Nga Fadil Maloku*
Rrugët e Hamburgut janë mbushur me njerëz me maska të zeza dhe të veshur tërësisht me të zeza, që dje dhe sot kanë djegur makina, kanë thyer dritare të dyqaneve dhe kanë kundërshtuar shumë ashpër rirreshtimin e ri që po zgjerohet shpejt. Mediat botërore lajmërojnë për lëndime të mbi 200 demonstruesve dhe 400 policëve. Por, kush janë këto grupime margjinale që po e kundërshtojnë me kaq ashpërsi dhe këmbëngulje, këto ndryshime dinamike në nivelin lokal, rajonal, kontinental dhe atë global? Në fakt, këto grupe në shkencat sociologjike identifikohen si skeptike dhe antiglobaliste.
Kush jane Antiglobalistët?
Hiperglobalistëve dhe skeptikëve, kolonës së grupimeve që dosido shprehin rezervat e tyre lidhur me tendencën e re të shquar si globalizëm, i bashkangjitet edhe një kontingjent tjetër. Për ta analizuar diskursin antiglobalist, jemi të mendimit që para se t’i hyjmë ndonjë elaborimi më të thellë, nevojitet të bëjmë njëherazi një distingsion social rreth këtij formacioni që në qarqet e sotme ende eksplorohet disi si me rezerva. Në të vërtetë, ta thjeshtësojmë çështjen. Fjala nuk është për dilemën se a ekziston apo nuk ekziston formacioni i antiglobalizimit si i tillë, pra si një kundërshtar shumë serioz i globalizmit, ngaqë ai është prezent sot në gjithë botën edhe si lëvizje e edhe si antipod i globalizmit.
Dilema qëndron në sqarimin e asaj se a thua antiglobalizimin e shpiku, pra e krijoi për qëllime të caktuara globalizmi si arsyetim për ta fuqizuar edhe më tej procesin dhe diskursin e globalizmit, apo ai lindi vetvetiu si pasojë e pakënaqësisë globale sociale, ekonomike, politike, ekologjike, etj. e shtresave të ndryshme të shoqërisë të cilat të pakënaqura me ndarjen globale të punës, si edhe krijimin e hendekut të lartë mes kreatorëve të globalizimit (apo si do thoshte Marksi: “klasës sunduese” dhe “klasës së sunduar”) siç janë FNM, OTB,KTN, etj. dhe pjesës tjetër pasuese qytetarëve të vendeve të ndryshme nëpër gjithë botën?
Në të vërtetë, ne si sociologë është mirë të identifikojmë shtresimin gjenetik të këtij inxhieringu të ri teknologjik që ka arritur tani të krijojë edhe antipodin e vet që ka ithtarët e tij në të gjithë botën. Të përkujtojmë vetëm rebelimin e 500 mijë njerëzve nga mbarë bota, duke protestuar nëpër rrugët e ndryshme ku mbaheshin takime të magnateve të kompanive transnacionale.
Pse janë kundër globalizmit këto grupe, dhe pse kaq të dhunshme?
Nëse bëjmë një përshkrim të shkurtër të këtyre kategorive të njerëzve të cilët thënë më thjeshtë janë tejet alergjik ndajë procesit të globalizimit, do të arrijmë të identifikojmë këtu një mori shtresash dhe kategorish, grupeve, ngjyrave, racave si edhe kontingjenteve të ndryshme qe kanë ngjyrime ideologjike, sosh politike etj. Në fakt, prejardhja e tyre sociale ndoshta nuk flet edhe aq shumë kur të kihet parasysh shkalla e aversionit dhe e urrejtjes që ata e ushqejnë ndajë proceseve të reja globalizuese. Pra, ky është ai motivi që i bashkon gjitha këto shtresa dhe kategori njerëzish nga mbarë bota.
Ata mund t’i rekrutosh edhe nga shtresa e fshatarëve apo fermerëve që ardhjen e kompanive të mëdha transnacionale e shohin si konkurrente kryesore të biznesit të tyre. Po ashtu, ata mund t’i identifikosh edhe nga korpusi lëvizjeve për të drejtat e njeriut, ithtarët e ruajtjes së ambientit, pastaj simpatizuesit e ideologjive majtiste si edhe kundërshtarët e teknologjive gjenetike. Metropolet botërore, siç janë Seatle, Praga, Xhenova, Nisa, Kebeku, Hamburgu, Barcelona etj. sot si në sytë e globalistëve e po ashtu edhe të antiglobalistëve janë bërë fenomen në vete edhe me faktin se po e promovojnë diskursin deri dje pak të njohur në forumet ndërkombëtare të globalizmit.
