Hellmut Hoffmann, ishte ndër ata ambasadorë të perëndimit në Shqipëri që do të mbahet mend për protagonizmin e tij, hëre më dorashka e herë fare pa to. I ra për pjesë që të qe ndër shqiptare në një kohë të trazuar për këta të fundit dhe bëri ccmos për nxënien e politikës me gjuhën dhe veprimin e duhur. Pak para largimit të tij nga Shqipëria, ai foli në “Shih programin” te gazetarit Enkel Demi, duke lajmëruar njëherësh ardhjen së shpejti në Tiranë shefit të diplomacisë së Berlinit, Frank-Walter Steinmeier…
Mirëmbrëma zoti ambasador dhe mirë se erdhët në studio…
Mirë se ju gjeta dhe faleminderit për ftesën. Kjo është intervista ime e fundit televizive si ambasador gjerman në Tiranë dhe vendosa me vetëdije që ta japë në Radio Televizionin Publik Shqiptar, pasi jam simpatizant i tij.
Falë Zotit që është një diplomat i huaj simpatizant i tij, sepse përfaqësuesit e politikës shqiptare nuk duket se kanë të njëjtën qasje…
Unë mund të them se është vërtetë e rëndësishme që të mbështetet RTSH. Ne kemi një eksperiencë shumë të mirë me ARF dhe ZDF në Gjermani.
Pas tre vjetësh si kryediplomati gjerman në vendin tonë a ju vjen keq që po ikni nga Shqipëria?
Në fakt kam ndjesi të përziera në momentin e largimit. Jam ndier mjaft mirë këtu. Unë dhe bashkëshortja ime kemi kaluar shumë mirë këtu. Po lëmë pas shokë dhe miq, me të cilët kemi kaluar mjaft mirë këtu. Por, nga ana tjetër unë shkoj dhe me ndjesi mjaft të mira se kam përshtypjen se kam bërë një punë të mirë.
Unë kam qenë me pushime në Gjermani dhe Bavaria është një ndër gjërat më të bukura që kam parë në jetë. Pas një jave u bëra nostalgjik për të. Juve jeni nostalgjik për Shqipërinë tani që po ikni?
Sigurisht që jam. Duhet t’ju them që nuk kemi patur ide të sakta për Shqipërinë fillimisht, kur erdhëm këtu. Pas mbërritjes pamë sesa të sjellshëm dhe miqësorë janë njerëzit, aq më shumë me gjermanët. Tirana të ofron shumë aktivitete kulturore, hahet mirë, pushohet mirë, ndaj largimi na dhëmb disi.
Ju kam parë shpesh në Tiranë me blu xhinse, i pashoqëruar. Kjo tregon se ju e njihni mirë qytetin?
Në jetën time private vishem shpesh sportiv. Shpesh dalim me time shoqe dhe më duhet të them se kemi qenë të impresionuar me zhvillimet urbane. Duhet të them se zhvillimet e 2-3 viteve të fundit në këtë aspekt kanë qenë shumë pozitive. Shumë vende janë përmirësuar mjaft dhe shpresoj që kjo të vazhdojë.
Por, nga ana tjetër gjatë viteve që ju keni qenë këtu, ne kemi qenë në krizë politike. A ka qenë mision i vështirë Tirana?
Unë do të thoja që ky mision nuk ka qenë i vështirë, por kërkues. Nuk ka qenë i vështirë, sepse për diplomatët këtu është mjaft e lehtë të vihesh në kontakt me personalitetet drejtuese të vendit. Nuk ka qenë i vështirë, sepse njerëzit janë shumë pozitiv dhe në mënyrë të veçantë pozitiv ndaj Gjermanisë dhe gjermanëve. Por, ka qenë tepër kërkues, sepse Shqipëria kërkon që të shkojë në Bashkimin Europian dhe pikërisht në këtë pikë neve na duhet të krijojmë një pamje të situatave dhe gjërave që ndodhin këtu, sepse na duhet të raportojmë. Edhe kjo nuk është shumë e thjeshtë. Këtu ekziston një klimë tejet e politizuar politike dhe forca politike që janë të vendosura në mënyrë tejet mësymëse kundrejt njëra-tjetrës dhe është tejet e vështirë që të dallosh midis pretendimeve dhe realitetit, e kjo në mënyrë të veçantë, kur flitet për reformat. Në këtë pikë është e vështirë të kuptosh se cili është pretendimi dhe cili është progresi real.
