Mes rrugicave dhe kishave antike të Sibenikut, në Kroaci, turistët e vonë vështrojnë me habi sesi një burrë i moshuar e i ashpër mban një fjalim tërë pompozitet në një tubim në shesh. “Në vitin 1945, njerëzit punonin falas për të ndërtuar fabrikat, rrugët, shtëpitë e reja. Ne dëshironim të ndërtonim një vend më të mirë, në atë kohë”, thotë ai. “Më gjeni pesë njerëz që janë të gatshëm ta bëjnë këtë gjë sot”. Folësi është “partizani i fundit” i qytetit – veteran i lëvizjes së rezistencës anti-naziste. Por, ndjenja të tilla idealiste nuk janë popullore në Kroacinë e ditëve të sotme.
Në janar, qeveria konservatore e koalicionit caktoi si ministër Kulture, Zlatko Hasanbegovic, një njeri që përshkruhet nga qendra Simon Wiesenthal si “fashist”. Ai kishte kryesuar lëvizjen pro-naziste Ustase në vend kur ishte student në vitet ’90 pa asnjë nderim për Kushtetutën dhe e ka etiketuar historinë e kulturën anti-fashiste “një frazë boshe”. Hasanbegoviç prej asaj kohe, ka vënë në dukje se partia ku militon aktualisht është anti-fashiste.
Të dielën, kroatët shkuan në qendrat e votimit në zgjedhje të parakohshme, duke e rikthyer partinë qeverisëse nacionaliste HDZ si partinë më të madhe në vend, por pa ndryshuar ndonjë gjë të madhe. Vetëm 53 për qind e të gjithë votuesve shprehën vullnetin e tyre: rezultati më i mundshëm është një koalicion i partive të njëjta të vjetra “centrist” – nacionalistëve dhe socialdemokratëve. Përkundër gjithë kësaj, vendi përballet me të njëjtët probleme të kahershme. Papunësia qëndron në shifrën e 16 për qind, duke u rritur në 40 për qind mes të rinjve, borxhi në 90 për qind të prodhimit të brendshëm, vendi varet gjerësisht nga turizmi, ndërsa vijon fluksi i punëtorëve që emigrojnë në Gjermani dhe Austri.
Ajo që përbën diçka të re është rikthimi i nacionalizmit. Deri në vitin 2013, politikanët konservatorë nacionalistë të Kroacisë kishin bërë zhurmë të mjaftueshme “liberale” sa për të bindur Brukselin se ata mund të përmbushnin kriteret bazë për anëtarësimin në BE. Që prej asaj kohe, ata janë zhytur në rrymën e rivalitetit nacionalist që ka përfshirë Ballkanin. Vetëm pas maleve shtrihet republika Srpska – enklava serbe e krijuar në Bosnje-Hercegovinë nga marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, pas një lufte të hidhur civile. Liderët e saj po kërcënojnë me mbajtjen e një referendum për pavarësinë, që do të hedhë poshtë marrëveshjen që solli paqe në rajon për 20 vjet.
Në përgjigje, politikanët e Krociasë kanë shtuar retorikën, me liderin e një partive të qendrës së majtës që u regjistrua në mënyrë të fshehtë duke kërcënuar se “do të veprohet për të mbrojtur kroatët” nëse procedohet me referendumin, e që e etiketonte Bosnjen “një shtet të dështuar” dhe duke e cilësuar qeverinë e Serbisë “njerëz të mjerë”.
Nëse kjo do të ishte një rilindje e konflikteve etnike të viteve ’90 në Ballkan do të ishte mjaftueshëm keq. Por gjithë kjo vjen pas vitesh të tëra dështimesh ekonomike, mes rritjes së tensionit gjeopolitik dhe ksenofobisë si përgjigje ndaj krizës së refugjatëve.
Paratë ruse janë derdhur jo vetëm në Serbi, por edhe në republikën Srpska, gjithashtu, së bashku me rritjen e ndikimit diplomatik. Ndërkaq, Kroacia u bashkua me BE-në. Si rezultat, Ballkani sot është shndërruar një linje fronti diplomatik shumë më sistematike sesa ishte në vitin 1995, kur përfunduan luftërat. Pohimi se globalizimi, rritja ekonomike dhe koha do të mund të shëronin rajonin duket më e pasigurtë se në çdo kohë që pas vitit 1995.
