Nga Bashkim Kastrati
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) ka publikuar një raport analitik ku flitet në mënyrë kronologjike për shkaqet që dështuan arsimimin në Kosovë dhe si pasojë rezultatet nga testi i PISA-së dolën shumë keq. Kjo analizë është përgatitur nga Besa Shahini, analiste e fushës së arsimit, e cila tashmë është emëruar zëvendësministre në qeverinë “Rama 2”.
Siç dihet në dhjetor të vitit 2016, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) publikoi rezultatet e Programit Ndërkombëtar të Vlerësimit të Nxënësve (PISA) për vitin 2015. Rezultatet e dobëta të Kosovës ishin tronditëse: pothuajse 80 për qind e 15 vjeçarëve në Kosovë dolën se ishin analfabet funksional. Kjo do të thotë se ata dinë shkrim e lexim, por kanë probleme të theksuara me të kuptuarit e asaj që lexojnë. Nxënësit kanë vështirësi të procesojnë dhe të nxjerrin kuptimin e teksteve që lexojnë.
Ngjashëm, rezultate të dobëta pati edhe në lëndën e matematikës dhe shkencave natyrore. Këto të dhëna tregojnë se sistemi arsimor në Kosovë nuk arrin t’u ofrojë nxënësve aftësi bazike të nevojshme për mësim dhe jetë.
Sipas analizës një nga ngecjet fillestare në arsimim është edhe fakti se pjesëmarrja e fëmijëve në institucionet parashkollore është shumë e ulët, edhe pse arsimi parashkollor është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e fëmijëve dhe për pjesëmarrjen grave në fuqinë punëtore. Vetëm 3.5 përqind e gjithë fëmijëve të moshës 0 deri 5 vjeç ndjekin insitutucionet parashkollore, qofshin ato publike apo private. Grupmosha e vetme që ka pjesëmarrje më të lartë është ajo e moshës 5 vjeçare, për të cilët pjes[marrja është bërë e detyrueshme, dhe në vitin shkollor 2015/16 arriti në 81%.
Dështimi i kurrikulave, strategji të tepërta dhe planifikim i gabuar
Ekziston një thënie tashmë e njohur në komunitetin e politikbërësve në Kosovë që thotë: “Kosova prodhon ligje dhe strategji të mira, por dështon në zbatimin e tyre.” Kjo i shkon shumë për shtati edhe fushës së arsimit. Ligjet dhe strategjitë e hartuara për të përmirësuar cilësinë e arsimit në Kosovë hasin në zbatim të dobët ose nuk zbatohen fare.
Menjëherë pas luftës, ma ardhjen e Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) u krijua një kurrikulë dhe u trajtuan mësimdhënësit për zbatimin e kësaj kurrikule. Por kjo kurrikulë u ndërrua pas disa viteve.
Ideja që Kosovës i duhej një kurrikulë e re erdhi nga vet MASHT-i në vitin 2007, dhe u mbështet që në atë kohë nga Komisioni Evropian (KE). Kjo ishte koha kur PDK – pasi kishte kaluar disa vite në opozitë – fitoi zgjedhjet dhe krijoi qeverinë. Ata deklaruan se Arsimi do të ishte një nga prioritet e tyre kryesore dhe vendosën se, për të adresuar cilësinë e dobët në arsim, arsimit parauniversitar në Kosovë i duhej një kurrikulë moderne.
“Ky vendim nuk u mirëprit nga ekspertë të punësuar për të vlerësuar kurrikulën e hartuar disa vite më parë nga ekipi i Daksnerit, që kishte pak kohë që po përdorej. Instituti i Arsimit pranë Universitetit të Londrës konkludoi se Kosova kishte një kurrikulë të mirë, dhe se i duhej vetëm të zhvillonte planprograme lëndore dhe libra shkollor më të mirë, gjë që do të mundësonte zbatimin e kurrikulës ekzistuese në shkollat e Kosovës”, thuhet në raport.
Tutje në këtë raport theksohet se ministri i arsimit i injoroi këto këshilla dhe krijoi një ekip profesionistësh, nga jashtë ministrisë, të cilët me fonde të Komisionit Evropian përfunduan hartimin e një kurrikule të re në vitin 2009. Pas shumë prezantimesh e këshillimesh publike, dokumenti përfundimtar u hartua në vitin 2011.
“Korniza e re e kurrikulës veçohej nga një tipar kryesor që ishte koncepti i “kompetencave” që sistemi arsimor duhet të zhvillojë tek nxënësit nëpërmjet procesit të mësimit. Këtu hyjnë kompetenca e komunikimit, kompetenca e të menduarit, kompetenca e të mësuarit, e kështu me radhë”, thuhet në raport.
Edhe pse Korniza e Kurrikulës futi koncepte interesante në debatin mbi arsimin në Kosovë, mënyra e implementimit të tyre në shkolla mbeti i paqartë.
Ministria gjithashtu refuzoi të hartonte tekste të reja shkollore, duke insistuar se kurrikula e re u jepte më shumë liri mësimdhënësve të përdornin burime “jashtë librave shkollor” dhe që mund t’i gjenin edhe në internet. Edhe kur kjo qasje u kritikua nga mësimdhënësit dhe kritikët, të cilët theksonin se mësimdhënësit në Kosovë nuk i kanë resurset dhe trajnimet e duhura për të zhvilluar planprograme, dhe se nuk ka material të mjaftueshëm në internet në gjuhën shqipe, ministria nuk ndryshoi qasjen.
“Ky plan nuk kishte si të mos dështonte. Nuk njihet as edhe një rast tjetër në botë, ku reformat në kurrikulë janë zbatuar me sukses pa pasur tekste të reja shkollore që ofrojnë përmbajtjen e kurrikulës të zbërthyer në tekste mësimore dhe që u ndihmojnë mësimdhënësve të punojnë me koncepte dhe metodologji të reja”, theksohet në raport.
Dështimi i sërishëm me kurrikulë
Pavarësisht problemeve të shumta dhe mungesës së librave gjatë pilotimit, në shtator të vitit 2017, Ministria megjithatë vendosi ta fusë kurrikulën e re në të gjitha shkollat për disa klasë (0, 1, 6 dhe 10). Ministria organizoi trajnime të shkurtra dhe sipërfaqësore për mësimdhënësit, të cilët mbetën të frustruar e duke improvizuar në klasët ku japin mësim.
Një studim i fundit nga Instituti EdGuard bëri vlerësimin e trajnimit të kurrikulave që ofroi Ministria gjatë verës 2017. Gjetjet nga ky studim janë dëshpëruese, edhe pse të pritshme: 76 për qind e mësimdhënësve që morën pjesë në trajnime nuk kanë njohuri mbi konceptet bazike të kurrikulës së re dhe dy të tretat e mësuesve i vlerësuan trajnimet e Ministrisë si negative. Përveç kësaj, në shkollat ku zbatohet kurrikula e re, në 87 për qind prej tyre, nuk ka asnjë dallim mes mësimit që zhvillohet sot me atë që është zhvilluar me kurrikulën e vjetër.
Në raport theksohet se qeveria po dështon t’i asistojë mësimdhënësit në zbatimin e kurrikulës, duke mos ju ofruar tekstet shkollore që do t’ua mundësonte atyre zhvillimin e mësimit në klasë. Ekziston frika se ky projekt i menduar dhe ekzekutuar keq, në vend se ta përmirësojë cilësinë e arsimit në Kosovë, vetëm sa do ta dëmtojë edhe më tutje atë. /tesheshi.com/