Nga Ermir Hoxha
Gjergji Mano është drejtuesi aktual i Parkut Kombëtar të Butrintit. Dallon nga paraardhësit pasi është i “shtëpisë”, që si të thuash është rritur me të duke qenë banor i zonës.
Sakaq, Butrinti vetë është ndër të rrallat punë që kanë ecur mbroth në këtë vend gjatë tranzicionit. Tek Butrinti, suksesi dhe të ardhurat, ne shohim dëshpërimisht se sa ndryshe do ishte Shqipëria sikur të ruhej e menaxhohej porsi Butrinti.
Këtë dëshiron të thotë dhe drejtori Mano në intervistën e tij…
Çdo të thotë të jesh në krye të një prej monumenteve më unike të trashëgimisë antike, Butrintit?
Pa dyshim që, në radhë të parë, është privilegj të të jepet mundësia të drejtosh një nga parqet më unikale jo vetëm në vend por edhe në rajon, por është edhe një sfidë e vërtetë, sepse Parku Kombëtar i Butrintit nuk është thjesht një itinerar turistik mes një pylli të mrekullueshëm mes rrënojash nga njeri monument në tjetrin. Pra, nuk është vetëm qyteti antik, i cili qëndron në zemër të tij dhe është pjesa më e rëndësishme dhe mëe vizitueshme, por është edhe gjithçka tjetër që ndodhet përreth Liqenit të Butrintit deri në brigjet perëndimore dhe jugore të Detit Jon, me një sipërfaqe totale prej 9424.4 ha. Butrinti nuk është vetëm një vlerë e rrallë e trashëgimisë kulturore në botë, për të cilën u rendit në fillim të viteve 90-të në listën e vendeve të mbrojtura nga UNESCO-ja, por është njëkohësisht edhe një potencial i pakrahasueshëm mjedisor, me florë dhe faunë të rrallë, duke qenë një zonë ligatinore e rëndësisë së veçantë e mbrojtur nga Konventa Ramsar që prej vitit 2003.
Si janë treguesit e vizitueshmërisë këtë vit?
Numrat e vizitorëve në Butrint kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit për të kapërcyer shifrën prej 100 000 vizitorësh për herë të parë vitin e shkuar. Statistikat e 6-mujorit të parë të këtij viti (janar-qershor 2015) tregojnë se, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, patëm një rritje prej 47.7% të numrit të vizitorëve dhe 59% të të ardhurave prej biletave të hyrjes. Ky trend rritjeje ka vazhduar edhe në periudhen korrik-gusht me një numër mesatar prej 1500 vizitorësh në ditë, madje për herë të parë në datën 4 gusht 2015 u arrit një shifër rekord prej 2470 vizitorësh në ditë, duke na dhënë sigurine që do të arrijmëobjektivin tonë prej 130 000 vizitorësh për vitin 2015.
Shqipëria i ka të shumta monumentet e trashëgimisë, por të rralla ato që janë mirëmenaxhuar e vënë në funksion të turizmit. A duhet të vlejë Butrinti si një model frymëzues e si referencë suksesi edhe për të tjera pasuri të ngjashme në vlerën e tyre unikale që “flejnë” në harresë?
