Nga Bardha Nergjoni
Tingëllon çuditshëm, por të shfletosh bibliografi është puna me të cilën jeton dhe mban familjen një qytetar nga Tirana që dikur ka qenë mekanik. Ai është vendosur pranë Bibliotekës Kombëtare qysh në vitet e para të ndryshimit të sistemit, kur edhe ka filluar punën e hartimit të bibliografive për studime të ndryshme, që sigurisht që nuk mbajnë emrin e tij.
Aleks Gjinaj merr punë nga studiues, familjarë apo pasardhës, të shfletojë fonde të ndryshme me libra e periodikë mbi një temë a periudhë të caktuar. E gjen në Bibliotekën Kombëtare çdo ditë ku shfleton pa u lodhur duke gjetur materiale për temën për të cilën është punësuar.
Gjatë paraditës punon në bibliotekë, ndërsa pasdite i rendit materialet e mbledhura në kompjuter në shtëpi. Në punë e gjen edhe të shtunën me durimin e tij për t’u admiruar, ndërsa shfleton pafund fonde që kërkojnë kohë dhe vullnet. Studiues nga rrethet, Kosova apo Maqedonia, janë më së shumti klientë të tij. Ka pasur kontakte edhe me shqiptarë që jetojnë në perëndim për të grumbulluar bibliografinë për figura të shquara si Tefta Tashko Koço dhe shumë të tjerë.
E quan veten me fat që ka këtë punë, por pa fat pasi nuk ka mundur ta trashëgojë tek fëmijët. Aleksi është çdo ditë në bibliotekë dhe shumë i vëmendshëm të kuptojë se çfarë kërkon çdokush që hyn për herë të parë në ambientet e institucionit më të madh të librave në vend.
Bëni një punë të rrallë që pakkush e di që ekziston. Si keni filluar si bibliografist me pagesë?
Puna ime e dikurshme nuk ka lidhje fare me atë që bëj tani. Kam qenë mekanik me profesion. Më pas vazhdova me korrespondencë fakultetin për gjuhë-letërsi. Pas përfundimit të shkollës kalova inspektor kuadri në të njëjtën ndërmarrje deri në vitin 1993 kur gjithçka u shkri dhe unë mbeta pa punë bashkë me bashkëshorten e cila ishte daktilografiste. Në atë kohë filluam të shtypnim materiale për studentët, fillimisht me makinë shkrimi e më pas me kompiuter. Po kështu fillova të merrem me bibliografitë me ndihmën edhe të tim vëllai që punonte në këtë sektor në Bibliotekën Kombëtare. Nga ajo kohë më gjeni çdo ditë këtu si bibliografist. Kur filluan të më kërkojnë bibliografi, fillova të punoj edhe me pagesë. Pasi si çdo punë, edhe kjo ishte një punë që duhet të shpërblehej.
Si i gjeni klientët tuaj?
Të gjithë ata që vijnë e përballen me bibliotekën e kanë të vështirë të kërkojnë apo të orientohen. Shumë të tjerë nuk kanë kohë pasi janë në punë apo japin mësim dhe duan t’i kursejnë vetes hulumtimin këtu. Ndërkohë nga rrethet do të duhet të jenë pjesë e bibliotekës, duhet t’i shfletojnë këtu dhe e kanë të pamundur. Në pjesën më të madhe më gjejnë ata mua. Njoftojnë njëri-tjetrin dhe kështu vijnë më kërkojnë bibliografi.
Të punosh në bibliotekë kërkon njohje dhe metodikë. Si arritët deri këtu?
Fillimisht më ka ndihmuar im vëlla që punonte në një nga sektorët këtu në Biblilotekën Kombëtare. Kam mbi 20 vjet që merrem me këtë punë. Gjej materialet, i fotokopjoj që një student, pedagog apo punonjës të përfundojë në kohë studimin e tij. Kam grumbulluar bibliografi në fushën e letërsisë, historisë, të muzikës etj. Pra përgjithësisht mbetem në shkencat humane.
