I ftuari i radhës në “Shih Programin” në RTSH, ishet deputeti socialist Alfred Peza. Si një ish-gazetar, ai iu përgjigj pyetjeve të kolegut të dikurshëm, Enkel Demi, përballë së cilit bëri një autopsi të zhvillimeve politike në përgjithësi, e atyre brenda së majtës në veçanti. Dhe që në të parën përgjigje në bazë të pyejtjes që iu bë, la pa gojë opinionin, kur pohoi se kjo mazhorancë po funksionon, madhe se “më së miri”…
Ai ka votat në Kuvend mazhoranca?
Mazhoranca në vetvete jo vetëm që i ka, por unë nuk di një rast të vetëm të një votimi që janë dashur 84 vota që mazhoranca mos t’i ketë plotësuar apo të ketë dështuar në këto 3 vite. Gjykoj se treguesi më i mirë i funksionimit të kësaj shumice janë pikërisht votat në Kuvend. Politika përkthehet e gjitha në votë, qoftë kur voton populli për përzgjedhjen e Kuvendit, qoftë kur votojnë deputetet më pas. Fakti është se ne nuk kemi humbur asnjë votim të rëndësishëm dhe kjo tregon se pavarësisht ndonjë deklarate të ngjyrosur me tone, të ndonjë kolegu, kjo mazhorancë funksionon më së miri.
Por, keni humbur jo pak vota rrugës gjatë këtyre viteve për hir të historive të ndryshme politike apo dhe të dekriminalizimit…
Janë humbje pozitive.
Ç’rëndësi ka, kur ngrihen kartonet ato vota nuk janë më…
Sigurisht, por edhe me ndihmën e aleatëve tone dhe të PDIU-së, janë votat.
Por ka ikur Doshi, Frroku, Prenga, Blushi, Hafizi nuk janë pak këto apo jo?
Ka një keqkuptim, Blushi dhe Hafizi nuk kanë ikur, janë pjesë e Partisë Socialiste.
Ata vetë thonë se nuk votojnë më Rilindjen…
Ata janë pjesë e së majtës, ndërsa këto janë terma për lojë fjalësh. Qoftë Tom Doshi, Ben Blushi, Mimoza Hafizi apo dhe Përparim Spahiu që u përjashtua nga LSI-ja janë pjesë e mazhorancës. Tom Doshi nuk është pjesë e PS-së, por ka qenë i pranishëm gjithmonë e më tepër në parlament dhe vota e tij nuk ka qenë kundër qëndrimeve në përgjithësi të mazhorancës, përveç ndonjë rasti që mund të mos e kem fiksuar. Vërtetë vota e tij nuk hyn në llogaritë tona të ngushta matematikore, por duke parë qëndrimin e tij politik futet në llogari.
Domethënë mbani ende kontakt më të?
Ai është pjesë e parlamentit dhe duke mbajtur kontakt me parlamentin, ka dhe me ne. Ndenjësen e ka aty ku e ka patur përherë, kështu që mund të them se qëndrimi i tij ka shkuar krah qëndrimit të mazhorancës.
A janë të kënaqur të gjithë ligjvënësit e mazhorancës me qeverinë?
A janë të kënaqur të gjithë pjestarët e familjes tënde apo të familjes sime për gjithçka ndodh brenda në shtëpi?! Natyrisht që jo! Kur kemi të pakënaqur në familjet tona biologjike, a mund të imagjinohet që të mos ketë të tillë në PS që ka mbi 60 deputetë apo në LSI që janë 20, apo tek PDIU me 5-6 të tillë? Kështu që do të ishte shqetësuese nëse të gjithë do të ishin të lumtur, siç ndodhte në diktaturë. Kjo do të ishte vrastare për demokracinë tonë. E njëjta gjë vlen edhe për opozitën mendoj dhe për qëndrimet e lidershipit të saj.