Kam përshtypjen se vitet e fundit janë shtuar në mënyrë të ndjeshme të rinjtë që flasin gjermanisht, por ku është e pranishme Gjermania në Shqipëri? Cilat janë investimet e saj këtu? Roli në ekonomi, politikë apo dhe kulturë?
Përsa i përket nivelit të pranisë së investitorëve gjermanë këtu duhet të pranojmë se ka dy nivele. E para, ne zhvillojmë projekte ekonomike midis qeverive tona, pra projekte bilaterale që Gjermania zhvillon me qeverinë shqiptare. Gjermania është donatori më i madh në nivel bilateral në këtë aspekt. Jemi të pranishëm nëpërmjet KFW dhe GIZ. Mbështetja është në disa fusha të ekonomisë, por edhe në arsimin profesional. Jemi aktivë dhe në sektorë të tjerë përmes mbështetjes së dhënë nga fondacione politike të pranishme në Shqipëri. Çdo vit këtu organizohen dhe aktivitete të shumta kulturore në kuadër të “Tetorit gjerman”. Së fundi dua të shtoj se në Shqipëri ka edhe shumë organizata joqeveritare gjermane që ushtrojnë aktivitetin këtu dhe që bëjnë një punë mjaft të mirë në drejtim të ndihmës ndaj shtresave të varfëra. Niveli i dytë ka lidhje me investimet e ekonomise private gjermane. Këtu më duhet të them se mund të kishte dhe më shumë dhe se ka hapësirë për përmirësim të mëtejshëm në këtë drejtim, por ka aktivitete sikurse është Aeroporti që ishte një investim mjaft i rëndësishëm, Deutsche Telekom, Tirana Business Park e të tjerë dhe përveç këtyre ka dhe biznese të angazhuar në fushën e tekstileve apo kabllove. Duke folur për këtë kemi mbërritur në një pikë mjaft të rëndësishme për mua siç është ndërtimi i shtetit ligjor, ndaj dhe reforma në drejtësi për mua është shumë e rëndësishme edhe për të përmirësuar këtë aspekt.
Kemi ditë të tëra që flasim për reformën në drejtësi, por atmosfera e krijuar është një atmosferë trysnie. Sipas jush pse politikanët shqiptarë e kanë kaq të ulët ndjenjën e besimit të ndërsjelltë?
Është një pyetje jo shumë e thjeshtë për t’u përgjigjur. Fillimisht përshendes faktin që Rama dhe Basha takohen, pasi reforma në sistemin e drejtësisë ka rëndësi maksimale mes gjitha reformave. Një sistem drejtësie që funksionon keq, që është i ngarkuar me probleme korrupsioni, është një pengesë mjaft e madhe për investimet e huaja. Por, është mjaft e rëndësishme edhe për vetë qytetarët që duhet të kenë besim tek sistemi i drejtësisë. Pse politikanët e kanë të vështirë të besojnë tek njëri-tjetri? Mund të spekulloj me përgjigjen që mund të jap nëse them se ndoshta lidhet me diktaturën që zgjati gjysëm shekulli dhe ku kundërshtari politik më së shumti është parë si armiku kryesor. Shpresoj shumë që kjo të kuptohet dhe të arrihet në mënyrë graduale dhe në përmirësimin e kulturës politike.