Jeni përqëndruar vetëm në Bibliotekën Kombëtare?
Qysh në fillesa jam vendosur këtu. Kam hartuar bibliografi vetëm në shqip. Nuk kam marrë për sipër të punoj në Arkivën e Shtetit apo në arkivat e ministrive. Këtu punoj vetëm me autorë shqiptarë. Në kushtet që jemi, është për t’i thënë faleminderit kësaj biblioteke për fondin e pasur që ka. Fatmirësisht nuk pësoi të njëjtin fat si biblioteka e Kamzës që u shkatërrua e u dogj. Më vjen keq kur shoh nëpër lagje që janë hapur biblioteka e nuk shfrytëzohen. Në pjesën më të madhe ose janë të mbyllura ose janë bosh.
Keni realizuar bibliografi edhe për emra të njohur?
Po, në pjesën më të madhe kanë qenë për figura të shquara, shkrimtarë, artistë, etj. Këtu mund të përmend bibliografinë e Tefta Tashko Koços dhe aktiviteti i saj në vitet para luftës. Kam bërë bibliografinë bashkë me tim vëlla për Dritëro Agollin por edhe shumë të tjerë, për të cilët kamë nxjerrë me mijëra faqe
I gjeni shpesh të dëmtuar librat ose periodikët që shfletoni?
Më dhimbset libri. Shpesh i gjej me nënviëzime, faqe mangut,etj. Ka libra të dëmtuar, me shënime, nënviëzime. Më parë s’ka pasur fotokopje dhe mund t’i kuptoj lexuesit, por tani s’ka pse të shkatërrohen librat. Mendoni sa breza do të kalojnë dhe sa vlerë merr një libër ndërse kalojnë vitet.
Si ke vendosur çmimet për një bibliografi të realizuar?
Ka një tarifë kur bëhet një bibliografi. Nëse më jepet një shkrimtar që ka shumë punë, kërkon shumë material atëherë tarifa është më e lartë. Një temë doktorature kërkon mbi 300 faqje. Ka ndodhur që kam gjetur materiale 1000 faqje. Autori i studimit bën analizën, seleksionimin e tyre por paguan për të gjitha volumet që kam shfletuar. Pra, varet nga fondet që kërkoj dhe nga numri i bibliografive që i duhen në një studim.
Biblioteka si pasion: Hajdeni një fanatik që studion shoqëritë
Bekim Hajdini nuk ka lidhje me letërsinë, por me çantën e tij çdo ditë ndalet në sallën e leximit të Bibliotekës Kombëtare. Në profesion ka qenë oficer kimist ndërsa pasioni i tij është krejt tjetër gjë. Ai studion shoqëritë. Nuk bëhet fjalë për shoqëritë private por për popujt, shoqëritë e vendeve të Ballkanit dhe Evropës. As në komunizëm nuk ka pasur mendjen tek Marksizmi apo Leninizmi por tek shoqëritë europiane.
“Më shumë më kanë interesuar problemet e shoqërive të ndryshme. Në mënyrë te veçantë më ka interesuar të shikoj shoqëritë e tjera si janë zhvilluar dhe të nxjerr konkluzione si duhet të ndryshojmë ne përballë zhvillimeve demokratike. Kjo më mundonte në vazhdimësi pasi shkollat që kisha mbaruar nuk më kanë dhënë përgjigje. Kam qëndruar gjithmonë mbi libra edhe pse kam qenë oficer kimist. Nuk i jam ndarë asnjëherë studimeve. Kam parë si janë të organizuara vendet fqinje ballkanike por edhe ato në Europë. Kam parë me vëmendje konfliktet në ballkan, pse shoqëritë e tjera janë më të qeta, më të organizuara, jetojnë më mirë se ne. Antonio Gramsci thoshte: ‘Heshtja e një shoqërie është një kënetë ku të pret vdekja’, dhe ne nuk duhet të heshtim”.
