Organizata ndërkombëtare “Amnesty International”, ka publikuar raportin e saj vjetor, ku thekson se në Shqipëri, vijon të ketë një sërë problematikash sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut, ku më kryesorja është fenomeni i dhunës në familje duke thkesuar se të mbijetuarit kësaj dhune rrallë mbrohen nga drejtësia. Sipas “Amnesty International”, në Shqipëri vijon mosndëshkimi në rastet e torturës dhe keqtrajtimit në familje.
Në vëmendjen e raportit është edhe zhdukja në vitin 1995 e shqiptarit Remzi Hoxha, si dhe mos gjetja ende e trupit të tij, pavarësisht premtimit të kryeministrit Rama se ngjarja do të zbardhet dhe autorët do të dalin para drejtësisë. Raporti ndalet edhe në tragjedinë e 21 janarit dhe vrasjes së Aleks Nikës, ku nënvizon se edhe pse kanë kaluar tashmë 4 vjet, hetimet vazhdojnë ndërsa për këtë rast janë vënë nën akuzë edhe ish-drejtori i Policisë Hysni Burgaj dhe zëvendësi i tij Agron Kuliçaj.
Një tjetër problem sipas raportit në fjalë është edhe strehimi dhe ndihma për njerëzit e pastrehë dhe që jetojnë në varfëri, kryesisht komuniteti rom. Sipas raportit, strehimi i përshtatshëm për këtë kategori njerëzish mbetet shumë i kufizuar përkundër zotimeve të qeverisë.
Remzi Hoxha
Amnesty Internatinal ndalet edhe tek zhdukja e trupit të Remzi Hoxhës, shqiptaro-maqedonasit të zhdukur në vitin 1995, duke e cilësuar këtë si një rast flagrant mos gjetjen e trupit të tij, pavarësisht premtimit të Kryeministrit.
“Vendndodhja e trupit të Remzi Hoxhës, një shqiptar etnik nga Maqedonia i cili u zhduk me forcë në vitin 1995 nga agjentët e sigurimit shtetëror, nuk iu tregua të birit, pavarësisht nga deklaratat e kryeministrit në vitin 2013 se vendndodhja e varrit të tij do të identifikohet.” thekson Amnesty International
21 Janari
Raporti risjell në vëmendje edhe tragjedinë e 21 janarit, si dhe rastin e vrasjes së një prej demonstruesve, Aleks Nikës. Sipas “AI”, rasti i vrasjes së Nikës është në hetim nga Prokurorët, ndërsa për mos arrestimin e 6 oficerëve të Gardës së Republikës, organi i akuzës ka ngritur akuza edhe kundër ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Hysni Burgaj dhe zëvendësit Agron Kuliçaj.
“Prokurorët shqyrtuan rastin e Aleks Nikës, një demonstrues i cili vdiq pasi u qëllua gjatë demonstratave kundër qeverisë në janar të vitit 2011 në Tiranë. Në muajin maj, oficerët e policisë të cilët dyshoheshin për keqtrajtimin e disa demonstruesve gjatë dhe pas protestave, u morën në pyetje.
Në korrik, prokurori shtetëror ngriti akuza kundër ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së dhe zëvendësit të tij për dështimin e arrestimit të gjashtë oficerëve të Gardës së Republikës të dyshuar së kanë shtënë kundër demonstruesve.” theksohet në raport
Dhuna në familje
“Amnesty International” nënvizon se në vendin tonë deri në fund të muajit shtator, 3 mijë e 94 raste të dhunës në familje janë raportuar në polici, ku gratë ishin viktima në shumicën dërmuese. Por vetëm një e treta e rasteve (rreth 1 mije e 200) iu nënshtruan procedurave penale.