Nga Gjermania vjen një shembull si ai Shrëder – Merkel. Këtë shembull e keni referuar ndonjëherë në bisedat tuaja me politikanët tanë?
Ndoshta duhet marrë një shembull edhe më aktual. Pas zgjedhjeve të fundit në Gjermani situata nuk ishte e lehtë, pasi nga ana matematikore kishte mundësi për ndërtimin e qeverisë vetëm falë një koalicioni të madh. Palët e kuptuan se përkundër mosdëshirës së tyre për të bashkëqeverisur kjo ishte rrugëzgjidhja e vetme në situatën e krijuar dhe sot ato bashkëpunojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë besoj se ky është një shembull shumë i mirë frymëzimi. Nuk them që të krijohen koalicione të tilla, por duhet gjetur një bazë e përbashkët për të mirën e vendit. Jo çdo gjë që bën qeveria duhet të sulmohet dhe nga ana tjetër edhe qeveria mund ta njohë që X propozim i opozitës është i mirë. Për shembull unë mendoj se nuk ka qenë gabim ligji i dekriminalizmit, sepse është një ligj, i cili kontribuon në normalizimin e raporteve politike.
Kur shkon në Gjermani dhe hyn në një zyrë shtetërore, sheh një modesti të jashtëzakonshme, ndërsa këtu dëgjon për njerëz që shpenzojnë miliona për të rregulluar zyra dhe për të blerë makina. Unë nuk e di si i keni ambientet në ambasadë, por a ju bën përshtypje gjithë ky salltanet i madh si në zyrat e opozitës apo dhe në ato të pushtetit?
Është e saktë kjo që thatë që ne duam modestinë. Parimi në fakt mua më duket i drejtë, sepse në 50 vjet në Shqipëri janë bërë jo pak gjëra gabim në pikëpamjet estetike dhe nuk flas për zyrat, por edhe pamjet në qytet. Estetikisht shumë gjëra kanë ndryshuar, por kjo duhet bërë me masë. Jo në çdo rrugë duhen mbjedhur palma për shembull. Njerëzve duhet t’i tregohet se gjërat mund të përmirësohen dhe kjo mua më duket diçka e mirë krahasuar me atë që dekadat e fundit nuk është arritur të bëhet. E shikoj më së shumti si një zhvillim pozitiv. Megjithatë unë mendoj që është në dorën e vullnetit të politikës që të kujdesen për mos vënë si kandidat ata persona që dihet mjaft mirë që janë figura dhe karaktere problematike. Pra, është një çështje e higjenës politike. Por nëse kjo ndodh atëherë duhet të vendosen dhe rregulla mjaft të mirëpërcaktuara si çështja e dëshmive të penalitetit e gjëra si këto. Por në rastet individuale, është shumë e vështirë që të dallohet një rast nga një tjetër. Jemi në një moment, kur të gjithë bëjnë akuza. Njëri i thotë tjetrit ti ke lidhje me baronët e drogës, tjetri akuzon palën kundërshtare se ka lidhje me korruptive. Këto janë monedhat e përditshme të komunikimit dhe të krijosh transparencë në këtë komunikim është sfida jonë e përditshme.
Zoti ambasador, ne e thamë që shqiptarët e konsiderojnë Gjermaninë si një tokë të premtuar. Kam përshtypjen se shqiptarët e shikojnë Gjermaninë si europianët Amerikën. Prej kohësh marr të paktën 2-3 emaile në javë për orare riatdhesimesh. Një pjesë e madhe e tyre që vijnë tek ju nuk janëe më të varfërit, por sepse nuk kanë shpresë për të jetuar në Shqipëri. Si zgjidhet halli i këtyre njerëzve?