Gjatë kësaj periudhe deklarata si ajo e Braçes, Blushit, Dades etj., nuk kanë mbetur pa jehonë këto kohë…
Braçe dhe Dade për shembull mendoj se janë edhe më socialistë sesa unë, prandaj deklarata të tyre duhen lexuar dhe në kontekstin e shqetësimit qytetar, jo vetëm politikisht. Braçe, për shkak të të qenurit shumë socialist dhe për shkak të qëndrimeve që ai vetë mban, dhe ndonjëherë dhe PS zyrtarisht përmes tij, kjo nuk i heq të drejtën as atij dhe askujt tjetër që të mos ketë profilin e vet, identitetin e vet, opinionin e vet aq më tepër qytetar. Çdo shqetësim qytetari duhet të mbetet i tillë dhe jo të lexohet ndryshe.
A po kthehet reforma në Drejtësi në një lloj vije demarkacioni?
Reforma në Drejtësi po kthehet në një kufi mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes tranzicionit sfilitës dhe asaj që kemi pas ëndërruar që në krye të herës 25 vite më parë. Reforma në drejtësi është ai kloni që ndan dy botë, dy epoka; të shkuarën dhe të ardhmen. Kurrë, asnjë shoqëri, asnjë shtet nuk është zhvilluar, nëse nuk ka patur drejtësi që nga peridha e grekëve dhe romakëve dhe deri më tani. Fatkeqësisht Shqipëria në raport me drejtësinë ndodhet në një stad të këtu e gati 100 viteve më pare, kur në një kabllogram të një përfaqësuesi amerikan në vendon tonë drejtësia jonë përshkruhet si një zonjë muhamedane, e cila në vend të fjongos që i mbyll sytë për të mos parë se kush është në kandar, mban perçën pak të ngritur për të kuptuar se kush po vendos çfarë në njërën anë të peshores, për të dhënë më pas drejtësinë. ashtu siç është dorovitur ana tjetër e peshores. Ne kemi akoma një shtet pa drejtësi dhe si i tillë pa shpresë dhe pa prespektivë. Të gjitha demokracitë që kanë dështuar në botë kanë ardhur për shkak të dështimit të drejtësisë.
Unë e mendoj si një vijë demarkacioni pasi komunikimi publik ka qenë shumë interesant; kush është pro, është i miri, kush është kundër reformës, është i keqi…
Kësaj pyetjeje dua t’i përgjigjem pa doreza. Në këto 25 vjet ka pasur një qasje të tillë të lidershipit politik të të gjitha krahëve, kush më shumë dhe kush më pak. Përgjithësisht ka qenë taktikë e së djathtës, por nuk kanë mbetur jashtë dhe lidershipi i së majtës që nuk përfaqësohet vetëm me PS-në, të cilët në një mënyrë ose një tjetër kanë tentuar në forma të ndryshme që ose ta kapin, ose ta kompromentojnë, ose ta bëjnë të pamundur sistemin 100 % ashtu siç do të donin qytetarët. Kjo ka ndodhur nëpërmjet kapjes së Këshillit të Lartë të Dretësisë, nepërmjet mënyrës sesi janë emeruar apo shkarkuar prokurorët e përgjithshëm, mënyrës sesi janë emëruar apo shkakruar drejtuesit e gjyqësorit shqiptar në të gjitha nivelet e tij, apo dhe lojërat për zgjedhjen e presidentëve. Të gjithë kanë tentuar që ta komandojnë drejtësinë. Vitin e ardhshëm zgjidhet Presidenti i Republikës që është njëkohësisht dhe kryetar i KLD-së, që merret me emërimet dhe shkarkimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nëse do të kishim ne një ide për të kapur sistemin e drejtësisë pse do të nxitonim ta bënim tani?! Prisnim fare mirë deri nga fundi i pranverës apo verës tjetër dhe tashmë që Presidenti zgjidhet edhe me 71 vota do të vendosnim një kukull të PS-së nëse do ta kishim në plan kapjen e sitemit të drejtësisë dhe ja ku u bë kapja e parë e këtij sistemi. Nga ana tjetër përfundon dhe mandati i kreut të SHISH si dhe i Kryeprokurorit vitin tjetër, ja vendosëm dhe aty dy njerëzit tanë dhe kështu po që kushdo do të mund të thoshte që kapëm drejtesinë dhe sigurinë kombëtare. Por a duam ta bëjmë këtë? Jo. Ka vetëm një menyrë për ta zhbërë këtë sistem: reformimi i tij në mënyrë të thellë dhe strukturore, një reformë që ia heq nga duart maksimalisht politikës këtë sistem mund të fillojë të funksionojë.
