Pas themelimit të Partisë Demokratike në vitin 1990, vijuan të dalin dhe shumë forca politike. Edhe pse qartazi nuk i qëndronin kohës, lista e tyre sa vinte e shtohej. Si dhe sot.
Ishin parti fantazma që gjatë vitit humbnin në mungëtirën e harresës, e më pas papritur dukeshin gjatë zgjedhjeve, ku gëlonin duke marrë vota tribale e lidhur kontrata me të mëdhenjtë; duke marrë drejtori e zyra të rëndësishme në administratën shtetërore.
Edhe pse nuk merrnin deputetë, ku kandidonin gjithë fisin e krushqinë, siç u pa një muaj më parë nga këto fantazma, sërish këto parti mbijetuan duke marrë lekë e shërbyer si zyra vizash, emigracioni, apo punësimi.
Ky fenomen, në vitin 2005 mori emrin “Xhuvelizëm” si pasojë e kalimit të Lufter Xhuvelit të Partisë Agrare, nga i zgjedhur në aleancë me PS-në, në koalicion me Partinë Demokratike, ku një pjesë e deputetëve të saj u shpërndanë nëpër të gjithë grupet parlamentare në Kuvend.
Por përveç pjesës së “ulët” të piacës politike, edhe në “elitën” e saj, skena politike shqiptare që nga viti 1990 ka shërbyer me politikanë që sido që të ndryshojë harta politike e vendit, qëndrojnë gjithmonë në pushtet.
Dhe skena jonë është e mbushur me figura emblematike që u kthyen në ambulantët e pushtetit.
Arben Imami përshembull, i cili u shqetësua shumë që nuk u kandidua si deputet dhe paralajmëroi largimin e Lulzim Bashës. U zgjodh deputet me Partinë Demokratike më 22 mars të vitit 1992, ku humbi garën e brendshme me të ndjerin Pjetër Arbnori për kryetar Kuvendi.
Pas një mocioni në qershor të 1992, Imami u largua nga PD dhe krijoi Aleancën Demokratike. Në vitin 1997, kur PS-ja erdhi në pushtet, Arben Imami u emërua ministër në dy legjislatura: i i Reformës Institucionale dhe më pas ministër i Drejtësisë.
Kur Fatos Nano e largoi nga ministër, duke e zëvendësuar me Fatmir Xhafën, Imami shkoi menjëherë tek Berisha ku shpalli rikthimin në Partinë Demokratike. Mandatin e parë të PD-së ishte shefi i kabinetit të Kryeministrit, ndërsa mandatin e dytë u zgjodh ministër i Mbrojtjes, ku natyrisht u zgjodh edhe deputet në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2013.
Preç Zogaj është një tjetër dëshmi e xhuvelizmit apo e kthimit të xhaketës sipas stinës së pushtetit. Nga ministër i PD-së në vitin 1991, ai kaloi në opozitë me PD-në dhe më pas në vitin 1997 u emërua Këshilltar Politik me fuqi të plota i Presidentit të Republikës, Rexhep Meidani.
Bëhet për pak kohë në vitin 2000 ministër i Ilir Metës, e më pas largohet dhe zgjidhet deputet falë “Dushkut” në 2001-shin. Por i pakënaqur nga pushteti kalon menjëherë me Partinë Demokratike, e cila në vitin 2005 e kandidon në Lezhë, ku zgjidhet deputet.
Katër vjet më pas, në vitin 2009 largohet nga PD-ja, për shkak të pozitës jo-fituese në listë, për t’u bashkuar me opozitën e Edi Ramës. Në vitin 2013 i bashkohet sërish PD-së, pasi nuk u kandidua si deputet dhe nuk u bë pjesë e pushtetit.
Në 4 vjet, Zogaj u kthye në sulmuesin permanent të Edi Ramës dhe u bë këshilltari primar i Lulzim Bashës; dhe shpërblimi erdhi: më 25 qershor Preçi kandidon për Partinë Demokratike në qarkun e Lezhës.
Genc Pollo, deputeti dhe ish-ministri i Partisë Demokratike, u largua nga PD-ja në vitin 2000 dhe me ndhmën e qeverisë së atëhershme të Ilir Metës fuqizoi partinë e tij PDr, duke krijuar një grup parlamentar që ndihmoi socialistët sa herë këta ishin në hall për votat në Kuvend.
Pollo krijoi kështu një pol pushteti shantazhues, që e detyroi Sali Berishën që ta afronte drejt PD-së duke i dhënë një nga dikasteret më të fuqishme të qeverisë, Ministrinë e Arsimit.
Ndërsa në mandatin e dytë të PD-së mori dikasterin e Inovacionit që menaxhoi tenderët e majmë të kontratave të internettit dhe të dixhitalizimit të RTSH-së. U zgjodh deputet edhe në vitin 2013, ndërsa tani ndodhet në listë fituese në qarkun e Beratit.
