Ndalimi i burkinit në plazhet e disa qyteteve në Francë ka ndezur debate të forta publike, e mes tyre nuk mund të qëndronte në heshtje krijuesja e këtij kostumi banjoje për gratë dhe vajzat muslimane. Muslimania australiane Aheda Zanetti rrëfen në një artikull për “the Guardian” si e krijoi veshjen dhe bën një analizë interesante të zhvillimeve në Francë e gjetkë. Më poshtë shkrimi i saj:
“Kur krijova burkinin në fillim të vitit 2004, ishte për t’u dhënë grave liri, e jo për t’ua marrë atë. Mbesa ime dëshironte të luante netboll, por ishte paksa e vështirë ta fusje atë në skuadër – pasi ajo ishte e veshur me xhihab. Motra ime u desh të luftonte që vajza e saj të luante, u desh të debatonte çështjen dhe të ngrinte diskutimin përse kjp vajzë ndalohej të luante netboll për shkak të modestisë së saj?
Kur ajo më në fund, u lejua të luante, ne shkuam të gjithë për ta parë dhe mbështetur dhe ajo që kishte veshur ishte tërësisht e papërshtatshme për një uniform sportive – pantallona dhe xhihabin e saj, tërësisht të papërshtatshme për çdo lloj sporti. Ajo dukej si një domate pasi ishte bërë aq e kuqe dhe e vaposur.
Kështu, që shkova në shtëpi dhe po kërkoja diçka që mund të ishte më e mirë për ta që ta vishte ndërsa luante, një kostum sportive për vajzat muslimane, dhe nuk mund të gjeja asgjë. E dija se nuk kishte diçka të tillë në Australi. Kjo më futi në mendime pasi kur isha vajzë gjithnjë mungoja në orën e sportit – ne nuk merrnim pjesë në asgjë për shkak se kishim zgjedhur të ishim modeste, por për mbesën time unë dëshiroja të gjeja diçka që do të përshtatej me stilin asutralian të jetës dhe me veshjet perëndimore e në të njëjtën kohë të përmbushte nevojat e një vajze muslimane.
Kështu u ula në dhomën time të ndenjies dhe dizenjova diçka. Shqyrtova shaminë dhe hoqa goxha nga copa e tepërt, diçka që më bëri nervoze – a do ta pranonte komuniteti im islamik këtë? Shamia supozohet të mbulojë flokët dhe formën, asgjë në trup nuk duhet të tregojë forma. Por ajo që bëra unë ishte që të merrte formë rreth qafës. Mendova, është vetëm forma e qafës, nuk ka vërtet shumë rëndësi.
Përpara se të hidhja në treg, nxorra një mostër me një pyetësor për të zbuluar se çfarë do të mendonin njerëzit – a do ta vishnit këtë? A do t’ju inkurajonte kjo veshje të jeni më aktivë? Të luani më shumë sport? Të notoni? Shumë njerëz në komunitetin tim nuk dinin nëse duhej ta pranonin, por unë e hodha në treg dhe rezultoi një zgjedhje e mirë.
Burkini u soll në vëmendjen e të gjithëve kur në Australi u paraqit një program për integrimin e djemve dhe vajzave muslimanë në sërf, pas protestave Cronulla – ata kishin marrë kërkesën e një vajze muslimane që dëshironte të garonte në sërf. Ajo kishte veshur një burkini.
Pas shtatorit 2011, protestave Cronulla, ndalimit të shamisë në Francë dhe pasojave të tjera që erdhën me sulmet, – a thua se ne ishim njerëzit e këqinj për shkak të një dore kriminelësh që nuk flasin në emër të muslimanëve – unë vërtet dëshiroja që askush të mos i gjykonte vajzat që vishnin burkini. Është thjesht zgjedhja e një vajze që dëshiron të jetë modeste.