Po, mirë ju ia hiqni ndikimin politikës sonë nga ky sistem, por ndërkohë fusin “duart” ndërkombëtarët në disa procese kontrolli të këtij sistemi. Duket sikur Shqipëria po humb sovranitetin duket kështu…
Kjo është si në ato zboret e famshme ku na thonin mos tregoni sa lugë dhe gaveta kemi, se nxirrni sekretin. Dhe pas ’90 na binin në duar revista ushtarake, gazeta ku flitej për ushtri të tjera, si fjala vjen ushtria greke ka kaq fregata, kaq nëndetëse e të tjera. Ne jemi vend i NATO-s sot dhe për më tepër si i tillë, do apo nuk do, kur je vend anëtar i këtij organizmi, ti e delegon sovranitetin tënd tek një çadër edhe më e madhe siç është NATO. Ky nacionalizmi banal nuk besoj se qëndron. Vetingu si strukturë do të jetë shqiptare, por e këshilluar me ndërkombëtarë. Të njëtën gjë ne bëjmë edhe për vetingun në shkollat e larta. Pse nuk u çua askush kur sollën kompaninë britanike për vlerësimin e universiteteve? Në këtë rast fakti që ndërkombëtarët janë aty për të këshilluar procesin nuk i bën vendimmarrës. Të tillë do të jenë shqiptarët. Të qetësohen të gjithë, sepse vendimet do t’i marrin vetëm shqiptarët. Në gjykatat shqiptare vetëm për mbivendosje pronash janë bërë 1 milion procese gjyqësore dhe kohëzgjatja mesatare është disa herë më e lartë sesa në disa vende të BE. Vetëm në një shkallë gjykimi, një proces mund të shkojë deri në 2 vjet. Kjo është koha që në vendet e BE-së duhet të mbarojë një proces në të gjitha shkallët, jo vetëm në një siç ndodh tek ne. E gjithë kjo pa llogaritur çfarë kostosh ka sjellë mungesa e drejtësisë edhe në përceptimin e mosdhënies së saj! 600 qytetarë shqiptarë janë vrarë në konflikte për pronat, konflikte këto që kanë kaluar nëpërmjet gjykatës që nga 1998 deri më sot. Pra vetëm nga kjo kuptohet sa emergjente është. Ndërkaq, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka një raport zyrtar të dokumentuar, sipas të cilit reforma në drejtësi do të sjellë një rritje prej 35 përqindësh në Shqipëri.
Si e sjell?
Kjo vjen nëpërmjet rritjes së sigurisë tek investitorët, tregjet, përmes uljes se korrupsionit, rritjes së eficensës dhe rritjes së ekonomisë dhe biznesit.
Sa gjeopolitike është e gjitha kjo që po ndodh me reformën në drejtësi? Deklarimi i rusëve për të ndërtuar një bazë ushtarake në Preshevë a ka ndikuar në këtë lloj protektorati amerikan?
Kur kemi lexuar historinë dhe shumë nga korifejtë e studimeve albanologjike, jemi rrekur të gjejmë mes rreshtave për faktin se shqiptarët janë në kufirin natyror dhe historik mes Lindjes dhe Perëndimit. Duket si një sfidë jo vetëm integrimi i Shqipërisë në vetvete për ne shqiptarët, por është një sfidë për gjithë Europën integrimi i Shqipërisë. Pse kjo? Sepse kur u hodh poshtë me referendum kushtetuta e Bashkimit Europian, një projekt ky 500 faqesh, në preambulën e saj ishte shkruar se BE-ja është një klub i krishterë. Kjo tabu duhej thyer. Shumëkush prej nesh e ka vuajtur faktin se sidomos pas 2001, kur u rrëzuan kullat binjake në Nju Jork nga sulmet terroriste më të mëdha në SHBA dhe u bë aleanca e madhe ndaj së keqes kanë ardhur edhe këtu drejtorë shumë të rëndësishëm amerikanë që kanë deklaruar se po bënin një koalicion shumë të madh, ku kishte nevojë dhe për vende myslimane si Shqipëria. Asajkohe kam debatuar ashpër me këto zëra, sepse Shqipërisë nuk mund t’i thuash një vend mysliman duke u nisur nga statistikat e besimit. Një vend mysliman nuk ka kushtetutë, por Sheriat. Ka një problem psikologjik BE-ja vetë me vendet me shumicë të popullsisë myslimane, siç është rasti i Turqisë, megjithëse edhe ajo vetë nuk është ende gati për të qenë pjesë e BE-së, për shkak të disa standardeve të paplotësuara. Prandaj, përafrimi i Shqipërisë me BE-në duhet të jetë sfidë jo vetëm për shqiptarët në vetvete, por dhe me vetë BE-në dhe të ashtuquajtura paragjykime të saj. Vetëm, kur të jetë tejkaluar kjo duhet të flasim për kufinjtë mes BE-së, NATO-s, Rusisë edhe vendeve satelite të saj. Nga pikëpamje gjeopolitike gjykoj se kjo është sfida më e madhe e Europës, sesa sfida me Rusinë.