Nard Ndoka, i futur në politike nga Partia Demokratike, ku zhvilloi një betejë të fuqishme në PD-në e Shkodrës, arriti të zgjidhej kryetar i bashkisë së Vaut të Dejës, përkundër vullnetit të zyrtarëve të kësaj partie, dhe më pas në vitin 1997 arriti të zgjidhej deputet në zonën ku drejtoi pushtetin lokal.
U bashkua me PDr-në e Pollos, ku arriti të sjellë edhe prurje të tij, që çimentoi edhe simbolikën më të bujshme të katapultimit në politikë: shoferin e tij e bëri deputet. Në vitin 2004 i bleu Nikollë Lesit Partinë Demokristiane, që ky i fundit ia kishte blerë Zef Bushatit.
Në vitin 2006, me ndihmën e Tom Doshit, i cili kaloi nga Partia Socialiste tek Partia Demokristiane, arriti t’i imponohet Sali Berishës pasi krijoi në parlament një grup prej 8 deputetësh, që të merrte Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët e mbushi me “demokristianë” që erdhën grupe grupe nga partitë e vogla si bletët që shkojnë drejt kosheres së mjaltit.
Në vitin 2009, Nard Ndoka garoi në një pol qendre së bashku me Dash Shehin, por që nuk arrit të futej në Parlament.
U bë pjesë e opozitës së bashkuar të Edi Ramës, por që përpara zgjedhjeve të vitit 2013, iu afrua Sali Berishës, i cili i gjendur në vështirësi për shkak të bjerrjes së pushtetit, e futi Nard Ndokën në listat e sigurta të Partisë Demokratike. Të njëjtin pozicion e siguroi dhe në zgjedhjet e 25 qershorit.
Agron Duka i hyri politikës si i pavarur në vitin 2000, i ardhur nga një pol i rëndësishëm i biznesit në Durrës. Së bashku me Kokajt, me të cilit kishin lidhje krushqie, të ftuar nga Fatos Nano, ky lob, të cilin Sali Berisha e etiketoi si “Klani i Zemunit”, vazhdon të jetë shumë i fuqishëm në zonën e Durrësit.
Vetë Agron Duka, nga Prefekt i Durrësit u zgjodh deputet nga PS-ja në vitin 2001, e më pas Ministër i Bujqësisë.
Në vitin 2005 humbi në një betejë epike me Sokol Olldashin në Shijak, por pas një qëndrimi në PS për 8 vjet, iu bashkua Partisë Republikane të Fatmir Mediut, ku arriti të dalë deputet në qarkun e Durrësit.
Në vitin 2015 i mori Lufter Xhuvelit partinë dhe u bë kryetar i Agraro-Ambianalistëve, me një plan fillestar për të garuar si parti më vete, por që si pasojë e lojës me çadrën për të rrëzuar Edi Ramën, mbeti në listat e PD-së, duke u vendosur në listën e Tiranës por jo plotësisht i sigurtë.
Por ka edhe më lart.
Ilir Meta, Presidenti i zgjedhur dhe themeluesi i LSI-së, është në një farë mënyre simboli i një pushteti shëtitës, sa tek Partia Demokratike te Partia Socialiste.
E lindur si parti e majtë, LSI deri në vitin 2009 e zëvendësoi “Xhuvelizmin” me emrin e partisë që u krijua si një fraksion parimor i së majtës. Hyrja e Ilir Metës në qeveri me Sali Berishën prodhoi hemorragjinë më të madhe nga LSI, ku u larguan në masë të gjithë intelektualët themelues dhe të gjithë pritnin rënien e saj.
Por çuditërisht LSI-ja u rrit ndjeshëm, pasi diti ta kthejë votën ndaj saj si një mundësi, apo siç i pëlqen Ilir Metës ta quajë, “një shans për të gjithë”. LSI u bë partia që zgjidh halle, mbyll probleme, punëson, jep provime për ata që s’janë përgatitur dhe diploma për ata që donin ta bënin këtë nëpër universitetet private që u mbyllën në 2013-n nga qeveria e Edi Ramës.
Siç e thotë edhe refreni i një kënge të Ylli Bakës: “Kush i zgjidh hallet e mija? Ilir Meta LSI-ja!” Lëvizja Socaliste për Integrim u kthye në një providencë tokësore që ndryshe nga i Plotfuqishmi Krijues, zgjidhte problemet e vogla famjljare. Dhe që nga viti 2011, kjo parti arriti të marrë jo thjesht vota individuale, por seksione të tëra nga PD-ja te PS-ja, pra struktura që nuk u përfillën nga partitë e tyre që lëviznin drejt LSI-së.
