Presidenti i Sirisë, Bashar Assad është në prag të rimarrjes nën kontroll të të gjithë Halepit nga luftëtarët e opozitës, por fitorja nuk do të jetë vetëm e tij. Beteja për qytetin më të madh të Sirisë ka tërhequr me mijëra luftëtarë të forcave të huaja që mbështesin Asadin – përfshirë këtu ushtarë rusë dhe luftëtarë shiitë nga Irani, Libani, Iraku dhe Afganistani.
Ky rreshtim i jashtëzakonshëm politik dhe sektar nënvizon rëndësinë simbolike dhe strategjike të Halepit, i cili shkon përtej kufijve të luftës civile në Siri. Ish-qendra tregtare e Sirisë prej kohësh konsiderohet si një portë e madhe midis Turqisë dhe Sirisë.
Assad i ka dërguar disa nga forcat e tij elitë për të marrë pjesë në ofensivën në lagjet lindore të Halepit, të mbajtur nga opozita që nga viti 2012. Ato përfshijnë Gardën republikane, Divizionin 4 dhe forcat speciale. Njësia e fuqishme paramilitare Desert Hawks dhe komandot detare të Sirisë poashtu iu bashkangjitën luftës.
Por pas më shumë se pesë vitesh luftë, edhe forcat më të mira siriane janë shteruar rëndë. Pala pro-qeveritare e ka shpallur luftën si sektare me qëllim që të sigurojë mbështetje, sidomos në betejën e Halepit.
“Ne, shiitët, jemi duke luftuar për të mbrojtur ideologjinë, fenë, vendet e shenjta dhe të shtetin tonë kundër terroristëve”, tha një klerik shiit në Bejrut, i cili dha vetëm emrin e tij të parë, Mohsen, duke mos dashur të tingëllojë sikur ai është duke nxitur dhunë.
Nuk ka shifra të sakta për luftëtarët e huaj që mbështesin qeverinë siriane në Halep, por ato vlerësohen të jenë me mijëra. Dhe, ndërsa mijëra vullnetarë sunitë nga e gjithë bota kanë ardhur për të luftuar kundër Assadit në Siri, milicët shiitë dhe luftëtarët e huaj – si dhe rusët – kanë qenë kritike për sukseset e tij betejës.
Një ekip i Associated Press që bëri xhiro në pjesën e Halepit të mbajtur nga qeveria këtë muaj, pa parulla fetare shiite, kryesisht në skajin jugor të qytetit. Në lagjen juglindore Nairab, në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të mbyllur, persona të armatosur palestinezë me shiritë të kuq në ballë ku shkruan “Brigada Quds” janë parë në rrugë dhe duke drejtuar trafikun.
Aty pranë, një zyrë e Brigadave të Hezbollahut të Irakut, ishte e zbukuruar me flamuj të verdhë të grupit dhe parulla fetare shiite. Në hotele të Halepit perëndimor, këshilltarët rusë të veshur në rroba civile shkojnë dhe vijnë me xhaketa antiplumb, helmeta dhe pushkë automatike kallashnikov. Kjo është një përzierje e çuditshme e forcave, përfshirë fraksione sunite palestineze, të cilat shpesh të janë referuar nga mbështetësit e qeverisë thjesht si “miqtë”.
Në qytetin Safira, në jug të Halepit, një kasolle e vogël me një aparat kafeje qëndron në mes të një rruge, e rrethuar nga një skenë e shkatërrimit. Disa civilë kanë mbetur në zonë, ndërsa luftëtarët shiitë nga milicia e Al-Nujaba të Irakut kanë një qendër aty. “The Friends Cafe”, shkruhet në një flamur plastik në krye të kioskës, i cili shet ujë në shishe dhe kafe.
Të ashtuquajturit miq janë parë edhe nëpër rrugën e shkretëtirës që të çon në Damask, e cila u hap pasi opozita kishte bllokuar autostradën kryesore që lidh dy qytetet më të mëdha të Sirisë. Milicët vullnetarë Fatimiyoun nga Afganistani dhe luftëtarët Al-Nujaba kanë postblloqe në kodrat me pamje kah shkretëtira, përtej rrugës.
Luftëtarët mbrojnë rrugën, e cila është sulmuar nga grupi DAESH dhe e cila u bllokua disa herë në të kaluarën, para se trupat të fortifikojnë pozicionet e tyre.
Vullnetarët shiitë kanë qenë duke shkuar për në Siri me bekimin e pushtetit shiit të Iranit – aleati kyç i Asadit që nga ditët e para të konfliktit sirian në vitin 2011. Teherani, i cili gjithashtu mbështet grupet e armatosura në Liban, Irak dhe Afganistan, ka dërguar këshilltarë ushtarakë për forcat e Assad-it për vite, duke përfshirë disa zyrtarë të lartë të cilët u vranë në konflikt.
Presioni u shtua mbi Asadin vitin e kaluar, kur luftëtarët e opozitës kapën krahinën veriperëndimore të Idlibit, e cila kufizohet me provincën bregdetare të Latakias, një fortesë e qeverisë dhe zemër e alavitëve të Sirisë, një degë shiite së cilës i takon familja Assad. Pastaj, Rusia iu bashkua luftës në shtator të vitit 2015, duke vënë balancën e fuqive në favor të presidentit sirian.
Hezbollahu libanez, edhe një grup shiit, besohet se ka dërguar qindra luftëtarë të saj në Halep. Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah ka përshkruar luftën në Siri si “nëna e të gjitha betejave”, dhe ka thënë se rruga për Palestinë kalon nëpër qytetet siriane, përfshirë Halepin.
Një zyrtar pranë milicisë së Irakut Al-Nujaba i tha AP në tetor, se grupi kishte dërguar rreth 4.000 luftëtarë të saj në përgatitje për betejën për të rimarrë Halepin.
Përkrahësit e qeverisë siriane thonë se qyteti i afërt i Al-Báb-it, tani i kontrolluar nga grupi DAESH, ka të ngjarë të jetë objektivi i ardhshëm, dhe sugjerojnë se Irani kërkon të zgjerojë ndikimin e vet përmes një korridori të afërt të tokës nga Teherani deri në Detin Mesdhe, nëpërmjet Irakut dhe Sirisë.
Gjithashtu në mesin e luftëtarëve të huaj që mbështesin forcat e Assad-it janë refugjatë afganë nga Irani, të cilëve thuhet se u është premtuar shtetësia iraniane. /tesheshi.com/