Në fakt në atë që ju thatë tani ka shumë pika. E para, është popullariteti i madh që ka Gjermania në Shqipëri. Për mua është kënaqësi dhe sikurse e përmenda e ka lehtësuar dashamirësia e shqiptarëve punën time si ambasador. Por, është e vërtetë se azilkërkuesit na kanë shkaktuar jo pak dhimbje koke. Nisi si problem rreth vitit 2013 për të arritur kulmin në 2015, ku diku tek 55 mijë shqiptarë patën kërkuar azil. Unë personalisht kam deklaruar shumë herë se nuk ka azil ekonomik në Gjermani. Unë e kuptoj këtë, por megjithë mirëqenien ekonomike atje është e pamundur që të pranohen të gjithë njerëzit që kërkojnë një jetë më të mirë. Pra, kështu është dhe e qartë zgjidhja e këtij problemi. Të tëra procedurat e azilkërkimit u refuzuan, në disa raste zgjati pak më gjatë. Por, pse largohen shqiptarët që këtu? Kjo është një pyetje mjaft e mirë. Sepse është po aq e vërtetë që mes azilkërkuesve kishte jo vetëm njërëz të varfër, por edhe njerëz që kanë patur punë të mirë. Shqiptarët kanë ikur shumë gjatë 25 viteve të fundit, por kjo ikja e fundit pati karakteristikat e një histerie të masave: kur shikoj që po ikin të gjithë po e provoj edhe unë. Shpresoj shumë që kjo të ketë marrë fund dhe në këtë kontekst për mua është një kënaqësi të konstatoj që Gjermania ka bërë një hap të madh dhe pozitiv për qytetarët shqiptarë dhe ata të Ballkanit Perëndimor tani që është bërë e mundur për të shkuar dhe për të punuar në Gjermani në mënyrë ligjore pa një kualifikim specifik. Për këtë qëllim e rëndësishme është që njerëzit të kuptojnë se i duhet një kontratë pune dhe një vizë. Nëse duan të punojnë në Gjermani duhet të vijnë në ambasadën gjermane të aplikojnë për këtë vizë duke parashtruar një kontratë të ligjshme të punës.
Të flasim për anën tjetër të medaljes, për njerëzit me kualifikim që vijnë për të punuar. A jeni të kënaqur nga niveli i përgatitjes së tyre?
Unë mund t’ju them se shumëkush që ka punuar me shqiptarët është shumë i kënaqur, pasi përgjithësisht ata që kanë shkuar janë njerëz të zellshëm, punëtorë që duan të krijojnë diçka në jetët e tyre. Problemi nuk janë këta njerëz, problem është sesi shkohet në Gjermani. Ikja duhet të bëhet mbi baza ligjore. Unë kam njohur dhe infermiere shqiptare që duan të punësohen në Gjermani, janë shumë të angazhuara për t’ia dalë…
Unë e kam vëzhguar politikën shqiptarë të paktën që nga 1991-1992 dhe mund t’ju them se këto vitet që ju jeni në Tiranë janë tejet intensive për vizitat e nivelit të lartë. A ka patur një vëmendje të shtuar ndaj Shqipërisë?
Po, mund ta themi vërtetë këtë. Vjet patëm vizitën e parë bilaterale të një kryetari qeverie gjermane, siç ishte vizita e kancelares Merkel. Para pak javësh kemi patur dhe vizitën e njeriut të dytë më të rëndësishëm të shtetit gjerman, kryetarin e Bundestagut. Shumë shpejt presim dhe një vizitë tjetër të rëndësishme, atë të zotit Steinmeier, ministrit të Jashtëm gjerman, i cili do të vijë në Tiranë. Është kënaqësi edhe për mua që këto vizita janë bërë gjatë mandatit tim si ambasador në Tiranë.
Ministri jashtëm vjen tani shpejt thatë? Këtë javë?
Jo këtë javë, por data është e fiksuar dhe do të jetë shumë shpejt.
Ardhja e gjithë këtyre drejtuesve të shtetit gjerman ka patur natyrisht në thelb takimet me përfaqësuesit politikë në Shqipëri, ka patur negociata dhe premtime. Pyetja është a e mbajnë fjalën politikanët shqiptarë?