Butrinti gjithmonë ka qenë i pakrahasuar me ndonjë nga sitet dhe parqet në Shqipëri, qoftë për mënyrën e funksionimit, qoftë për vizitueshmërinë dhe madje vazhdon të merret si shembull i veçantë për mënyrën se si duhet menaxhuar fluksi turistik, trashëgimia, por edhe mjedisi. Kjo nuk do të ishte arritur nëse nuk do të ishte futur që herët, në fillim të viteve 90-të, në Listën e Trashëgimisë Kulturore të mbrojtur nga UNESCO-ja, si dhe dhënien e statusit të veçantë të Parkut Kombëtar dhe ngritjen e Zyrës së Administrim Koordinimit në vitin 2000 me kontributin e veçantë të Ministrit të Kulturës së asaj kohe, Z. Edi Rama. Pastaj bashkëpunimi me Fondacionin Butrinti solli jo vetëm fonde të konsiderueshme për të bërë ndërhyrje në arkeologji, monumente, mjedis, turizëm dhe infrastrukturë, por ajo qëështë më e rëndësishmja, e promovoi Butrintin duke sjellë përveç numrash gjithnjë e në rritje vizitorësh, edhe një numër të konsiderueshëm specialistësh dhe ekspertësh të fushave përkatëse, të cilët ndihmuan në rritjen e kapaciteteve lokale për të siguruar qëndrueshmërinë e progresit dhe vazhdimin e punës për përmirësimin e performancës dhe shërbimeve. Edhe pse jo me të njëjtin aktivitet, ata vazhdojnë të jenë mbështetës duke siguruar grante për projekte të ndryshme që ata i vlerësojnë si të domosdoshme, fizible dhe inovatore. Por do të ishte e padrejtë që të mos përmendeshin edhe partnerë të tjerë seriozë që kanë vënë një tullë në këtë ngrehinë suksesi që kemi sot dhe, padyshim, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit është një nga ata, me disa projekte të rëndësishme, një prej të cilave biletaria elektronike dhe sistemi i kamerave, por edhe me dëshirë dhe ambicie për të vazhduar të tjera projekte inovatore në Butrint. Si rrjedhojë e këtyre arritjeve të dallueshme dhe të pakrahasueshme me asnjë park apo sit tjetër në vend, për ministrinë e linjës përvoja e Butrintit ka shërbyer si referencë e rëndësishme për ndërtimin e strukturave të menaxhimit në parqe dhe site të tjera, po ashtu edhe për hartimin e legjislacionit për trashëgiminë kulturore. Dhe me thënë të vërtetën, edhe parqe dhe site të tjera kanë filluar të funksionojnë, të kthehen në pole atraksioni në zonën e tyre dhe të gjenerojnë të ardhura të mira me perspektivën e shndërrimit në subjekte me kapacitete vetadministrimi.
E veçanta e Butrintit është se, në raport me shumë probleme të tranzicionit tonë, ka arritur të mbijetojë i pacënuar e ta përmirësojë shërbimin. A ka ende për të bërë në këtë drejtim dhe cili është vizioni juaj për ta bërë këtë park më të aksesueshëm nga vizitorët?
Në shifra Butrinti gjithmonë ka qenë i krahasueshëm vetëm me vetveten me një rritje spektakolare nga rreth 14 milion lekë në 2006 në rreth 41 milion lekë në 2014, nga rreth 40 mijë vizitorë në 2006 në mbi 100 mijë vizitorë në 2014. Siç e thashë edhe më lart, vëmendja e qeverive në vazhdimësi dhe interesimi i partnerëve të huaj menjëherë pas ndryshimit të sistemit, duke marrë vendime dhe nxjerrë akte nënligjore të posaçme, si dhe duke hartuar plane menaxhimi 5-vjeçare dhe ndërtuar strukturat e duhura për të menaxhuar këto zhvillime, jo vetëm që e shpëtoi, në përgjithësi, Butrintin nga problemet e tranzicionit, por edhe e vuri në binarët e duhur menaxhimin e tij. Por me shifrat e sipërpërmendura që tregojnë një rritje konstante të interesimit për Butrintin, madje duke e radhitur sivjet në 10 destinacionet që nuk duhen lënë pa vizituar në Europë, mendoj se ka ardhur momenti që menaxhimi duhet të ngrihet në një nivel më të lartë, për të siguruar që shërbimi që vizitori merr në Butrint të jetë i krahasueshëm me sitet dhe parqet simotra në botë dhe përjetimi që e kaplon të jetë unik dhe i veçantë.
Për ata që janë marrë më Butrintin, thonë se është një dashuri e pangjashme në lloj – tërheqëse për këdo, si për atë që e viziton e si për atë që merret punët e tij. Ju ka kapluar dhe juve kjo lloj dashurie?
Midis të gjitha qendrave arkeologjike klasike të Mesdheut, Butrinti dallohet për ndërthurjen që ka me natyrën dhe Butrinti për shumicën e vizitorëve nuk është thjesht një vizitë, por është një përvojë, një përjetim personal. Kthimi në Butrint për njeriun është njëlloj për nga natyra me kthimin tek dashuria e parë, kthimin në vendlindje, nostalgjinë për fëmijërinë e ndjenja të tilla të papërsëritshme në jetë.Për ata që kanë punuar dhe punojnë për Butrintin, marrëdhënia me të kthehet në një lidhje pasionante. Ky pasion është në themel të kësaj qëështë arritur në Butrint për ta kthyer atë në histori suksesi dhe është ky pasion që i bashkon të gjithë ata njerëz që kanë kaluar këtej, kanë lënë zemrën, mendjen dhe shpirtin këtu, dhe vazhdojnë të jenë bashkë në kontributin e tyre kudo që ndodhen tani, brenda apo jashtë vendit, qofshin shqiptarë apo të huaj.
