Ish-kreu i komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, njëherit kryetari i Degës së LDK-së, alarmon të ketë parë pjesëtarë të uniformuar të ushtrisë serbe duke patrulluar në brendi të territorit të Kosovës, në fshatin Karaqevë të Kamenicës.
Surdulli, që jeton shumë afër punktit të policisë dhe ushtrisë serbe, kërkon nga institucionet kosovare dhe organet e sigurisë që të parandalojnë veprimet e tilla që fusin frikë e panik tek banorët e brezit kufitar.
Surdulli thotë se të dielën rreth orës 13:30, duke u kthyer nga mali që ndodhet në kufiri me Serbinë dhe duke kaluar nëpër rrugën kryesore të lagjes së Bernjasheve, vendi ku thotë se jeton me me familje, ka parë një grup prej rreth 8 pjesëtarëve të uniformuar, me helmeta në kokë dhe me armë të gjata.
“Ne me një fqinj timin Baftjar Bernjashi ishim në oborr të shtëpisë sime dhe menduam që këta pjesëtarë të ushtrisë janë të KFOR-it ukrainas, të cilët ka pasur raste që kanë kaluar kësaj rruge derisa KFOR-i amerikan dhe ai turk më shpesh e frekuentojnë këtë pjesë kufitare të Republikës së Kosovës me Serbinë”, thotë Surdulli për rajonipress.
Ai tha se më vonë kanë ardhë një veturë e policisë së Kosovës me tre policë të vijës së gjelbërt të cilët sipas tij kanë thënë se ishin në përcjellje nga distanca të ushtarëve serb.
”Kurse dje kanë ardhur ushtria Amerikane dhe ajo Turke të KFOR-it me autoblinda dhe një helikopter të cilët e kanë vëzhguar sikur edhe shpesh herë tjera këtë zonë kufitare. Kërkojmë nga KFOR-i, por edhe nga policia e Kosovës si dhe nga institucionet tjera që kjo kurrë mos të përsëritet sepse mund të ketë pasoja në pasigurinë e banorëve”, ka deklaruar Surdulli. /tesheshi.com/