Siç thuhet në raport, nga këta 3 mijë e 94 raste, rreth 1 882 gra në Tiranë kanë kërkuar masa mbrojtëse në procedura civile, por në Gjykatën e Qarkut në Tiranë, më shumë e dy të tretat e kërkesave janë tërhequr apo ndërprerë. Ndërsa në rastet kur janë lëshuar urdhrat e mbrojtjes, shpesh nuk janë zbatuar.
“Në qershor Këshilli i Lartë i Drejtësisë publikoi një përmbledhje të rasteve të dhunës në familje nga 38 gjykata dhe ndryshimet e rekomanduara në ligjin dhe praktikën gjyqësore. Ai gjeti se procedurat penale ishin të ngadalshme dhe gjykatat shkelnin afatet procedurale shqyrtimin e urdhrave të mbrojtjes dhe dhënien e vendimeve”.
Komuniteti rom
Sa i përket strehimit të komunitetit rom, raporti shprehet se në muajin shkurt, Ministria paraqiti një strategji të re të strehimit për të përfshirë romët dhe egjiptasit, për të nxitur legalizimin e strehimeve joformale dhe për të përmirësuar qasjen në ujë të pijshëm dhe kanalizime.
Në raport flitet edhe për rastin e mbi 50 familjeve rome, të dëbuara nga Rruga e Kavajës në Tiranë, dhe ku u vendosën në Shishtufinë në tetor të vitit 2013. Por sipas raportit, kushtet në qendër, që ndodhet larg burimeve të punësimit dhe shërbimeve elementare, ishin të papërshtatshme dhe nuk ishin në pajtim me standardet ndërkombëtare të strehimit. Po ashtu theksohet edhe protesta e rreth 100 familjeve rome të rrezikuara për t’u dëbuar nga Selita në Tiranë, në ditën ndërkombëtare të Romëve në muajin prill.
Lidhur me të njëjtin problem, Amnesty International ndalet edhe tek peticioni i nënshkruar nga 6 mijë romë dhe egjiptianë, që bënte thirrje për mbrojtje procedurale kundër dëbimit të detyruar dhe strehim të përshtatshëm alternativ.
“Qeveria dështoi të garantojë të drejtën ligjore të jetimëve të pastrehë për përparësi në strehimin social. Në muajin maj në ditën kombëtare të jetimëve, ata protestuan duke kërkuar qasje në arsim dhe strehim dhe duke e cilësuar tallëse mbështetjen sociale të siguruar nga shteti”.
Dëmshpërblimet e ish-të përndjekurve
Edhe greva e urisë së ish-të përndjekurve është pjesë e raportit vjetor, ku sipas “AI” qeveria ka dështuar të kompensojë këtë shtresë të popullsisë.
“Ish të burgosurit politik organizuan një grevë urie për shkak të dështimit të qeverisë për kompensimin e drejtë për burgosjen e tyre nga qeveria komuniste ndërmjet viteve 1944 – 1991, kur mijëra veta ishin burgosur apo dërguar në kampe të punës ku u ishin nënshtruar torturave dhe keqtrajtimeve” .
Azilantët
Sakaq, menaxhimi i kufirit dhe klandestinëve të shumtë të kapur në vendin tonë, janë pjesë e raportit, ku sipas tij, nën trysnin e BE-së, mbi 500 emigrantë të paligjshëm janë arrestuar në 6 muajt e parë të vitit 2014. Por nga ana tjetër, rreth 12 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil politik në vendet e BE
“Nën trysninë e Bashkimit Evropian, Shqipëria zhvilloi një strategji të re të menaxhimit të kufirit. Mbi 500 migrues të paligjshëm dhe refugjatë, përfshirë sirianët, janë arrestuar në periudhën ndërmjet janarit dhe qershorit. Të tjerë janë kthyer në Greqi pa qasje në procesin e strehimit. Deri në fund të muajit shtator, mbi 12 mijë shqiptarë kanë paraqitur kërkesa për strehim në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke paraqitur si shkak dhunën familjare dhe diskriminimin ndaj komunitetit LGBT dhe romëve”.