Ministrja e Arsimit Besa Shahini njoftoi një pezullim shkollash të hënën për Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin, duke e argumentuar këtë me një jopredispozitë psikologjike të nxënësve, mësuesve dhe prindërve.
“Nga takimet e shumta që kemi patur me qytetarë të afektuar – jo vetem stafi i MASR por edhe kolegët e mi ministra, deputetë, stafet bashkiaket – duket se qytetarët e afektuar nuk janë plotësisht gati emocionalisht që të vijojnë ditën e zakonshme të punës dhe shkollës nesër.
Është plotësisht e mirëkuptueshme që një fatkeqësi natyrore si ajo e djeshmja, të shkaktojë ankth dhe stres tek familjet e afektuara.
Duke e marrë këtë parasysh, si dhe duke dëgjuar me shumë respekt sugjerimet e psiokologëve të ndryshëm që na kanë kontaktuar dje dhe sot, kemi vendosur që:
Dita e nesërme për të gjithe nxënësit e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, TË JETË DITË PUSHIMI!
Ditë pushimi të jetë njëkohësisht edhe për prindërit e nxënësve të shkollave 9-vjecare, të cilët punojnë në administratë shtetërore.
Fatmirësisht, situata ne terren paraqitet drejt normalizimit, por që familjet e afektuara të tejkalojnë ankthin e djeshëm, u pa e arsyeshme që nxënësit e zonave të lartpërmendura bashkë me prindërit e tyre që punojnë në administratë shtetërore, ta kalojnë ditën e nesërme të lirë e të qëndrojnë me njëri-tjetrin”, tha në një deklaratë gruaja në krye të arsimit shqiptar. /tesheshi.com/