Pak orë pasi Behgjet Pacolli konfirmoi se partia e tij ka shkëputur bashkëpunimin me LDK-në, zyrtarë të AKR-së e kanë quajtur subjektin e Isa Mustafës të pakoordinuar.
Sekretari organizativ i AKR-së, Rrahim Pacolli e ka mirëpritur daljen e AKR-së nga koalicioni me LDK-në, duke thënë se ky koalicion vetëm sa i ka shkaktuar dëme pasi po të garonin të vetëm do fitonin dhjetë vende në Kuvend.
“Si Sekretar Organizativ i partisë Aleanca Kosova e Re, mirëpres ndarjen nga koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativën. Ky koalicion vetëm sa i ka shkaktuar dëme AKR-së. Sikur në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të 11 qershorit, AKR-ja të garonte e vetme, sigurisht që do të merrte 10 mandate deputetësh. Unë, si shef i Shtabit të AKR-së gjatë fushatës për këto zgjedhje, në koalicion me LDK-në, kam vërejtur se ky subjekt politik është totalisht i pakoordinuar, duke ndikuar kështu edhe në numrin më të vogël të deputetëve nga radhët e AKR-së”, ka shkruar Pacolli në Facebook. /tesheshi.com/