Nga Galip Dalay
Turqia dhe Izraeli arritën marrëveshje për rivendosjen e marrëdhënieve, duke i dhënë fund grindjes gjashtëvjeçare mes tyre. Vetëm orë nga ky njoftim, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve se presidenti rus Vladimir Putin kishte marrë një letër nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i cili shprehte “ngushëllimet e thella” për familjen e pilotit që ishte në bord kur një avion rus u qëllua e u rrëzua në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë.
Në të njëjtën letër, Erdogan gjithashtu zotohej se ai do të bënte “çdo gjë të mundur” për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë.
Zëdhënësi presidencial i Turqisë, Ibrahim Kalin konfirmoi dërgimin e letrës duke thënë se Erdogan kishte shkruar se i vinte keq për incidentin, që ndodhi në 24 nëntor 2015, kur Turqia rrëzoi avionin rus që kishte dhunuar hapësirën e saj ajrore.
Kështu duket se Turqia ndodhet në gjendje të rishkrimit të marrëdhënieve të saj. Dhe këto zhvillime duket se përputhen me trajektoren e kohëve të fundit të politikës së jashtme turke, e cila po përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me rivalët e saj të vjetër.
Nisma të tilla janë shoqëruar edhe me një debat të ri për politikën e jashtme, që së fundmi po përmendet shpesh në elitën politike turke, e ku vihet theksi në nevojën për të fituar miq dhe platitur kundërshtarët.
Pavarësisht njoftimit për rikthimin e marrëdhënieve, Turqia dhe Izraeli kanë një histori të gjatë konfliktesh të ashpra diplomatike pas tyre, sidomos në dosjen izraelite.
Ka pasur një riorientim të politikës së jashtme turke, por kjo nuk vjen nga largimi i Davutoglu si kryeministër i Turqisë dhe nga drejtimi i partisë AK. Megjithatë, këto politika, më saktë rezultatet e tyre konkrete, të gjitha kanë fituar publicitet si pasojë e largimit të arkitektit kryesor të politikës së jashtme turke përgjatë dekadës së fundit, ish-kryeministrit dhe ish-ministrit të Jashtëm, Ahmet Davutoglu.
Pasi la detyrën, pjesa më e madhe e ekipit të tij të politikës së jashtme dha dorëheqjen për të marrë pozicione më pak qendrore në trupin diplomatik të Turqisë.
Në sipërfaqe, këto përkitje kanë shtuar zërat për pohimin se politika e jashtme e Turqisë po i nënshtrohet rikalibrimit si rezultat i largimit të Davutoglu dhe ekipit të tij nga rangjet e larta të politikës dhe diplomacisë turke.
Në fakt, e vërteta është kjo: ka pasur një riorientim të politikës së jashtme turke, por kjo nuk është rezultat i largimit të Davutoglu. Një lexim i tillë do të ishte shumë i personalizuar dhe nuk do të përfshinte kontekstin në të cilin po ndodh ky rikalibrim.
Davutoglu ishte një figurë kolosale për ndikimin që pati në ridrejtimin e politikës së jashtme turke. Ai kishte një vizion madhështor për vendin e Turqisë në sistemin ndërkombëtar, duke besuar se historia, gjeografia, burimet njerëzore dhe kapitali social i Turqisë e bënin të nevojshëm që vendi të luante një rol më të madh çështjet ndërkombëtare. Ai gjithashtu parashtroi këtë kornizë të sofistikuar teorike.
Por ai nuk ishte i vetëm në imagjinimin e një roli të tillë të madh për Turqinë në çështjet e botës. Në fakt, një nga shenjat dalluese të Islamit politik në Turqi ka qenë një axhendë ambicioze e politikës së jashtme ku vendi do të luante një rol shumë më aktiv. Kjo e ka dalluar atë nga politikat e mëparshme për një politikë më të kujdesshme e që ruan status-kuonë që mbante mjedisi i mëparshëm sekularist Kemalist.
Gjatë kohëzgjatjes së shkurtër të partisë pro-islamiste të Mirëqënies, partisë Refah, dhe drejtimit të liderit të saj, Necmettin Erbakan, midis viteve 1996-1997, partia u përpoq të riorientonte politikën e jashtme të Turqisë dhe të paktën të riballanconte orientimin e saj mbizotërues pro-perëndimor.
Me këtë synim, partia Refah si partia më e madhe e koalicionit qeverisës, së bashku me partinë e qendrës së djathtë Rruga e Vërtetë, ndërmorri një sërë nismash madhore në politikën e jashtme ku shënjestër ishte bota më e gjerë muslimane.
Vetë Erbakan e theksonte gjithmonë nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ekonomik dhe politik mes botës muslimane në mënyrë që të arrihej një zhvillim më i lartë ekonomik e kështu të mund të çlirohej nga hegjemonia e Perëndimit.
