste në Bruksel. Nga ana tjetër, sipas sondazheve të opinionit publik, qytetarët e Kosovës dëshirojnë një platformë shtetërore e cila do të mbulojë çështje të personave të zhdukur dhe dëmet e lidhura me luftën, tema që nuk janë diskutuar kurrë deri më tani.
Siç mund të shihet, dialogu me Serbinë do të jetë i vështirë, por i mundur. Nëse koalicioni i VV-së dhe LDK-së së shpejt zyrtarizohet, madje mund të kishim një shumicë të qëndrueshme në parlament, dhe me një përkrahje të vogël të opozitës, një marrëveshje përfundimtare më në fund do të shihte dritën. Sidoqoftë, një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë: kush dhe pse do të ishte një marrëveshje e nevojshme, nëse gjendja në jetën reale do të ishte akoma e njëjta? Qeveria e re duhet të japë një rrugë të qartë për dialogun, dhe duhet të jetë e dobishme për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Por a do të jetë e mjaftueshme marrëveshja me Serbinë për shanse më të mira për integrimin në BE? Kjo mbetet të shihet. /tesheshi.com/
*Artan Murati është Ligjërues i së Drejtës së BE-së dhe Kandidat për PhD në Universitetin e Salzburgut në Austri. Ai është marrë me dialogun Kosovë – Serbi që nga fazat e fillimit, në 2011-tën.