Sot ekzistojnë edhe mendime të tilla të cilat e mohojnë lëvizjen apo diskursin e quajtur dhe të identifikuar si antiglobalizëm. Në të vërtetë, mendimet apo diskurset e tilla shkojnë aq larg sa që janë të prirë të thonë së ky diskurs është kryekëput pjellë dhe imagjinatë e sëmurë e arkitektëve të sundimit të botës në shekellin e XXI?! Pra, asaj që shquhet dhe identifikohet në politikë dhe në sociologji si “rend i ri botëror”? Ky prejudikim, për bazë të vetën merr nevojën e promovimit të procesit të globalizimit si diskurs të ri për ta qeverisur gjithë botën në shekullin që po hyjmë.
Antiglobalistët më globalistë se “globalistët”
Në nën tjetër ekziston po ashtu një korpus tjetër mendimtarësh, politologësh, sociologësh etj. të cilët mendojnë se shpikja për antiglobalizëm ka për qëllim të vetin të fshehë qëllimin e vërtetë të globalizmit. Sipas këtyre, sot në botë ekzistojnë dy forma të globalizmit. Njëra e cila për bazë ka ideologjinë neoliberale gjë që është e vërtetë dhe nënkupton konkurrencën e vërtetë të tregut që aludon në profit të pandalshëm dhe i injoron në të njëjtën kohë interesat e punëtorëve dhe njerlzve të thjesht të cilët i trajton vetëm si konsumator e asgjë më shumë. Dhe forma tjetër e cila ka të bëjë me përcaktimin e tyre të lire se me kë ata dëshirojnë të kooperojnë, bëjnë tregti, bëjnë marrëveshje biznesi etj., që, siç përmendëmm identifikohet me diskursin e antiglobalistëve.
Nëse i adresohemi procesit të globalizimit si proces i cili si qëllim apo imperativ të vetin e paska rirregullimin e proceseve politike, atyre kulturore e sidomos atyre ekonomike mes vendeve, rajoneve dhe kontinenteve të ndryshme në të njëjtën kohë, duke i përshpejtuar, zgjeruar dhe duke I promovuar si procese që krijojnë ekskluzivitetin e vetëm të quajtur profit (karakteristikë kryesore të neoliberalizmit), atëherë dosido do të kuptojmë që gjithmonë do të ketë grupe, lëvizje dhe diskurse të ndryshme të cilat do ta kontestojnë me mjete të ndryshme këtë proces global. Në këtë drejtim do të thoshim nuk janë të rastësishme edhe aktet terroriste të cilat përdorën për qëllime të tilla parandaluese. Temë kjo që shpresojmë se do ta prekim në ndonjë punim tonin të mëvonshëm.
Ajo që duhet theksuar në këtë rast është se kjo kacafytje apo ky konflikt mes të ashtuquajturve globalistë dhe antiglobalist është e kohës së re, që d.m.th se për disa ajo paraqet një mbijetesë të thjesht ekzistenciale, ndërsa për grupimin tjetër një begati dhe zhvillim marramendës. Është evidente se trendët zhvillimore ekonomike të fillim shekullit tonë, vërtetë kanë arritur të krijojnë aso shkalle të begatisë materiale, sa që ashpërsojë raportet mes njerëzve, vendeve, rajoneve dhe kontinenteve të ndryshme.
Dobësia e antiglobalistëve (natyrisht nëse pranohen si diskurs antipod i globalizmit), sot sipas shumicës së sociologëve qëndron në framgmentarizimin e tyre të madh, fenomen ky që pamundëson krijimin e një lëvizjeje tjetër dhe me qëllime tjera.
Shteti, si instrument që i rregullon raportet ndërqytetare në shoqëritë e zhvilluara perëndimore, sipas antiglobalistëve ai është akoma një kala e forte që dosido do ta pengojë procesin e shtrirjes së globalizmit. Në shumë analiza dhe konstatime të antiglobalistëve, projekti mbi shtetin projektohet si shërbëtore e interesave të globalizmit koorporativ. Shteti në rrethanat dhe aktualitetin e përfshirjes së frymës globalizuese herë-herë shihet si pengesë serioze në realizimin e projekteve globale të korporatave ndërkombëtare.
Antiglobalistët e përdorin shtetin (westfalian) kundër globalistëve!
