Beteja për Halepin arriti fundin. Grupet e sirianëve të dëshpëruar që mbeten të shpërndarë nëpër bastionin e fundit të kryengritësve përballen me një llogari urgjente: të bashkohen me forcat besnike të regjimit përgjatë vijës së frontit apo të provojnë arrestimin; ose të pranojnë kushtet e marrëveshjes së minutës së fundit që u lejon të gjithëve të largohen.
Parashikimet e analistëve dhe njohësve të rajonit duken të zymta, jo vetëm për momentin aktual, por edhe për shumë kohë më pas. Sipas tyre, Halepi do të spastrohet nga opozita anti-Asad dhe nga të gjithë ata që e miratonin atë. Ata që largohen, ose që arrijnë të kenë mëshirën e pushtuesve do të përballen me dëbimin, me gjasa në provincën Idlib, një bastion i rimishërimit më të fundit të Al-Kaedës, grupit Jabhat al-Nusra, që përshkruhet si grup terrorist nga të gjithë protagonistët e luftës siriane.
Idlibi është shumë vështirë të quhet një strehë. Pas Halepit, do të jetë bastioni i fundit urban – përveç Raqqa-s së mbajtur nga ISIS- jashtë kontrollit të regjimit. Komunitetet e kryengritësve nga cepa të tjerë të mposhtur të Sirisë tashmë janë dërguar atje pas fitores së regjimit, ku ata kanë vijuar të bombardohen nga avionët rusë dhe sirianë.
Prania e xhihadistëve ofron pretekstin perfekt që sulmet të vazhdojnë – anësia e tyre me kryengritësit ka qenë një temë e përhershme e narrativës së regjimit se po lufton kundër grupeve terroriste. Duke i përzier të gjithë bashkë, kjo shërben për forcimin e një mesazhi të tillë.
Pretendimet e Asadit se fati i Halepit do të jetë vendimtar për luftën, me gjasa do të dalin të vërteta. Por, agonia e fitores errëson një tjetër të vërtetë më jetëgjatë: stabiliteti do të mbetet iluzion për një kohë të gjatë në vazhdim. Kështu, kjo do të mbetet edhe një shtyllë e pretendimit të Asad për të vijuar lidershipin e tij: sovraniteti i kombit.
Asad është ndihmuar për të ruajtur pozicionin e tij fitues nga Irani dhe Rusia, të cilat kanë bërë shumë më tepër sesa ushtria e tij besnike për të mposhtur opozitën. Irani ka pasur një kontroll efektiv strategjik të mënyrës sesi ka rrjedhur lufta në tre vjetët e fundit. Milicitë nga Libani dhe Iraku, të armatosura dhe të organizuara nga Teherani, kanë qenë vendimtare në marrjen e lindjes së Halepit, një qëllim që mbetej shumë larg mundësisë së forcave siriane që kur ato u nxorrën jashtë qytetit në mesin e vitit 2012.
Dhe mbi të gjitha, shkalla dhe qasja e fuqisë ajrore ruse ka qenë si një “shi” mbi një qytet që me sukses ia kishte dalë të strehonte kryengritës përgjatë epokave. Shkatërrimi i lindjes së Halepit është tmerrues. Mendoni Hamën në vitin 1982, masakrën e urdhëruar nga babai i ndjerë i Asadit, Hafez al-Assad, që vrau gati 20 mijë njerëz e që ndodhi fshehtaz syrit të botës.
Në këtë kuptim, Halepi është e ndryshëm: vuajtjet kanë qenë në një shfaqje të përhershme në sy të të gjithëve. Ka qenë një agoni kaq e gjatë dhe përgjigja ndërkombëtare kaq e thatë, saqë shumë vëzhgues janë përgjëruar që të marrë fund sa më shpejt të ishte e mundur.
Asad nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të aplikojë rregullin e faljes. Dhe kjo vlen edhe për mbështetësit e tij, që për arsye të ndryshme duken të vendosur të ndjekin këtë fitore pa kushte në të gjithë vendin. Këtu do të nisin që gjërat të bëhen problematike për liderin sirian, që ia detyron praninë e tij në pallatin presidencial, Moskës dhe Teheranit. Të dyja këto fuqi do të duan të marrin një pozicion kryesor në atë që vjen më pas, dhe, ndërsa deri tani e kanë pasur qëllim të përbashkët mbijetesën e Asadit dhe integritetin territorial, faza e ardhshme e konfliktit me gjasa do të provohet të jetë shumë më e sikletshme për t’u naviguar nga ana e Asad.
Irani dëshiron një Siri të pasluftës që të përforcojë Damaskun si një urë kalimi për Hezbollahët – një armë thelbësore e projeksioneve të veta politike e ushtarake ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët iranianë gjithashtu pretendojnë se roli i tyre në fitore, u jep më shumë sesa një mundësi vendimmarrëse në përcaktimin e karakterit kombëtar të Sirisë, ku ata janë investuar menjëherë pas revolucionit islamik të vitit 1979, edhe pse jo në një shkallë të tillë si tani.
Një Rusi e rigjallëruar, gjithashtu, është e sigurtë se do të shfrytëzojë mundësinë. Vladimir Putin i ka fituar vetes mundësinë vendimmarrëse, dhe një bazë në rajonin e pas-Pranverës Arabe përmes së cilës të projektojë influencën ruse. Rusia po e rrit fuqinë e saj në rajon, në kurriz të Shteteve të Bashkuara, ndikimi i së cilës po zbehet. Asnjë nga këto gjasa nuk është një ogur i mirë për ata që vuajnë në cepin e rrënuar të Halepit, apo që presin në Idlib, ku fitimtarët do të mbërrijnë shumë shpejt.
Problemet që nxitën konfliktin mbeten të pazgjidhura krejtësisht. Pakënaqësia e sunive mbetet faktori më i rëndësishëm e ndonjëherë më kryesori. Dhe, pa një proces politik që ta shtrojë për zgjidhje këtë problem, fitorja ushtarake nuk do të ketë shumë domethënie në terma afatgjatë.
Vuajtjet dhe pasiguria po hyjnë në një fazë të re. Pra, ende, asgjë nuk ka mbaruar.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/