Kur ia vura emrin e burkinit, nuk mendova në të vërtetë se ishte një burka për plazh. Burka ishte thjesht një fjalë për mua – unë jam rritur në Australi gjithë jetën, dhe kisha dizenjuar këtë kostum banjoje dhe më duhet ta quaja diçka. Ishte një kombinim i dy kulturave- ne jemi asutralianë por jemi muslimanë nga zgjedhja. Burka nuk simbolizon asgjë këtu, dhe nuk është e përmendur në Kuran dhe besimi ynë nuk na kërkon të mbulojmë fytyrën, është zgjedhja e atij që vishet ta bëjë këtë. M’u desh të kërkojë për fjalën e cila përshkruhej si një lloj palltoje që mbulonte gjithçka, ndërsa nga ana tjetër ishte bikini, kështu që unë i kombinova të dyja.
Ky negativitet që po ndodh tani dhe ajo që po ndodh në Francë më trishton shumë. Shpresoj të mos jetë për shkak të rracizmit. Unë mendoj se ata e kanë keqkuptuar veshjen që është kaq pozitive – ajo simolizon argëtimin dhe lumturinë, fitness dhe shëndetin dhe tani ata u kërkojnë grave ta heqin në plazh dhe të kthehen në kuzhinat e tyre.
Ajo u ka dhënë grave liri, dhe ata duan t’ia marrin atë liri? Kështu që kush janë më të mirë, talibanët apo politikanët francezë? Ata janë po aq të këqinj.
Nuk mendoj se ndonjë burrë duhet të shqetësohet sesi vishen gratë – askush nuk na detyron, është zgjedhje e gruas. Ajo që shihni është zgjedhja jonë. A e quaj veten time feminist? Po, ndoshta. Më pëlqen të qëndroj pas burrit tim, por unë jam motorri dhe kam zgjedhur të jem. Unë dua që ai të marrë gjithë meritat, por unë jam një fitimtare e heshtur.
Do më pëlqente të isha në Francë për ta thënë këtë: jeni keqkuptuar. Dhe ka shumë probleme në botë për t’u shqetësuar, përse duhen krijuar të tjera? Keni marrë një produkt që simbolizon lumturinë dhe gëzimin dhe fitnesin dhe e keni shndërruar në një produkt urrejtjeje.
Gjithashtu, cilat janë vlerat franceze? Ajo që ju kuptoni nuk kombinohet me vlerat franceze, e çfarë do të do të thotë kjo? Liri? Ju po na thoni çfarë të veshim, ju po na thoni se çfarë nuk duhet të bëjmë e kjo do t’i sjellë gratë në shtëpitë e tyre – çfarë doni që të bëjmë pastaj? Do të ketë pasoja. Nëse ju ndani kombin dhe nuk dëgjoni e nuk punoni për gjërat që natyralisht njerëzit duhet t’i kenë, dikush do të zemërohet. Nëse ju i shtyni njerëzit tutje – kjo është pa dyshim një gjë jo e mirë për çdo politikan, në çdo vend.
Më kujtohet kur testova për herë të parë burkinin. Së pari e testova në vaskën e shtëpisë sime, pastaj duhej të sigurohesha që funksiononte. M’u desh ta testojë për zhytje, kështu që shkova në një pishinë lokale. Mbaj mend se të gjithë po më shikonin se çfarë kisha veshur. Shkova drejt e në fund të pishinës dhe u zhyta. Pjesa e shamisë së kokës qëndroi në venddhe unë mendova: bukur. Perfekt.
Ishte hera e parë që unë notoja në public dhe ishte absolutisht bukur. Mbaj mend se u ndjeva kaq e qartë. Ndjeva lirinë, fuqinë, sikur e zotëroja pishinën. Eca deri në fund të pishinës me trupin drejt.
Zhytja në ujë është një nga ndjesitë më të mira në botë. Dhe e dini çfarë? Unë vesh bikini poshtë burkinit tim. Kam më të mirat e dy botëve”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/