Ai ka frekuentuar bibliotekën kryesore të vendit me këtë qëllim duke shfletuar shumë, madje edhe duke shkruar mendimet e tij në dorëshkrim.
“Gjithmonë i kam dhënë rëndësi studimit. Sot jam pjesë e sindikatës së pensionistëve dhe të papunëve. Ajo që më mundon më shumë është pyetja: Pse heshtim? Kam lexuar ‘Korrupsioni i bardhë’ në Francë, kam shfletuar me mijëra artikuj për bashkëjetesën në komunitet, gjë që ka të bëjë me mosfunksionimin e demokracisë sonë. Kjo shoqëri duhet të maturohet dhe mund të maturohet vetëm duke mos heshtur. Ende nuk po dalim nga kurthi i tranzicionit që për fat të keq e quajmë demokraci”.
Ai ka edhe një mesazh për brezin e smartphone dhe internetit:
“Teknologjia apo interneti e kanë zbehur interesin për bibliotekën. Mendoj se po dhe kjo shoqëri të heqë dorë nga kufjet, të heqë orë nga sharjet në internet por të lexojë sa më shumë për të mos bërë të njëjtat gabime. Të futet në këto forrma studimi se në fund të fundit shfletojnë demokracinë pasi në të kundërt do të vazhdojmë me të njëjtin mentalitet dhe nuk do të ketë shpresë për Shqipërinë”.
Fondi i Bibliotekës Kombëtare
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shtetëror i librave mban si datë themelimi 10 korrikun e vitit 1920. Si bërthamë shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917, në kontingjencat e njohura të Luftës së Parë Botërore. Në shënimet e tij Karl Patsch shkruante: “Mbasi asht kthye në Tiranë nga Salzburgu ku kishte qene per vizite, Karl Gurakuqi, „ me 10 nânduer 1920, u vûna me shtrue relacjonin mbí misjonin t’em n’Austrí të pjekjes me prof. Patsch-in ashtu edhe rregulloren e bibljothekës (30 faqe të daktilografueme), e cila në vjetin 1922 (shif mâ tutje) vlefti si bazë për krijimin e Bibljothekës Kombtare.
Sikurse u tha në f. 413 të këtij ditari, unë shkova n’Austrí në vjetin 1920 (korrik) për të studjue organizimin e bibljothakavet mbassi i kishim vû themelet bibljothekës së ministrís me librat e ish-komisis letrare të Shkodrës, qi unë i solla prej Shkodre në Tiranë. Rexhep Mitrovica, ministri i Arsimit ishte njerí i kuptueshëm, puntuer i palodhëshëm; e kishte shum për zemër përparimin e vendit me anë veprash kulturore, me hapje shkollash, me botim librash dhe rivístash”.
Më 1920-n, ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar. Në momentin e përurimit si BKSH-së, më 1922 kishte rreth 6000 vëllime. Për periudhën e paraluftës spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur institucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe, Sotir Kolea. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti me një koleksion prej 15 000 vëllimesh. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si “aneks” i saj.
Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kulturës. Në fund të vitit 1947, fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi për BKSH-në, por edhe për kulturën kombëtare ishte dalja më 31.05.1948 e dekretit “Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare”, sipas të cilit i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Ndryshimet demokratike të viteve ’90 sollën mundësi ndryshimi edhe në politikat e Bibliotekës Kombëtare. Deri më 1 janar të vitit 2015, BKSH numëron në fondet e veta rreth 1 164 705 materiale bibliotekare (libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma e materiale të tjera). Fondi i arkivit të botimeve shqip, i antikuarit, i dorëshkrimeve, hartave, si dhe fondi i albano-ballkanologjisë përbëjnë pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturës kombëtare shqiptare e, si të tilla, të kulturës europiane. /tesheshi.com/