Shumë interesante që të shohësh sesi ambasadori Lu ka takuar disa deputetë të opozitës që njihen për qëndrimet e tyre të herëpashershme që mund të mos jenë dhe konform “vijës së partisë”. A është ky një lloj diversion ky?
Nuk gjykoj se është diversion, pasi kontaktet me ambasadorët e BE-së dhe SHBA shumë prej ligjvënësve i kanë patur të vazhdueshme. Por, nga ana tjetër duhet thënë se grupi i njerëzve që kanë ndikim në opinionbërjen e shoqërisë shqiptare nuk është se janë të shumtë apo të panumërt dhe këto takime nuk janë kaq “të pafajshme” sa duken. SHBA, të cilës ne i kemi kërkuar që të jenë partner në këtë sfidë, kanë përgjegjësi në të gjitha planet e realizimit me sukses të kësaj reforme dhe një ndër elementët është dhe votimi. E imagjinon sesa shumë energji është harxhuar për të mbërritur deri në seancën e 21 korrikut këto 20 muaj që është punuar për reformën në drejtësi?! Prandaj ajo nuk do të duhet të dështojë për gjëra, të cilat më pas do të duhet të themi se pse nuk i bëmë. Të kontaktohet një personalitet politik si Astrit Patozi nga një personalitet diplomatik siç është ambasadori Lu është jo pak e rëndësishme.
Po unë kam informacion se përveç Patozit janë bërë dhe shumë ftesa të tjera.
Po, sigurisht që janë bërë dhe ftesa të tjera, por duhet thënë se pas këtij momenti edhe numri i të vetëofruarve për të shkuar dhe për të marrë një ftesë të tillë do të vijë duke u zgjeruar si rasti i deputetit të PD-së, Astrit Veliaj.
Për këtë rast nuk jam i sigurtë është vetëofrim apo ftesë?
As unë nuk e kam të konfirmuar, por të gjitha gjasat janë që ka deputetë që në momente thelbësore të debatit politik dalin përtej kornizave të partive poltike. Besoj ju e mbani mend dy vjet e gjysëm më pare, kur ka qenë debati lidhur me importin e mbetjeve të armëve kimike. Asajkohe ka patur deputetë të PS që kanë dalë nga rrethi i qëndrimit të selisë qendrore dhe kjo u përshendet atëherë. Një prej tyre jam unë. Sigurisht, që edhe dalja nga rrethi i disa deputetëve të PD-së për t’iu bashkuar një aksioni kaq shumë të rëndësishëm dhe historik si reforma në drejtësi, kjo nuk përbën as mëkat dhe as ndërhyrje në punët e brendshme.
Por, kjo mund të shkaktojë një gjë tjetër, vendimin për bojkot të seancës së 21 korrikut dhe ata që më pas do t’u duhet të thyejnë bojkotin rrezikojnë jo pak…
Çfarë rrezikojnë, përjashtimin nga PD-ja? Po nuk është fundi i botës të mos jesh deputet, por është të mos kesh drejtësi në vendin tënd.
Për një njeri që ka mbi 20 vjet që bën këtë lloj zanati fundi i botës është…
Politikë bën edhe duke qenë deputet edhe duke qenë qytetar, përsa kohë jemi të gjithë dakord se njeriu është qënie politike. Por, nuk është fundi i botës të mos jesh deputet. Nëse unë do të isha në një pozitë të njëjtë me kolegët e opozitës së sotme për një proces kaq serioz dhe të marrë vesh e të këmbëngulur nga BE-ja dhe SHBA-ja, do të kisha dalë nga rreshti dhe do të kisha votuar qoftë edhe me koston që të mos isha më në politikë.
