Dan Koski, përfaqësues i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, njeriu që thuhet se ka patur një përplasje të ashpër me presidentin Meta, duke u përmendur në disa raste dhe më ironi nga ky i fundit, tha se jo të gjithë zyrtarët në Shqipëri “ndajnë qëllimet tona për të përmirësuar zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë”.
Për më tepër, ai përcolli një deklaratë e cila u duk si kërcënim për kastën politike në Shqipëri, kur tha “për zyrtarët e korruptuar, ndryshimi që ne po sjellim është një lajm i keq”, duke iu referuar krijimit të SPAK-ut, finales së Reformës në Drejtësi.
Duke folur në një aktkivitet mbi Projektin për Planifikimin dhe Qeverinë Vendore të USAID/Albania, Koski tha: “Është si rëra në ingranazhe, e cila shumë shpejt do bëjë që aktivitetet e tyre korruptive të ndalen. Ne e dimë se ata do të luftojnë dhe do të përpiqen në çdo moment të bllokojnë përpjekjet tuaja për të çuar përpara këto qëllime të rëndësishme.
Mos u stepni. Mos u shkurajoni.
Vazhdoni të qëndroni në këmbë dhe të luftoni për reformat që do të forcojnë shoqërinë shqiptare për ju dhe brezat e ardhshëm. Ju besoni që në horizont është një e ardhme më e ndritur për Shqipërinë. Të njëjtën gjë mendojmë edhe ne, dhe do ta vijojmë këtë rrugëtim së bashku me ju”.
Siç mund të vihet re, aludimi qe i qartë. Deklarimet e zyrtarit të lartë amerikan në Tiranë shkojnë për emra që ndërkombëtarët i kanë afirmuar si pengues të Reformës në Drejtësi. Meta është njëri prej tyre. /tesheshi.com/