Kryetarja e Aleancës së Grave Deputet, Mesila Doda e ka konsideruar këtë aleancë si një model të suksesshëm bashkëpunimi përtej axhendës politike.
Ditën e sotme Doda ka vizituar ceremoninë e inaugurimit të Aleancës së Grave Këshilltare të Tiranës. Pas përfundimit të ceremonisë, në një status të bërë në profilin e saj në Facebook, deputetja demokrate shpreh mbresat e saj.
“Lajm i mirë!!! Sot isha e pranishme në ceremoninë e inaugurimit të Aleancës së Grave Këshilltare të Tiranës. Kënaqësi të shohim një produkt real e imediat të punës sonë si parlamentare që arritëm të ndryshojmë kodin zgjedhor.
Prania e 50% të grave në Këshillin Bashkiak dhe krijimi i Aleancës së tyre, është indikator se Aleanca e Grave Deputete është një model i suksesshëm i bashkëpunimit përtej agjendave partiake. Së bashku, aleancat në nivel qendror e vendor mund të bëjmë shumë më shumë për të rritur e fuqizuar rolin e gruas.
Një Aleancë e madhe e Grave shqiptare do mund të sillte një lëvizje të vërtetë shoqërore për të përmirësuar jetën e tyre dhe të gjithë shqiptarëve”, – shkruan Doda. /tesheshi.com/