Gazetari Aleksandër Çipa e cilëson përdorimin e gazetarët për politikën e ditës si të gabuar dhe u bën thirrje opinionistëve që të sjellin me balancë zërin e koshiencës pa trazuar publikun dhe duke respektuar etikën.
Çipa komenton protagonizmin e javës me tre gezetarët, që nga Ambrozia Meta e tek jetmir Olldashi, por edhe protestën e opozitës.
Kreu i Unionit të Gazetarëve ndërkaq ka folur edhe për rastin e koncertit të artistit grek Notis Sfakanakis, të cilin e cilëson si një nacionalist “pleh”…
Zoti Çipa, javën që shkoi patëm gazetarët në një mënyrë apo tjetër si protagonistë. Kemi çështjen e Ambrozia Metës me Kryeministrin, investigimi i Jetmir Olldashit dhe përplasja e Erion Braçes me Esiona Konomin. Si i gjykoni këto ngjarje?
Jo të gjitha rastet që përmendni, janë gazetari. E vlerësoj rastin e gazetares së re Ambrozia Metaj. Është një ballafaqim me korrektesë të lartë profesionale. Kisha kohë pa shijuar drejtartikulimin e një pyetjeje prej një reportereje drejtuar kryeministrit të vendit. Pasi vetë kryeministri i ka të papreferueshme konferencat në përballje me gazetarët.
Pyetja e saj, si rrallëherë, bashkëshoqërohej me këmbënguljen dhe gjakftohtësinë e gazetares.
Çdo sjellje dhe intepretim matanë saj, s’ka lidhje me gazetarinë, por ka lidhje vetëm me shërbestarët politikë dhe vetë politikën kaotike të këtij vendi.
Për rastin e dytë, pra të ashtuquajturin investigim, kam interpretimin dhe rezervat e mija.
Por padashur të bie në subjektivizëm, deontologjikisht është e papranueshme që një investigim ose i pretenduar si i tillë, të vihet në dispozicion të partive politike pa iu paraqitur së pari medias dhe prej saj, pra përmes medias, t’i jepet publikut. Eshtë gabim fatal për çdo profesionist një marrëdhënie dhe sidomos një trajektore e tillë e produktit të gazetarit profesionist.
Investigimet janë mund dhe investim i gazetarëve për t’ju servirur publikut vetëm përmes mediave dhe në asnjë mënyrë e asnjë rrethanë, përmes kanaleve të tjera apo ndërmjetësimeve ekstraprofesionale. E vërteta e cdo gazetari i serviret opinionit publik drejtëpërdrejtë dhe jo përmes kalimit nëpër guzhina partiake.
Në emër të këtij parimi dhe vetëm për këtë arsye, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë nuk ju bashkua deklaratës së dy organizatave të tjera ndaj rastit në fjalë. Natyrisht në asnjë mënyrë nuk e përjashtojmë solidaritetin për sigurinë dhe inkurajimin e kolegëve që kryejnë investigim apo raportojnë kritikshëm ndaj qeverisjes apo protagonistëve të saj.
Kritik e kam mendimin edhe ndaj sjelljes dhe pretendimit të kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, zotit Brace, për zhurmën e shkaktuar sipas tij, nga reporterja Esiona Konomi. Urdhëri për nxjerrjen jashtë të gazetares nga salla e mbledhjes së komisionit, është i pajustifikueshëm. Nuk mund të kalohet kaq lehtësisht prej një drejtuesi parlamentar në një masë përjashtuese të gazetarit, nga e drejta për të ndjekur seancën e komisionit.
Politikani-gazetar ose anasjelltas, zoti Erion Braçe edhe kur e humbet tolerancën e politikanit duhet të kujtojë atë të gazetarit. Kjo e nderon më shumë atë sesa radikaliteti i një drejtuesi të përkohshëm komisioni.
Kemi vënë re javën e shkuar një kacafytje me tone alarmante mes analistësh në tv. Pse ka kaq pak tolerancë dhe jo solidaritet mes nesh?
Nuk mendoj se mungon solidariteti. Por kemi një keqpërdorim të rolit. Problemi më i madh që ka aktualisht kategoria profesionale e opinionistëve, lidhet me ngatërresën e koncepteve opozicion me oponencë.
Opozicioni është atribut i opozitave politike dhe këtë mision duhet ta kryejnë vetëm ato në demokracinë politike.
Oponenca është detyrim i çdo gazetari, pavarësisht se në cilën kategori shërben dhe në cilën media është i punësuar.
Kjo ngatërresë kaq evidente, e shndërron gazetarin në strukturë apo individ parapolitik, ndërsa respektimi i misionit dhe funksionit oponencial e lartëson integritetin e tij dhe shumëfishon besueshmërinë tek publiku.
Po ngjet rëndom ngatërresa e të parës me të dytën, prandaj disa herë dhe madje fatkeqësisht në mënyrë të shëmtuar, shumë prej kolegëve në panelet e shpeshta konvertohen në polemistë dhe konfliktualë para-partiakë e parapolitikë.