Kjo është një pyetje të cilës nuk mund t’i përgjigjem shumë lehtë. Në Gjermanisht ka një thënie: “janë të tillë dhe të atillë” dhe sigurisht kjo vlen dhe për politikanët shqiptarë ma do mendja. Në mënyrë të përgjithshme do të thoja se unë kam përshtypjen se në politikën shqiptare ka ca si tepër njerëz që përfshihen në politikë për të mbrojtur interesat e tyre personale dhe unë personalisht do të kisha dashur që të kishte më tepër intelektualë, mendje të hapura që të përfshiheshin në politikë. Në 10-15 vitet e fundit ka patur dhe zhgënjime të shumta, sepse njerëzit kanë vëzhguar sesi në sektorë të ndryshëm ka patur probleme me korrupsionin dhe kanë mbajtur distancë. Por, nuk ka një alternativë tjetër përveç angazhimit të intelektualëve, sepse gjërat vetvetiu nuk mund të përmirësohen. Është e rëndësishme që mendje aktive dhe të pavarura të përfshihen në politikë.
Një diplomat i huaj si jeton në Shqipëri. A është vend i rrezikshëm Shqipëria?
Jo. Ne asnjëherë nuk e kemi përjetuar si një vend të rrezikshëm Shqipërinë, me përjashtim të disa shoferëve të çmendur në rrugë. Por, në tërësi Shqipëria është një vend ku mund të jetohet mjaft mirë, mjaft këndshëm. Njerëzit janë tejet pozitiv, ca më tepër kundrejt gjermanëve. Tirana ka një cilësi të mirë urbane, ka aktivitete kulturore shumë më tepër sesa e kishim përfytyruar. Më pëlqen Shqipëria, edhe pse gjatë qëndrimit tim këtu nuk kam patur kohë që të shkoj në çdo vend që do më kishte pëlqyer si në Theth për shembull.
A do të ktheheni si turist?
Po, këtë e kemi në planet tona. Jo vetëm për të parë miqtë dhe të njohurit, por sepse unë jam mjaft i impresionuar nga mënyra sesi zhvillohen dhe ndryshojnë gjërat këtu në Shqipëri.
Unë ju shoh shpesh në opera. Njëherë kam dashur të vij dhe t’ju pyes sesi tingëllon Ëagner në Shqipëri?
Shumë mirë. Por edhe këtu më vjen në mendje një shprehje gjermane që është: “Ëagner-i është më i mirë sesa mund të dëgjohet”.
Kjo nuk vlen për Beethoven apo jo?
Edhe unë e pëlqej shumë Beethoven. Ne kemi bërë disa koncerte në ambasadë me muzikë klasike.
Tani si shpjegohet që ne gati të gjithë shqiptarët pijmë birrë gjermane, kurse ju pini birrë shqiptare?
Unë gjithmonë në vendet ku jetoj preferoj të ha dhe të pi gjërat që ofron ai vend. Dhe së dyti, që të mos përmend emra birrash, tek ne në shtëpinë tonë kemi dhe birrë gjermane dhe birrë shqiptare. Kjo vlen dhe për verën. Ne në fakt ofrojmë verë të kuqe shqiptare dhe verë të bardhë gjermane. Të dyja mjaft të mira.
Zoti ambasador dua t’ju komplimentoj për përgjigjet e drejtpërdrejta.. .
Unë në rrethin e politikanëve shqiptarë, por edhe të diplomatëve jam i njohur ndoshta dhe flitet rreth faktit që e them hapur atë çfarë mendoj. Porm besoj që nëse do t’i fshihnim gjërat nuk do t’i bënim nder këtij vendi dhe unë shpresoj që në atë çka jam përpjekur të bëjë në këto 3 vite të kem dhënë kontribut në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. /tesheshi.com/