Nga Shkëlzen Rrecaj
“Feja e shqiptarit është musliman e të krishterë”, është libri më i ri i akademik Feti Mehdiut, i cili është munduar që t’iu përgjigjet debateve dhe sulmeve që po u bëhen muslimanëve shqiptarë.
Prof. Mehdiu, aty trajton temat që pothuajse çdo ditë i hasim në mediat shqiptare, si: kthimi në identitet, muslimanë apo të krishterë, feja e shqiptarit është shqiptaria, ekstremizmi islam, futja e mësim-besimit në shkolla e shumë çështje të tjera.
Por cili është besimi i shqiptarëve? A ka tolerancë fetare tek shqiptarët? A duhet futur mësim-besimi në shkolla, çfarë është ligji për fetë etj., janë këto pyetje të cilave, për portalin tesheshi.com, u është përgjigjur akademiku i njohur…
Prof. Mehdiu, urime për librin “Feja e shqiptarit është musliman e të krishterë”! Pse vendoset ta botoni këtë libër, me një titull interesant, cila është bërthama e këtij libri?
Ju faleminderit! Shpërbërja e sistemit komunist në vitin 1990 solli një realitet të ri edhe për shqiptarët. Ndrydhja e ndjenjës fetare nga platforma komuniste që propagandonte një sistem jetësor “pa zot”, që e quanin ateizëm, për pesë-gjashtë dekada nuk kishte kaluar pa pasoja. Me demokratizimin e shoqërisë, shqiptarët nisën lirshëm të diskutojnë edhe për fenë/fetë. Vazhdimisht hetohej se diskutimet largoheshin nga realiteti për fenë. Nuk e dallonin fenë nga ideologjia, as nga shkollat fetare dhe fraksionet e ndryshme të maskuara nën plafin e feve. Nga viti 1990, aty këtu dëgjoheshin zëra joracionalë, si rezultat i zbrazësisë që kishte prodhuar ideologjia materialiste (Marksizmi). Shtroheshin për debat tema si: kombi apo feja? Pa atdhe nuk fe! Dëgjoheshin edhe zëra: fe që na përshtatet neve! Fe shqiptare, fe të vogla, fe të mëdha, fe abrahamike, fe aziatike, islam arab, islam shqiptar, evropian, etj.
Me qëllim që të kontribuoj në të kuptuarit drejtë të fenomenit fe dhe për të bërë dallimet ndërmjet fesë dhe ideologjisë, fesë dhe kulturës fetare, ndërmjet fesë dhe shkollave juridike dhe filozofike fetare, nisa me zërin “Shqiptarët me dy kultura fetare” (1991), “Shqiptarët me dy libra të shenjtë”, “Dualizmi në kulturë”, etj., e deri në vitin 2015, kur m’u desh të merrem edhe me projektligjin për liritë fetare në Kosovë. Thelbi i këtij kontributi është dallimi i feve nga ideologjitë dhe përqendrimi i shqiptarëve më seriozisht për pluralizmin fetar në mesin e shqiptarëve pa dalë nga qarku i Librave të Shenjtë, kur flasin për fetë. Librat fetarë janë: Tevrati, Zeburi, Ingjili dhe Kur’ani, kurse fetë që i ka bota janë: Feja Hebreje, Feja Krishtere dhe Feja Islame. Shqiptarët bëjnë pjesë në popull me dy fe: Krishtere dhe Islame.
Jemi në një kohë ku politika dhe mediat janë me të madhe duke propaganduar për ekstremizëm islam, duke sulmuar më shumë Islamin, përderisa në anën tjetër thirret për tolerancë fetare. A ka rrezik për përçarje fetare në këtë kohë që po jetojmë dhe a po kontribuon politika dhe media për përçarje?
Në kohën tonë jo! Por nëse ne qëndrojmë indiferentë, në kohën tonë vihen themelet e përçarjes, nën maskën e fesë – për qëllime ideologjike. Funksionin përçarës e luajnë qarqe politike dhe mediatike. Fetë, thoshte Xhon Kenedi, i bashkojnë njerëzit. Këtu do të theksoja thirrjen që u bën Kur’ani njerëzve për t’u bashkuar në gjërat që i kanë bashkë: “Zoti juaj dhe Zoti jonë është Një!”, dhe përfundimisht shprehet qartë: “Ju keni fenë tuaj, unë kam timen!” A ka më qartë se kjo shprehje në këtë ajet të Kur’anit Fisnik?! Ekstremizmi islam është dëshirë e dashakëqijve për ta mbjellë këtë dhe për të ndërtuar një platformë për të sulmuar fenë Islame, që është në rritje në masat e popujve të botës. Toleranca është një term dhe koncept që aktualisht përdoret joracionalisht. Fetë nuk kanë pse ta durojnë njëra-tjetrën – ato harmonizojnë raportet e ndërsjella sipas Librave të shpallur dhe nuk ka nevojë të durojnë.