Çështja Xhafa tashmë është kthyer në një atu të opozitës, ashtu si një vit më parë me ish-ministrin e Brendshëm. Sipas jush çfarë po synon realisht opozita dhe si i parashikoni zhvillimet?
Unë mendoj se opozita implikimin e njëpasnjëshëm të dy ministrave të Brendshëm të qeverisjeve “Rama1” dhe “Rama2” e koncepton dhe e ka strukturuar si objektiv- “thembër Akili”.
Shigjetat pikërisht në mënyrë më intensive i ka drejtuar aty, por mendoj se ka një përllogaritje të gabuar në kapitullin actual që lidhet me ministrin Xhafaj.
Edi Rama nuk është “Akili” që ta ketë zemrën te thembra.
Dhe për këtë arsye, suksesi politik deri në ekzekutim politik që opozita pati me ish ministrinTahiri, është lexueshëm dhe e qartë për të dështuar dhe për të qenë i tillë tek rasti Xhafaj.
Janë dy të ndryshëm që kanë lidhje me një familje partiake dhe me një vijim qeverisjeje të së njëtës parti.
Këtë gjë opozita duhet ta llogarisë mirë dhe ta vlerësojë sa më pare, për të mos i’u kthyer në boomerang. Opozita duhet të mbetet sipas meje, në tri arritjet më të rëndësishme të 6 viteve të fundit: aksioni i suksesshëm për dekriminalizimin e politikës, aksioni i reçencës së kritereve dhe korrupto-rekrutimeve në administratën publike dhe tek suksesi i dekanabizimit të vendit. Natyrisht, pjesë e së tretës është edhe një objektiv ende i parealizuar i neutralizimit dhe zhbërjes së implikimeve të krimit të organizuar në familje dhe njerëz politikë qoftë majtas e qoftë djathtas, në këtë vend.
Objektivi i tretë është ende i paarritur. Ndërkalljet janë ende të paneutralizuara, sikundër propaganda inkriminuese në jo pak raste ka synim dhe qëllim alibi dhe jo sinqeritet.
Historia politike e të quajturit “tranzicion” është mbyllur de jure, por ende jo de fakto dhe, si e tillë ,opozita duhet të kalojë në avantazh për t’i dhënë një emër real kohës që pason të ashtuquajturën epokë të tranzicionit.
Nëse nuk e bën këtë, do ta konsiderojmë një opozitë që mbetet në shpërgënjtë e demoniakëve të tranzicionit.
Muajin e fundit dy evente të rëndësishme ka përjetuar Tirana dhe që lidhen me dy emra publikë të jetës greke: përkatësisht ardhja e ish-zvkryeministrit Theodoros Pangallos dhe këngëtarit Notis Sfakanaqis në Tiranë. Ky i fundit, pra këngëtari, madje ka shkaktuar edhe polemika. Pse ndodhi kjo, sipas jush?
Nobelisti grek Jorgos Seferis në vitet ’40-të e cilësonte Ballkanin si oaz të paradokseve.
Vizita gati e njëkohshme e një politikani të njohur dhe e një këngëtari gjithaq, është ndoshta edhe ilustrimi më i posaçëm i këtij konstatimi të bërë gati 80-të vjet më parë prej shkrimtarit të madh.
Trazime nuk shkaktoi prezenca dhe apo gjuha e politikanit grek në Tiranë, por përkundrazi, këtë e bëri këngëtari Sfakanaqis.
I pari, përcolli mesazhe të një valence të lartë, i dyti shkaktoi trazim dhe ndjenjën e plotë të një prezence provokative.
I dyti, pra këngëtari, në intervistën e parë që dha në median partnere, e nisi nga përgënjeshtrimi i pasinqertë i vetvetes.
Në të gjitha opsionet virtuale, gjenden deklarata raciste dhe të përbindshme antishqiptare të tij, madje nuk mund të fshihet lehtë cilësimi i shqiptarëve “plehra” në mitingjet e partisë më fashiste të Europës së sotme-Agimi i Artë.
Aleanca për llogari komerciale mes një medieje kombëtare dhe një këngëtari racist antishqiptar (edhe pse vetë përfaqëson një pakicë kulturore), përbën një provë shtesë për paradokset që konstatonte nobelisti Seferis në vitet 40 të shekullit të kaluar.
Por kalendari artistik i Notisit, ka triumfuar duke i bërë vend në skenën më të rëndësishme që ka atdheu ynë për evente të tilla në ditët e sotme.
Le të sillemi me të në mënyrën më të kulturuar. Unë do të dëshiroja ta ndëshkonin me injorim, personalisht refuzoj të jem në atë sallë.
Këtë arsyetim e bazoj konform logjikës së mishëruar edhe në një ese të hershme të shkrimtarit tonë Ismail Kadare në vitet ’80-të, ku, duke folur për dy popujt dhe kombet fqinjëruese, shqiptar dhe grek, shprehet se mes nesh ka mëri dhe ndeshje, por nuk ka luftra kulturore.
Sfida për ne, ndaj Notisit, le të ketë vlerën e një “note” pra shënimi; vlen si këngëtar por je “pleh” si nacionalist. /tesheshi.com/