Në tetor 1996, ai sulmoi me forcë mjedisin e samitit të vendeve të zhvilluara të D8, (modeluar sipas G8) të cilin e shihte si ekskluziv në shërbimet ndaj interesave të fuqive ekonomike e politike të perëndimit në kurriz të pjesës tjetër të botës e sidomos botës Islamike.
Anëtaret e D8 ishin të gjitha vende me shumicë muslimane – Turqia, Irani, Pakistani, Bangladeshi, Malajzia, Indonezia, Egjipti dhe Nigeria dhe D8 ishte dizenjuar të shërbente si platformë për një bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve anëtare, sidomos në ekonomi, tregti dhe sferën industriale e teknologjike.
Në një kuptim, duke parë nuk kishte të ardhme njohja e madhështisë historike të Turqisë në sistemin ndërkombëtar të kohës, Erbakan synoi të vendoset një sistem ndërkombëtar paralel, duke u bazuar në vlerat e civilizimit islamik.
Vizioni i Islamit politik
Që kur erdhi në pushtet në vitin 2002, partia AK ka rishikuar mjetet me të cilat Turqia duhet të përpiqet të arrijë një dominim më të madh në çështjet ndërkombëtare, por e ka mbajtur vizionin e Islamit politik për gdhendjen e një roli më të madh të Turqisë ndërkombëtarisht, duke kultivuar lidhje të ngushta me botën më të gjerë muslimane.
Për shembull, ajo braktisi kërkimin e partisë Rafah për krijimin e një sistemi paralel, më islamik. Në vend të kësaj, ka kërkuar të marrë një rol më të madh të Turqisë në sistemin aktual ndërkombëtar.
Kjo është arsyeja, që në ndryshim nga Erbakan, Erdogan thekson padrejtësitë e sistemit aktual ndërkombëtar më shumë sesa të problematizojë vlerat e supozuara judeo-kristiane ku mbështetet sistemi i tanishëm.
Qëndrimi sulmon sistemin se është një konstruksion i pas luftës ë dytë botërore dhe si i tillë, gjithnjë e më shumë, po humbet lidhjet me realitetin e së sotshmes.
Kjo pikëpamje qëndron në frazën e tij që kapi vëmendje “bota është më e madhe se pesë”, ku ai i referohen pozicionit aktual dominant të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në sistemin ndërkombëtar.
Davutoglu, në këtë kuptim, mund ta ketë shprehur vizionin e tij të madh në mënyrë më elokuente dhe mund ta ketë vendosur në kornizën e tij të sofistikuar teorike, por politika e jashtme turke, në asnjë mënyrë, nuk është vetëm produkt i vizionit të Davutoglusë.
Ishte pak a shumë një vizion i përbashkët i Islamit politik turk. Erdogan kishte besim të vendosur dhe ishte mbështetës i pjesës më të madhe të vizionit dhe veprimeve të Davutoglu në politikën e jashtme.
Politika e jashtme e Turqisë ka dhe do të vazhdojë të përjetojë ndryshime dhe rikalibrim, por kjo ka të bëjë pak me largimin e Davutoglu.
Në vend të kësaj, ndryshimi është më shumë rezultat i ndryshimeve kontekstuale dramatike e strukturore në peizazhin rajon e ndërkombëtar politik, e daljes nga shinat të kryengritjeve në botën arabe, në të cilat Turqia kishte investuar shumë capital politik dhe shpresë si dhe dalja e sfidave të reja të brendshme, pjesa më e madhe rezultat i shkatërrimit të procesit të paqes me kurdët, më parë shpresëdhënës, dhe rikthimi i çështjes kurde në formën e saj konfliktuale me pasoja rajonale.
Kjo është arsyeja përse politika e jashtme e Turqisë po rikalibrohet përmes rregullimit të marrëdhënieve me Izraelin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me sinjalizimin e një nisme të tillë me Egjiptin, me rrudhjen e ambicjeve të politikës së jashtme dhe me riformatimin e politikës së jashtme përmes sfidave të brendshme politike. Por çdo pjesë e këtyre politikave ishte tashmë e ngjizur përpara largimit të Davutoglu.
I ndërgjegjshëm për panoramën e re politike rajonale dhe daljen e sfidave e trendeve të reja, Erdogan i ka dhënë zë dëshirës së tij për të rritur numrin e aleatëve të Turqisë dhe për të ulur numrin e kundërshtarëve gjatë një fjalimi që mbajti në sesionin e hapjes së samitit të 13 Islamik të Organizatës për Bashkëpunimin Islamik, në Stamboll në muajin prill, përpara largimit të Davutgolu.
Në fjalimin e parë përpara grupit të partisë AK më 24 Maj, kryeministri i ri gjithashtu parashtroi të njëjtat parime. Por këto artikulime nuk përfaqësojnë shkëputje në politikën e jashtme turke. Më shumë bëhet fjalë për një vazhdimësi të saj, pasi ky rikalibrim i politikës së jashtme turke ka qenë më shumë një ndryshim i kërkuar nga konteksti e struktura sesa nga aktorët politikë.
Marrë nga: Al Jazeera
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/