Ju në librin tuaj keni përmendur dy fe. A është pasuri kombëtare që si popull i vogël që jemi kemi dy fe?
Po, dy fe, sepse nuk ka tjera! Krishtere dhe Islame. Për mirësjellje mund të përmendim edhe fenë e tretë: Hebreje, por tek shqiptarët ky numër është fare i vogël. Mendoj se është pasuri për popullin shqiptar të lidhet me dy fe që mbizotërojnë në botë. Veç kësaj kanë hise edhe në fenë e tretë, për të plotësuar kushtin e pluralizmit fetarë. Vetëm numri tre quhet plural (shumës, sipas Kur’anit dhe normave gramatikore të gjuhëve semite). Popull i vogël, i thuani ju, por me fat të madh, do të thoja unë! Edhe diversiteti fetar është “ni’amet” dhe sprovë për njerëzit. Kështu shprehet Kur’ani.
Prof. Mehdiu, librin ju e keni titulluar “Feja e shqiptarit është musliman e të krishterë”, me ketë libër a po i kundërviheni Pashko Vasës, i cili ka thënë që feja e shqiptarit është shqiptaria?
Në fakt titulli është formuluar në mbështetje të dy poetëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare: Pashko Vasës dhe A.Z.Çajupit. Nuk e kam menduar për të kundërshtuar askënd. Por dëshiroj të tregoj sesa janë shfrytëzuar dhe si janë keqpërdorur këto dy shprehje poetike të dy kolosëve të poezisë shqipe të Rilindjes Kombëtare. Pasuesit e shprehjes poetike të Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, duhet kthjelluar se shqiptaria nuk është fe! Ideologjitë kombëtare nuk mund të ngrehen në shkallën e fesë. Këtë e ka keqpërdorur në kulminacion ideologjia marksiste, kinse po mobilizonte popullin për unitet kombëtar, por popull pa zot në botë nuk ka. Në anën tjetër shprehjes tjetër: Musliman e të Krishterë, Perëndia na ka bërë – Jemi vëllezër të tërë!, që shpreh një realitet të mbështetur edhe në Libra të shenjtë edhe në akte juridike, sociologjike etj., nuk ia varin veshin fare, ose fort pak.
Po ashtu, ju keni kundërshtuar njohjen me kushtetutë të gjashtë besimeve. Cili është komenti i juaj? Pse jeni kundër dhe cili është qëndrimi i bashkësive fetare?
Të kuptohemi drejt. Unë nuk jam kundër feve, por dëshiroj, dhe ndjej obligim moral, të ndihmoj që fetë të mos keqpërdoren. Të mos përzihen me ideologjitë. Të mos përdoren si maskë për t’i shmangur besimtarët nga porosia që ata e kanë gjetur në Librat e shenjtë: Tevrat, Ingjil dhe Kur’an. Me këta tre Libra përfundon procesi i feve dhe mbyllet kapitulli i përcaktimeve fetare. Ky është realitet i dëshmuar dhe i pranuar fetarisht, shkencërisht, historikisht, por jo i mirëpritur politikisht! Kësaj çështje duhet qasur seriozisht nga qarqe dhe individë me kapacitet e me përgjegjësi morale, profesionale, para së gjithash, por edhe me përgatitje kulturore, sepse fetë janë themelues dhe bartëse të kulturave. Shifra “gjashtë besime…” sa e di unë, nuk është kategori kushtetuese as në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ligji për të cilin unë kam reaguar është i stërngarkuar me vlera ideologjike e politike, me formulime jo të sakta, të paqarta. Ashtu si është propozuar i vënë fetë në pozitë të shoqatave joqeveritare dhe lë të hapur procesin e “formimit” të feve të reja, të paketuara me kostum fetar, me nomenklaturë të paqartë: “…gjashtë (6) bashkësi fetare, … mund të regjistrohen edhe bashkësi të reja fetare, nëse i kanë: “… të paktën pesëdhjetë (50) anëtarë”. Kjo është normë për regjistrim të shoqatave joqeveritare – sa di unë. Ndërsa për fe, duhet të ketë Libër të shpallur, siç janë Tevrati, Ingjili dhe Kur’ani, si dhe bartës të atij Libri, siç janë: Musa, Isa dhe Muhammedi. Bashkësitë fetare, si duket, ngurrojnë të përballen me këtë çështje ashtu si e meriton. Ato janë jashtë sistemit – nuk e kanë as statusin e shoqatës joqeveritare. Ndoshta për këtë edhe heshtin. Për mendimin tim ky ligj nuk mund të bëhet dhe të jetë afatgjatë i qëndrueshëm, pa konsultim më të gjerë e më të thellë me kompetentët e institucioneve fetare. Ajo çka shihet, deri tash, ky ligj është përgatitur pa përfillur mendimet e institucioneve fetare.