Jeni rritur më Butrintin tek “pragu i derës”, ç`ndjesi u ka përcjellë në kohë?
Megjithëse nuk dua ta përjashtoj veten nga ata njerëz që përshkrova më sipër, madje bëj të gjitha përpjekjet që të vendos kontakt me ta, jo vetëm në shenjë mirënjohjeje për gjithçka kanë bërë dhe bëjnë për Butrintin, por edhe për t’u këshilluar dhe ndarë ide dhe projekte të së ardhmes, prapëseprapë me mua është krejt ndryshe. Unë jam lindur dhe rritur në një fshat vetëm pak kilometra larg nga Butrinti dhe gjatë gjithë jetës, kur kam qenë larg vendlindjes për të vazhduar shkollimin, punuar apo udhëtuar, Butrinti ka qenë krenaria por edhe busulla e orientimit. Kush nuk do të kishte pasur qejf që, sa herë ta pyesnin për vendin e lindjes, të mburrej duke iu referuar një fshati pranë Butrintit!
Ju jeni drejtues i saj sot. Dhe besoj që të jesh në krye të Butrintit, nuk është thjesht një çështje rroge, siç thoshte një prej parardhësve tuaj. Është e vërtetë kjo?
Kush është në kërkim të një rroge dhe vjen të marrë përsipër drejtimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, e siguroj që do të ishte më mirë të shikonte për gjëra më të lehta diku tjetër. Të drejtosh Butrintin është një sfidë e vërtetë. Me emrin dhe rrezatimin që ky vend ka përtej kufijve të Shqipërisë, mirëmenaxhimi i punëve të tij nuk mund të arrihet as duke parë orën, as duke parë borderon. Butrinti përbën një peshë të tillë përgjegjësie që nuk mund ta mbajnë as shpatullat e një drejtori, as supet e një stafi modest prej 14 vetësh. Me veprimtaritë që organizojmë dhe mbështetjen që u japim, bëjmë përpjekje të bëjmë pjesë të bashkëmenaxhimit komunitetet vendore dhe përfaqesuesit e tyre në këshilla dhe administrata lokale. Përpiqemi të lobojmë me përfaqësues politikë si dhe ofrojmë bashkëpunim tek përfaqësues të organizatave jofitimprurëse, të donatorëve dhe agjensive të ndryshme publike dhe jopublike për të hartuar projekte dhe gjeneruar fonde për projekte të tjera në infrastrukturë, restaurim, mjedis, kulturë, etj. Jo më kot kemi promovuar nismat: “Bëhu Mik i Butrintit” dhe “Bëhu Partneri Butrintit”, me qëllim që shumë shpejt të kemi rrjetin e madh të miqve dhe partnerëve të Butrintit, i cili, sikur vetëm nëpërmjet mediave sociale që janë bërë kaq aktive në kohët e sotme të kontribuonte, do tëpërbënte një fuqi të jashtëzakonshme promovimi dhe suporti për punët e mëdha që kemi planifikuar.
A mund të thuhet për Butrintin “lum Shqipëria që e ka”?
Shqiptarët kanë kohë që krenohen me Butrintin dhe bashkëkombasit nga Kosova dhe Maqedonia akoma më tepër, kur dëgjon se sa fëmijë të tyre kanë marrë emrin e Butrintit. Sot nuk habitesh më që të dëgjosh të huajt të thonë kështu për Butrintin. Ama përtej krenarisë dhe kënaqësisë për këtë pasuri të rrallë, ky vend ka nevojë per kontributin e gjithësecilit prej nesh për ta ruajtur, mirëmbajtur dhe promovuar. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për qytetin antik me monumentete rralla, dëshmi të jetës së pandërprerë në disa qytetërime, por edhe vlera të tjera të pakrahasueshme të natyrës, me biodiversitetin, florën dhe faunën e veçantë, deri tek pasuritë e tjera jo sa duhet të evidentuara, si folklori, punimet artizanale, kostumet, e deri tek trashëgimia vernakulare. /tesheshi.com/