Për antiglobalistët shteti ende është një partner i nevojshëm për të katapultuar dhe ndërmjetësuar prodhimet e tregut të lirë, si edhe për të bërë transaksione respektuese dhe garantuese në mes periferisë së përjashtuar nga ritmi i kësaj fryme të re globalizuese dhe qendrës, e cila prodhon dhe e dikton ritmin e procesit në fjalë. John Gray, një profesor aktual në London Economic School, mendon se “shteti, përkundër asociacioneve transnacionale dhe fragmentarizmit të brendshëm të tij, prapë se prapë edhe me tej mbetet një institucion i participimit demokratik e kulturor, e sidomos solidaritetit social”. Xhorxh Soros, një filantrop amerikan, ne librin e tij më të ri “George Soros on Globalization”, kur flet për mangësitë e kapitalizmit global mes tjerash nuk nguron të shtojë se “globalizmi është një term tejet i përdorur që mund të jap një seri varietesh domethënëse. Në rastin tonë, kur diskutojmë për të, unë do ta përdori atë në kuptim të zhvillimit global të rrjetës financiare, pastaj shtimit të korporatave transnacionale dhe të ngritjes apo edhe dominimit të tij mbi ekonomitë nacionale….
Ky shkrim, mbi të gjitha ka për qëllim të vë në spikamë statusin, rëndësinë dhe perspektivën e lëvizjes antiglobaliste. Do të thotë se se projeksioni antiglobalist në esencën e vetë diskursive paraqet apo bënë përpjekje të avansohet si një lloj kundërpërgjigjeje ndajë procesit të globalizimit. Në këtë drejtim edhe sloganet e antiglobalistëve, kur bëjnë thirrje në një lloj drejtësie apo solidaritet global, ku do t’i kundërviheshin me lehtë sistemit dhe procesit në rritje gjeometrike.
No – global, sikur ka filluar të pushtojë hapësira të reja gjithnjë e më të rëndësishme të mediave lokale dhe atyre botërore. Ai, s’ka dyshim, se gjithnjë e më shumë është duke i animuar “energjinë e vetë utopike”, “mitologjinë dhe imazhin”. Pastaj samitet dhe kundër-samitet e veta (Seatle, Ëashingtoni, Davosi, Brazili, Praga, Seuli, Barcelona, Geteborgu, Brukseli, Cjapasi Melburni, Kebekun, sërish Davosi), sot në Hamburg kundër G20-ës!
Ajo çka do të thoshim se e karakterizon këtë “lëvizje” të re, është se edhe kjo veten e projekton si diçka globale, të përgjithshme, pra si diçka që si anti konsiston t’i kundërvihet procesit tjetër të shquar si globalizëm.
Shikuar nga kjo dioptri, do thoshim se antiglobalizmi nuk është edhe gjithaq kundër globalizimit si proces i paevitueshëm, pra edhe një procesi të natyrshëm, por kundër politikës globaliste e cila opinionit të gjerë publik i servohet s diçka e natyrshme, diçka e domosdoshme.
Ku pajtohen globalistët me antiglobalistët?
Pajtimi mes globalistëve dhe antiglobalistëve, siç do të thoshte Antoni Giddens, do të mund ekzistonte rreth asaj se koncepti i modernitetit në mënyrë imanente është vetë procesi i globalizimit. Shikuar kështu, bota në aspektin informatik, atë ekonomik, kulturor, politik dhe në të gjitha mënyrat tjera të imagjinuara nga njerëzit, është duke u bashkuar dhe duke u njësuar nën një ombrellë të vetme.
Një numër i konsiderueshëm i sociologëve të sotëm, proceset aktuale ekonomike, pastaj rrjedhat e gjithmbarshme në botë etj., janë të prira t’i këndëvështrojnë edhe nga prizma e konsekuencave logjikes kapitaliste mbi produktivitetin. Shikuar nga këndvështrim teorik, i cili nëse supozojmë se në tërësi është autorefleksive, antiglobalizmi e kundërshton ideolatrinë neoliberale të tregut të lire dhe idenë mbi triumfin e pakontestueshëm të vlerave perëndimore në shekullin që kemi hyrë. Këtë të “vërtetë” si duket ndër të parët perëndimit ia “zbuloi” e më vonë edhe potencoi një nëpunës i State Departamentit amerikan, Frensis Fukajama.
Ndërsa vërejtja kryesore e apologjetëve të antiglobalistëve që u orientohet elitave eurokrate dhe vlerave të përgjithshme globaliste, është pikërisht ajo që Noam Comski e quan ”de facto qeveri e botës”. Rolin e “qeverisë botërore”, sipas këtyre autorëve e lozin Organizata Tregtare Ndërkombëtare, G8-shi, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Forumi Botëror Ekonomik, e në këtë kontekst edhe Unioni Evropian (EU). Këto Institucione, sipas antiglobalistëve, janë një legalizim pervers dhe një racionalizim i atij globalizimi të çoroditur që e diktojnë fuqitë perëndimore dhe jo i gjithë spektri dhe potenciali i shoqërive botërore. /tesheshi.com/
*Sociolg dhe politolog në Kosovë