Nga Mensur Krasniqi
Pas një periudhe pushimi prej 5 vitesh, para dy muajsh u riaktivizua Lidhja e Nxënësve Shqiptarë në Maqedoni. Kryetari i LNSH-së, nxënësi 17-vjeçar në ahkollën e mesme ekonomike të “Arseni Jovkov”, Amar Rexhepi në intervistën për portalin tesheshi.com ka zbuluar arsyet e rithemelimit të LNSH-së si institucion për nevojat e nxënësve shqiptarë në të gjitha shkollat e mesme të Maqedonisë, problemet me të cilat më së shumti ballafaqohen këta nxënës, si dhe bashkëpunimet e tyre në rritjen e cilësisë së arsimit me Unionin Studentor Shqiptar, Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Para disa muajsh në Maqedoni u riorganizua Lidhja e Nxënësve Shqiptarë, me ç’rast për kryetar u zgjodhët ju. Na thuani që kur ekziston Lidhja e Nxënësve Shqiptarë, dhe pse kishte ndaluar funksionimi i saj?
Lidhja e Nxënësve Shqiptarë është organizatë rinore e cila në gjirin e saj përfshin kryesisht nxënës nga shkollat e mesme. Promovimi i parë i LNSH-së ishte ne kremtimin e ditës së Flamurit të vitit 2009, një organizimi madhështor dhe solemn në Teatrin Kombëtar këtu në Shkup. Pra, edhe disa muaj e jemi në prag të kremtimit të përvjetorit të shtatë të LNSH-së. Arsyet e ndërprerjes të aktiviteteve të saj për një periudhë janë të shumta, por e rëndësishmja është se prej tani LNSH-ja do e luajë rolin e saj, do promovojë vlerat dhe misionin për të cilën e nisën paraardhësit tanë dhe më e rëndësishmja, të jetë zëri i nxënësit shqiptar në Maqedoni.
Si lindi ideja për reorganizim dhe riaktivizim të LNSH-së?
Duke qenë të vetëdijshëm të një zbrazëtire në organizimin e jetës shoqërore të nxënësve, dhe më e rëndësishmja për të përmbushur një pjesë të kontributit tonë në të mirën e të tjerëve, së bashku me disa kolegë tjerë morrëm iniciativën për të riaktivizuar Lidhjen e Nxënësve Shqiptarë. Bartësit aktual të LNSH-së janë nxënës të dalluar dhe të dëshmuar në procesin arsimor ku mësojnë, të cilët përveç obligimeve që kanë, nëpërmjet LNSH-së dëshirojnë të jenë pjesëtarë edhe në aktivitete që do të jenë në dobi të arsimit, kulturës por edhe shoqërisë në përgjithësi, e në veçanti nxënësve.
Po pse vetëm nxënësit e shkollave të mesme janë të përfshirë në këtë organizatë, ç’bëhet me filloristët?
Pyetje me vend. Filloristët janë një kategori e rëndësishme për LNSH-në. Ato janë pasardhësit tanë, ato do jenë bartësit e ardhshëm të LNSH-së dhe në këtë mënyrë përgatitje e tyre në këtë rrugë që jemi ne sot është rruga e themeluesve të parë. Pra, ne sot jemi një simbol apo shenjë e përgatitur e mozaikut të filluar më parë, dhe të njëjtit do jenë edhe filloristët në agjendën tonë.
Cilat janë aktivitetet që keni ndërmarrë deri tani?
Edhe pse gati një preiudhë tepër e shkurtër, gati dy muaj po bëhen nga riorganizimi i LNSH -së ne jemi të kënaqur për fillimin e punës. Pas mbajtjes së Kuvendit të LNSH-së në Qendrën Kulturore Informative në Shkup, ku përveç nxënësve kishte edhe profesorë dhe ish-themelues të LNSH-së, në bashkëpunim me Unionin Studentor Shqiptar realizuam aktivitetin Dita e Hapur për Maturantë, ku ne si LNSH duke mobilizuar maturantët dhe të njëtit duke i informuar për studimet universitare si dhe sfidat e mundshme gjatë periudhës së studimeve, dhamë kontributin tonë. Ishte një organizim modest, ku maturantët u informuan drejtpërdrejt nga ato që janë pjesë e kësaj periudhe, pra studentët. Ne poashtu, realizuam edhe një ditë të hapur edhe për filloristët të cilët janë në prag të rregistrimit të tyre në arsim të mesëm, aktivitet që përveç karakterit informativ mbi arsimin e mesëm si dhe drejtimet mësimore, kishte për qëllim të shpalosim edhe idetë e LNSH-së për filloristët, pra atë që e potencova në pyetjen paraprake. Gjatë muajit të Ramazanit shtruam iftar për aktivistët dhe përkrahësit e LNSH –së. Në vazhdim jemi në përgatitje të një agjende për takime me nxënësit për të diskutuar për problematikat dhe çështjet që i preokupojnë.