Nëse serbët e Bosnjes vazhdojnë me referendumin për pavarësi dhe Putin i mbështet, Kremlini do të kishte një ushtar të ri në lojën e shahut që po luan me perëndimin në Siri, Ukrainë dhe në shtetet Balltike.
Mes gjithë kësaj, jeta intelektuale në Ballkan është tërhequr në vagonët e pasëm. Një e majtë globaliste që duartroket partizanët veteran në sheshe, por shumë pak politikë të mirëfilltë domethënëse. Ka një të djathtë esktreme, arritja më e madhe e së cilës këtë vit në Kroaci ishte ngritja e një statuje për një terrorist të dënuar etnik nga vitet ’70.
Shumë njerëz të moshës 40 dhe 50-vjeçare përjetojnë një stil jete post-traumatik: bëjnë biznes, familje dhe dalin herët në pension, flasin rrallë për atë që bëjnë ose vuajnë të përfshirë nga paniku se konfliktet mund të rikthehen.
Ndërsa të rinjtë në rajon përpiqen të jetojnë me botën e ëndërrave të mundësuar nga kanabis – ku muzika elektronike apo Pokémon Go zëvendësojnë identitetet nacionale dhe politike të formuara 20 vjet më parë.
Nëse Europa dëshiron ta bëjë funksional Ballkanin, duhet të kuptoje limitet. BE ka ulur standardet e pranimit për vendet në lindje dhe në juglindje të Europës, në mënyrë që t’i përfshijë ato në projektin e zgjerimit.
Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014. Bosnja dorëzoi aplikimin në shkurt të këtij viti. Maqedonia që mori pikë në Bruksel pasi ngriti një gardh në kufirin grek vitin e kaluar kundër refugjatëve, është e përfshirë në dhunë etnike dhe korrupsion galopant që e bëjnë anëtarësimin në BE të pamundur. E megjithatë ka zëra që thërrasin për pranimin e saj.
Politikanët e rajonit, sidoqë të jenë, të korruptuar, shovinistë apo thjesht të paaftë, e dinë se duke plotësaur disa nga kutitë e listës së kërkesave të BE-së ata mund të përparojnë në procesin e pranimit vetëm me letrat e reformave. Fakti që shumë nga progresistët e rajonit, mbi të gjitha të rinjtë dëshirojnë anëtarësimin është një nxitje më shumë për Brukselin që të kthejë sytë në anën tjetër.
Nëse BE do të mbante pritshmërinë e shpresës dhe besimit që kanë në të, të rinjtë në Ballkan, do të kishte nevojë të niste duke qenë e papërkulur me qeverinë e ardhshme kroate. Të gjitha flirtimet me regjimin e dikurshëm fashiste të luftës së dytë botërore duhet të zhduken. Në fund, BE duhet të jetë e përgatitur – siç kërcënoi Poloninë e Hungarinë por që nuk veproi – të aktivizojë proceset e nenit 7 që parashikon paralajmërime mbi vendet anëtare në rast zbatimi të papërshtatshëm të shtetit të së drejtës e që shkon deri në pezullimin e tyre apo kufizim të të drejtës së votës.
Liderët e BE nuk humbën kohë pas votës Brexit për të riformuluar procesin e mbrojtjes së përbashkët dhe politikat e sigurisë – për atë që Daily Mail e quan “Ushtria Europiane”. Ata kanë të drejtë të kërkojnë mbështetje sipas klauzolës së mbrojtjes së përbashkët në traktatin e Lisbonës, dhe të gjithë anëtarët e BE janë të detyruar ta ndjekin. Por në terma afatshkurtër, ajo që është vitale për demokracitë e Europës Perëndimore është të angazhohen në Ballkan e të promovojnë institucione dhe kulturë demokratike. Ishte kjo që kërkuan diplomatët amerikanë me marrëveshjen e paqes së vitit 1995. Sot është detyra e BE-së ta zbatojnë këtë.
Marrë nga “The Guardian”
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/