Nga arratia, kësaj herë jo për televizonin e familjes Berisha, ish-kryeministri Arben Ahmetaj ka dhënë intervistën e radhës, duke ofruar një panoramë të errët të fatit të tij në Shqipëri.
Me teprime të dukshme, tipike si një mundësi për të ofruar azil, ai foli dhe për një version hipotetik të eliminimit të tij fizik.
Duke folur për Vincent W.J. van Gerven Oie e quajtur për të disatën herë si “politike” ndjekjen e tij penale, Ahmetaj ka pretenduar kërcënime që kanë ardhur në adresën e tij dhe të familjarëve.
Ish-besniku i Ramës ka zbuluar se që prej vitit 2022, kohë kur dhe u shkarkua nga kryeministri Edi Rama, filloi përndjekja e tij. I frikësuar për jetën, Ahmetaj tha se u largua nga Shqipëria, pasi përpos për veten kishte dhe frikë për familjen e tij.
“Menjëherë pasi u shkarkova nga Kryeministri. Ishte shtator apo tetor 2022 kur filloi përndjekja. Pastaj largova familjen. Nuk u ktheva më në Shqipëri sepse kisha frikë për jetën time. Kisha frikë për jetën e familjes sime.
Nëse do të përfundoja në burg, jam i sigurt që nuk do dilja i gjallë nga andej. Duke ditur që jam pak emocional, ata do të kishin krijuar ndonjë incident në burg dhe do të thoshin: ‘Eh, që ta dini, ngaqë u grind, prandaj u vra’, ka thënë Ahmetaj.
Sipas asaj që ish-zv.kryeministri dhe ish-ministri i Financave tha, përveçse se kërcënuesit kishin akses tek kamerat e pallatit në kryeqytet ku ai jetonte, ata kishin kërcënuar edhe dadon që partnerja e Ahmetaj kishte punësuar për tu kujdesur për fëmijën e tyre.
“Gruaja ime e tanishme kishte punësuar një dado filipinase dhe në një moment ajo po qante. Doli se ishte kërcënuar për të bërë foto e video të miat dhe të asaj që ndodhte në shtëpinë time dhe për t’ua dorëzuar këto njerëzve në një kompani të quajtur Emerald Spa. Atëhere u tmerrova vërtet”, tha Ahmetaj ndër të tjera.
Por ky lloj thrilleri që Ahmetaj pretendon se ka ndodhur rreth tij dhe me shënjestër pikërisht atë, ngjan si të ishte kundërshtar i Putinit e jo prej një politikani të zakonshëm shqiptar, paçka posteve të larta që ka mbajtur, pjesë e një politike të rëndomtë e jo aq kriminale sa e ka servirur, duke e heroizuar veten deri në nivele qesharake. /tesheshi.com/