Sa dëgjohet zëri i LNSH-së në zbatimin e politikave të Ministrisë së Shkencës dhe Arsimit?
Sa kam informata, LNSH-ja para se të pushojë aktivitetin e saj për një periudhë, ishte në kontakt të vazhdueshëm me drejues të lartë të ministrisë. Që nga ateherë e deri sot është një shkëputje e madhe, dhe ne meqë jemi në fillim të aktivizimit do të tentojmë që një linjë e tillë të jetë doemos. Nuk mund të sillet ndonjë propozim apo vendim paraprakisht i pakonsulltuar me vullnetin e nxënësve, sepse derisa vazhdon kjo ecuri e punëve sikur më sot nuk mund të presim një sistem të mirëfilltë arsimor. Unë mendoj se sot nxënësit më shumë se institucionet përkatëse arismore, si dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë nevojë më tepër për përkrahje, sesa për ligje.
Sigurisht që mbajtja e provimit ekstern nëpër shkollat e mesme nuk është mirëpritur që nga fillimi, madje nxënësit shqiptarë janë ankuar se ka pasur pyetje provokative dhe të pakuptueshme? Keni realizuar ndonjë takim, ose të paktën a keni kërkuar sqarim nga MASH-i?
Në drejtim të tillë, si një grup joformal kemi qenë të angazhuar në protestat që u mbajtën kundër testimit ekstern, mirëpo tani edhe si një subjekt formal veprime të tilla veçse kanë filluar të diskutohen edhe në Kuvendin e LNSH-së. Shumë shpejt do jemi edhe në kërkim të takimeve edhe me zyrtarë të Ministrisë me të vetmin qëllim që të arrihet një zgjidhje e duhur që do jetë në dobi të arsimit.
A mund të thuhet që me ardhjen e Pishtar Lutfiut si kuadër i ri nga BDI-së në ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në vend të shumë kritikuarit Abdylaqim Ademi, gjendja e nxënësve shqiptarë do të shkon në përmirësim e sipër?
Të mos tingëlloj shumë pesimist, mendoj se ndërrimi i kuadrove apo ministrave nuk është një çështje që do zgjidhte punën e këtyre anomalive që po shfaqen në arsim. Angazhimi permanent dhe veprimet janë ato që do ofrojnë alternativa për tu arritur një efekt. Ministrit i dëshirojmë një punë të mbarë dhe sa më shpejt të filloj me punë në gjetjen e një zgjidhje adekuate.
Me çfarë probleme tjera po ballafaqohen nxënësit shqiptarë në Maqedoni?
Problemet janë të shumta, dhe nuk janë probleme që janë prodhuar në një kohë të caktuar. Më tepër problemet vijnë si rezultat i një sistemi joadekuat dhe jo të formësuar si duhet, prandaj në vazhdimësi kemi paraqitje të problemeve të njëpasnjëshme. Kaosi i regjistrimeve në shkollat e mesme do një zgjidhje të përhershme, librat me plot gabime përkthyese dhe informata të gabuara duhet njëherë e përgjithmonë të rishikohen. Po ashtu, në një numër të madh të shkollave kemi mungesë të kushteve arsimore. Çështja e testimit ekstern poashtu do një zgjidhje. Nëse dëshirojmë një arsim cilësor dhe bashkëkohorë, me tepër se gjithçka duhet të punohet e jo të flitet.
Cili është bashkëpubimi juaj me Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë dhe Unionin Studentor Shqiptar si organizata të pavarura arsimore në Maqedoni?
Më lartë përmenda një aktivitet që është realizuar në bashkpunim me Unionin Studentor Shqiptar, pra që në hapat tonë të parë jemi munduar që bashkëkoordinimin dhe bashkërenditjen e aktiviteteve ta promovojmë si një hap mjaft të rëndësishëm dhe të pandashëm tonë. E njëjta edhe në organizime të ngjajshme do kultivohet edhe me subjekte tjera që kanë për qëllim kontributin në arsim dhe vlerave të mirëfillta. Lidhja e Nxënësve Shqiptarë në hapësirën e veprimit shoqëror është vetëm një kontribut modest dhe një segment që do jetë në shërbim të së mirës së përgjithshme.
Përveç këtyre, si qëndrojnë kontaktet e LNSH- Maqedoni me LNSH-Kosovë dhe Shqipëri, apo nuk ka të tilla?
Jemi në fazë të kontakteve të para edhe me subjekte jashtë vendit. Besojmë që në kohë sa më të shkurtër do kemi edhe aktivitete të përbashkëta në interesin tonë të përbashkët. E gjithë kjo për një jetë më të pasur shoqërore të nxënësve dhe bashkëveprim më të koordinuar të nxënësve shqiptarë. /tesheshi.com/