Një sfidë shumë e fortë do të jetë edhe për ju, sepse me ndryshimet kushtetuese i hapet rrugë dhe martesat brenda së njëjtës gjini. Shumica dërmuese e socialistëve janë kundër këtij ligji dhe tashmë mbetet për të pare, nëse do të keni forcë ta hiqni nga paketa, tashmë që ka hyrë për diskutim.
Kjo mbetet për t’u parë. Personalisht nuk paragjykoj asnjërin prej ligjeve që ka ardhur.
Ti vetë je pro martesave gay?
Unë jam pro variantit që ka ardhur.
Je pakicë në këtë rastin e grupit të PS, a e di?
Duam apo nuk duam në këto 25 vjet shoqëria ka patur shumë raste kur e ka tejkaluar klasën politike.
Por në këtë rast po i imponohet një ndryshim “nga lart”, jo nga poshtë…
Unë jam për familjen tradicionale të jetë e qartë, por kjo nuk do të thotë që të jem kundër dhe formave të tjera të bashkëjetesës. Ky ndryshim ligjor që do të bëhet, sipas gjykimit tim nuk i hap rrugën martesave gay. Por, përderisa shumë vende e kanë pranuar, duhet të fillojmë të mësohemi edhe ne me këto ide. Ky është një debat kulturor dhe religjoz, jashtë nuk mbetet dot as politika.
Pas ngjarjes së rëndë të grabitjes në Rinas, një aleat si Luan Rama i LSI bëri akuza shumë të forta. Si i komentoni?
Luan Rama vazhdon të mos e fshehë pasionin e tij dhe sensibilitetin si ish-ministër i Brendshëm dhe si anëtar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Nga ana tjetër nuk është gjithmonë e pashëndetshme që aleatët të kenë qendrime të ndryshme me ne në lidhje me çështje e problematika të caktuara, aq më tepër kur ka ngjarje si Rinasi që cënojnë sigurinë tonë kombëtare.
Nuk t’u duk deklarata më e ashpër sesa e PD-së?
Ajo tingëlloi më shumë, sepse vjen kritika nga andej nga nuk pritet, apo nga media është më shumë me sirena ndezur për të dalluar pak ujë në shkretëtirë. Ngjarja në vetvete është e rëndë, por të mos bëjmë sikur nuk ka ndodhur dhe në vende që kanë nivel sigurie shumë më të lartë sesa ne. Besoj se e kujton filmin e De Niros “Gangsterët” për grabitjen në 1978 në aeroportin “JFK”, ku u vodhën 5 milion dollarë, bizhuteri në vlerë rreth 1 milion dollarë nga dy familje mafioze, film ky i bazuar në ngjarje të vertetë. Grabitja në Rinas ka dy elementë: vetëm pjesa e terminalit është e ruajtur nga policia dhe pjesa tjetër nga një kompani private sigurie. Për mendimin tim kjo duhet të ndryshojë, jo vetëm sepse aeroportet janë bërë shënjestra e terroristëve dhe nuk duhet të harrojmë se jemi pjesë e koalicionit antiterror, por edhe për shkak të vlerës në vetvete të aeroportit ndërkombëtar. Në gjykimin tim duhet që sa më shpejt siguria e aeroportit t’i jepet Policisë së Shetit. Pas kësaj, natyrisht duhet analizuar përgjegjësia për gjithçka që ndodh.
Pandi Majko drojës së mosvotimit të reformës në drejtësi i ka shtuar një propozim shumë interesant: kalimin në zgjedhje të parakohshme dhe në referendum të reformës në drejtësi. Si ju duket kjo ide?
Nuk është ide e keqe. Por, ne tani jemi duke punuar vetëm me skenarin A deri me 21 korrik. Ky skenar bazohet tek votimi. Nuk po punojmë as me ndonjë skenar B dhe as me ndonjë skenar C. Do të donim që kurrë të mos dilnim në skenarët e tjerë.
Pra, ka skenarë të tjerë?
Jemi në politikë dhe skenarët janë gjithmonë të domosdoshëm.