Islamizëm, Muhamedanizem, dogma Muhamedane. Cili është komenti juaj për këto formulime?
Formulimi i parë, disi shkon, me pak përpunime kreative! Është më mirë të jetë pa mbaresën “izëm”, që formon nocion abstrakt. Mund të qëndrojë thjeshtë: Islame, në Islam, etj. Dy tjerat: Muhamedanizëm dhe dogma Muahamedane, nuk mund të qëndrojnë fare! Thjeshtë nga fakti se Muhammedi a.s. nuk është teoricient e as themelues i Fesë Islame.
Po debatin mbi identitetin fetar, si e komentoni?
Thjesht, humbje kohe rreth një procesi të përmbyllur kaherë edhe për popullin shqiptar. Pas periudhës së Islamit post-kur’anor, nuk ka fare logjikë të trumbetosh për fe të reja. Sot e plotësova fenë tuaj… thuhet në Kur’an qysh në shekullin e shtatë. Shqiptarët nuk kanë problem me identitet fetar: mysliman ose i krishterë. Ata që dëshirojnë të manipulojnë me ideologjitë, nën maskë të fesë – le të mendojnë vetë se çfarë shërbimi po bëjnë me ithtarët e tyre! Historia na ka lënë shembuj se ata që kanë provuar të manipulojnë me fetë e kanë pësuar keq. Kujtoni popullin e Nuhit, të Hudit, të Lutit, etj.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një organizim tha që duhet të futet lënda fetare në shkolla, deklaratë kjo që shkaktoi debat të madh dhe u shoqëruar me zëra pro dhe kundër. Cili është qëndrimi i juaj për futjen e lëndës fetare në shkolla dhe pse duhet futur lënda fetare?
Kjo mund të diskutohet edhe si çështje më vete. Sidoqoftë, edhe këtu mund të thuhet diçka më shkurtimisht. Kryeministri i Shqipërisë e tha shumë qartë, shkollat t’i hapin dyert për t’i mësuar fëmijët tanë njohuritë për fetë. Pra, mos i lëmë të bien në gracka të njerëzve të pandërgjegjshëm… Këtu realisht fjala është për rikthimin e arsimit fetar në shkolla publike – asgjë të re nuk ka këtu! Vetëm duhet që përgjegjësit e arsimit të publik dhe ata të spektrit fetar të ulen seriozisht, të rilexojnë historinë e arsimit në hapësirën shqiptare dhe të hulumtojnë modalitetet që kërkon koha, për të plotësuar një mangësi të theksuar në sistemin e arsimit publik. Mund të shfrytëzojnë përvojën e shteteve të Bashkimit Evropian, pa injoruar përvojën vendëse. Kjo u takon institucioneve relevante shtetërore me kompetencë e përgjegjësi morale, pa e nënçmuar aspak kontributin që mund të ofrojnë edhe subjekte të tjera brenda vendit.
Kam qenë edhe unë pjesë e debatit në Studio e hapur: Radio Tirana – Prishtina – Shkupi dhe jam shprehur qartë se nuk ka arsye për zvarritje të kësaj çështjeje. Njëlloj vazhdoj të qëndroj pas asaj çka kam thënë në atë kohë. Me një korrigjim të shprehjes që e ke përdorur ti – jo futje, por rikthim i arsimit fetar në shkolla publike. Kjo duhet bërë për të vetmen arsye për të kryer obligimin ndaj rinisë tonë, ardhmërisë së vendit tonë! Për të shpëtuar brezat që vijnë pas nesh që mos bien në gracka të ideologjive të maskuara me petkun e fesë.
Pse nuk duhet reformuar feja islame?!
Mendoj se në Librat e shpallur, që janë bartëse të feve, konkretisht të Fesë Islame, nuk ka zbrazësi që duhet ta plotësojmë ne. U mbetet njerëzve të reformojnë veten së pari e mandej qarqet shoqërore të harmonizojnë normat shoqërore me ato islame. Nëse mendohet për kulturë islame, ajo ka tjetër tretman. Vija ndarëse fe islame – kulturë fetare, fe- shkollë fetare, duhen respektuar me korrektësi.
Si e përshkruani figurën e Pejgamberit Muhammedit a.s në librin tuaj?
Kryesisht ashtu dhe aq sa përmendet në Kur’an. Njeri me cilësi të larta morale, modest, i devotshëm, i drejtë, i nderuar nga rrethi dhe i çmuar nga bashkëpunëtorët dhe bashkëkohësit e tij, në çdo pikëpamje. I Dërguar i All-llahut, Vulë e të Dërguarve. Mëshirë për të gjitha botërat! tesheshi.com/