Kjo nuk ndodhi vetëm poshtë, por edhe lart në Parlament, ku deputetë të ndryshëm kaluan nga Partia Republikane, Partia Demokratike drejt LSI-së që në vitin 2013 erdhi në pushtet me Edi Ramën, pas një marrëveshje të “akaparuar” që përpara për të kontrolluar rreth 40% të pushtetit në vend.
Drejtori, inspektorate, kompani shtetërore që ndanin pushtetin sipas një plani të mirëpërcaktuar që dirigjohej nga sekretarja e Ilir Metës, e që është realisht personi më i rëndësishëm në LSI, e cila kontrollon database-n e potencialit elektoral që duhet të shpërndahet drejt pushtetit.
LSI realisht nuk shpërbleu militantët e besuar të saj, por njerëzit që kishin ardhur si pasojë e një marrëdhënie klienteliste.
Shumë anëtarë dhe drejtues organizatash të partisë së Metës, ende kafshojnë gjuhën që nuk arritën të takonin atë apo Kryemadhin për të qarë hallin, por shikonin sesi njerëz që LSI-në e kishin autobus shpërbleheshin me pushtet.
Por LSI natyrisht nuk është e vetmja.
Shpëtim Idrizi i PDIU-së. Ky i fundi e nisi karrierën politike aspak si çam, po si mik i Nanos, duke u katapultuar fillimisht drejtor Doganash. Në 2009 u zgjodh deputet i PS-së në Vlorë, por i mbetur pa pushtet, e thirri gjaku i të parëve dhe u “konvertua” në nacionalist në funksion të kauzës çame. Me këtë status të ri iu afrua pushtetit Berisha – Meta duke marrë ca llomka jo të vogla drejtorish. Prej vitesh, aty ecet me slloganin e famshëm të Idrizit, “çam nuk lind po bëhesh”, një pragmatizëm i kulluar.
PDIU nisi të depërtojë jo vetëm në vendbanimet e njohura të çamëve por edhe në zona si Dibra, ku spostoi edhe LSI-në si pol pushteti, duke i garantuar PS-së fitoren në zgjedhjet e vështira lokale të pjesshme të vitit të shkuar.
Me kontrollin e disa drejtorive si ajo e ISSH-së dhe ISKSH-së, PDIU punësoi në të gjithë vendin militantë partnerë me simbiozën e rritjes nëpërmjet pushtetit.
Dhe me Kastriot Islamin, tregëtarët shëtitës të pushtetit bënë “qershinë mbi tortë” që e kthyen edhe pragmatizmin politik në njëpazar të nivelit më të ulët. Kaç Islami, njeriu që kishte qenë me PS-në që nga kryetar Kuvendi e disa herë ministër, në 2009 kaloi me PD-në duke mbajtur Sali Berishën-kryeministër dhe u zgjodh deputet në listat e PD-së. Por që tani duket se është larguar fare nga politika. Prej javësh, që pas marrëveshjes Rama – Basha, zëri i tij analitik nuk është ndjerë më. Dhe ndoshta nuk do të ndihet.
Sakaq, në këtë lukuni pushtetarësh ambulantë, po paraqiten edhe të ashtuquajturit e rinj, si Ben Blushi që ka ngritur “LIBRA”-n e tij si një formacion të ri, por që është mbushur me politikanë të ardhur nga PS-ja ku kanë punuar në dogana, tatime e administratë gjatë qeverisjes së Fatos Nanos.
E mbani mend Marko Bellon, ish-ministrin e Jashtëm 3-ditor të Fatos Nanos dhe ministrin e Integrimit?
Pas u zgjodh për dy mandate si deputet i PS-së, sot është një udhëheqës i Partisë Agrare të Agron Dukës dhe normalisht merr pjesë në opozitën e drejtuar nga Partia Demokratike.
Edhe Gjergj Bojaxhiu, vjen nga një eksperiencë pushteti në PD, por që realisht mesazhi që përcjell është dukshëm më i qetë dhe më i ekuilibruar.
Në vite e vite, partitë e ashtuquajtura të vogla krijuan në armatë të madhe zyrtarësh që ushqimiin më të madh e merrnin nga zgjedhjet lokale dhe me pushtetin e vjetër me mbi 400 komuna shërbenin si ushqim votash për të mëdhenjtë në zgjedhjet parlamentare, por që në votimet për pushtetin vendor shndërroheshin papritur edhe në parti të para e të dyta në nivel komune, duke mbajtur në këmbë një mekanizëm që u rrëzua si kështjellë rëre me reformën administrive që reduktoi njësitë vendore në 61 bashki për të gjithë vendin.
Ndërsa pakti Rama-Basha dhe eleminimi i koalicioneve duket ka krijuar një premisë finale për rikonfigurimin nga e para të skenës politike, që duket nuk do të jetë më e njëjtë. Të paktën në letër…Por duhet pritur 25 qershori. /tesheshi.com/