Nga Miguel Farias, The Conversation
Meqë meditimi është një proces që mund ta praktikoni në shtëpi falas, ai duket shpesh si ilaçi i përsosur kundër stresit dhe problemeve të shëndetit mendor. Meditimi bazohet tek Budizmi, dhe ka të bëjë me përqendrimin tek të qenit të vetëdijshëm për atë që ndjen dhe mendon në momentin e tanishëm.
Dëshmia e parë e regjistruar për këtë praktikë, e gjetur në Indi, është mbi 1500 vjeçare. “Dharmatrāta”, i shkruar nga një komunitet murgjish budistësh, përshkruan praktika të ndryshme dhe përfshin raporte të simptomave të depresionit dhe ankthit që mund të ndodhin pas meditimit.
Gjatë 8 viteve të fundit ka pasur një rritje të kërkimeve shkencore në këtë fushë. Dhe ato tregojnë se efektet anësore të kësaj praktike nuk janë të rralla. Kështu, një studim i vitit 2022, që përdori një kampion prej 953 personash në SHBA të cilët meditonin rregullisht, tregoi se mbi 10 për qind e pjesëmarrësve përjetuan efekte negative që patën një ndikim të rëndësishëm negativ në jetën e tyre të përditshme dhe që zgjatën për të paktën një muaj.
Sipas një rishikimi të mbi 40 viteve hulumtime, i botuar në vitin 2020, efektet negative më të zakonshme të meditimit janë ankthi dhe depresioni. Këto pasohen nga simptoma psikotike apo delirante, shkëputje nga realiteti, de-personalizim dhe frikë ose tmerr.
Po ashtu, studimet zbuluan se efektet negative mund të ndodhin tek njerëzit pa probleme të mëparshme të shëndetit mendor, tek ata që kanë pasur vetëm një ekspozim të moderuar ndaj meditimit, dhe ato mund të çojnë në simptoma më afatgjata.
Bota perëndimore ka pasur dëshmi të këtyre efekteve negative prej një kohe të gjatë.
Në vitin 1976, eksperti i njohur Arnold Lazarus tha se kur përdoret pa dallim, meditimi mund të shkaktojë “probleme serioze psikiatrike si depresioni, nervozizëm ekstrem dhe madje edhe skizofreni”. Sigurisht, ka edhe prova se meditimi mund të sjellë disa përfitime për mirëqenien psikologjike të njerëzve.
Por problemi është se trajnerët e kësaj praktike, së bashku me videot, aplikacionet dhe librat e tyre, i paralajmërojnë rrallë njerëzit mbi efektet e mundshme negative. Medituesi Ronald Purser shkroi në një libër të disa viteve më parë, se meditimi është shndërruar në një lloj “spiritualizmi kapitalist”.
Vetëm në SHBA, meditimi arkëton mbi 2.2 miliardë dollarë fitime çdo vit. Dhe figurat më të njohura në këtë fushë, duhet të jenë të vetëdijshëm për problemet me meditimin. Kështu, Jon Kabat-Zinn e pranoi në një intervistë të vitit 2017 për The Guardian se “90 për qind e hulumtimeve mbi ndikimet pozitive të meditimit, kanë lënë mënjanë efektet negative”.
Në parathënien e tij mbi një raport mbi meditimin në Britaninë e Madhe në vitin 2015, Jon Kabat-Zinn pretendon se kjo praktikë mund të transformojë “kush jemi ne si qenie njerëzore dhe qytetarë individualë, si komunitete dhe shoqëri, si kombe dhe si specie”.
Por ky lloj entuziazmi mbi fuqinë e meditimit, për të ndryshuar jo vetëm njerëz të veçantë por edhe rrjedhën e njerëzimit, është i zakonshëm në mesin e avokatëve të kësaj praktike. Edhe shumë ateistë dhe agnostikë që e praktikojnë meditimin, besojnë se kjo praktikë ka fuqinë për të rritur paqen dhe empatinë e njerëzve në këtë botë.Por diskutimi mediatik mbi këtë praktikë ka qenë disi i çekuilibruar. Në vitin 2015, libri im i shkruar në bashkautorësi me psikologen Catherine Wikholm “Pilula e Budës”, përfshiu edhe një kapitull që përmblidhte kërkimet e deriatëhershme mbi efektet negative të meditimit. Ai u shpërnda gjerësisht nga media, përfshirë një artikull në New Scientist dhe një dokumentar në BBC Radio 4. Ndërkohë, pati pak mbulim mediatik në vitin 2022 mbi studimin më të shtrenjtë në historinë e shkencës së meditimit (mbi 8 milionë dollarë të dhënë nga shoqata bamirëse kërkimore Wellcome Trust).
Studimi testoi më shumë se 8.000 fëmijë (të moshës 11-14 vjeç) në 84 shkolla në Britaninë e Madhe gjatë viteve 2016-2018. Rezultatet e tij, treguan se meditimi nuk arriti të përmirësonte mirëqenien mendore të fëmijëve në krahasim me një grup kontrolli, që nuk i ishte nënshtruar kësaj terapie.
Madje mund të ketë pasur efekte të dëmshme mbi ata që ishin më të rrezikuar të prekeshin nga probleme të shëndetit mendor. Në këto kushte, a është etike të shiten aplikacione mbi meditimin, t’u mësosh njerëzve këtë praktikë në kurse me pagesë, apo edhe ta përdorësh atë në praktikën klinike, pa i treguar pacientit efektet e saj negative?
Duke pasur parasysh se sa të ndryshme dhe të zakonshme janë këto efekte, përgjigja duhet të jetë jo. E megjithatë, shumë instruktorë të meditimit dhe ndërgjegjësimit, besojnë se këto praktika mund të bëjnë vetëm mirë, dhe nuk e njohin apo pranojnë potencialin e efekteve negative. Rrëfimi më i zakonshëm që dëgjoj nga njerëzit që kanë vuajtur nga efektet negative të meditimit, është se mësuesit e tyre nuk i besojnë. Kur ankohen, zakonisht u thuhet të vazhdojnë të meditojnë dhe problemet do të largohen. Ndërkohë, ekziston një problem më i gjerë në lidhje me faktin që meditimi merret me gjendje të pazakonta të vetëdijes, dhe ne nuk kemi ende teori psikologjike të mendjes që të na ndihmojnë t’i kuptojmë këto gjendje.
Megjithatë, ka burime që njerëzit mund t’i përdorin për të mësuar rreth këtyre efekteve negative. Këtu përfshihen faqet e internetit të prodhuara nga meditues që kanë përjetuar efekte negative serioze, por edhe manuale akademike me seksione të veçanta për këtë çështje.
Në SHBA ekziston një shërbim klinik, i cili merret me njerëzit që kanë përjetuar probleme akute dhe afatgjata, të udhëhequr nga një studiues i meditimit. Tani për tani, nëse meditimi do të përdoret si një mjet mirëqenieje apo terapeutik, publiku duhet të informohet mirë paraprakisht për potencialin e tij dëmtues.
Shënim: Miguel Farias, profesor i asociuar në Psikologjinë Eksperimentale në Universitetin e Koventrit në Britaninë e Madhe.