Është një politikan-biznesmen që për 30 ditë ka mundur në zgjedhje lokale të vitit 2013 degën e PDK-së, më të fortën në tërë Kosovë; ka akuzuar rëndë krerët qendrorë të kësaj partie e SHIK-un; ka anashkaluar tërësisht ish-kryetarin e degës së LDK-së në Mitrovicë, Sadri Feratin, duke arritur koalicion me Isa Mustafën.
Vazhdojmë më tej: ka ndarë në dysh degën e AAK-së në Mitrovicë, si dhe nuk e ka përfillur fare kryetarin e degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastratin, duke e quajtur “kukull”.
Ka thyer dhe nuk ka përfillur fare vendimin e dy qeverive, atë të Kosovës dhe të Shqipërisë, për vendvarrimin e eshtrave të Isa Boletinit, e tani është duke luajtur, sa me kryeministrin Isa Mustafa e sa me z/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi, për të përfituar maksimalisht prej tyre.
E pra, ky është politikani – biznesmen, kryetari aktual i komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri.
Mitrovica ka rreth një muaj që jeton nën ethet e një koalicioni të ri qeverisës, ndërsa kryetari Bahtiri ri i qetë në zyrën e tij në Mitrovicë pa dhënë asnjë sqarim votuesve të tij për deklaratat se do ta ndërrojë partnerin qeverisës LDK-në, duke afruar për qeverisje PDK-në e Avni Kastratit, të degës lokale pra.
Por si erdhi puna deri këtu?
Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, Partia e Behxhet Pacollit, AKR, dega Mitrovicë, kandidon për kryetar komune, një njeri të panjohur, një biznesmen të këpurdhave i cili vinte nga emigracioni i shqiptarëve të Kosovës i viteve 90-të, Agim Bahtirin.
Për rreth 30 ditë fushatë elektorale, Bahtiri ka akuzuar krerët e PDK-së, Hashim Thaqin e Kadri Veselin se kanë kapur nëpërmjet SHIK-ut, ekonominë e biznesin mitrovicas.
Akuzonte Sami Lushtakun, kryetarin e Skënderajt, se i merr të gjithë tenderat në Mitrovicë dhe se këtë do ta ndërpriste, e se biznesi do të lirohej nga kthetra e haraçit dhe korrupsionit.
“Më vështirë e kam pas me i mbledh bijat, se sa ta mund degën më të fortë të PDK-së në tërë Kosovën”, ka thënë Bahtiri pas fitores në Mitrovicë.
Agim Bahtiri, në balotazh, me nuhatjen tipike të një biznesmeni, vëren se ish-kryetari i degës së LDK-së në Mitrovicë, Sadri Ferati, po e zvarrit arritjen e koalicionit parazgjedhor; e kështu, ai anashkalon Feratin dhe arrin marrëveshjen e koalicionit me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, në Prishtinë. Ai gjithashtu ka ndarë në dysh degën e AAK-së në Mitrovicë, një pjesë të së cilës ende është në koalicionin qeverisës.
Politikani-biznesmen, pse jo, edhe kontravers, Agim Bahtiri, në fillim të këtij viti shpalli në media se do ta ndryshojë koalicionin qeverisës me LDK-në dhe se do afrohej në qeverisje me PDK-në e Hashim Thaçit.
Dhe pa një pa dy, kreu i PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, menjëherë e takoi Bahtirin duke u pajtuar për koalicion të ri qeverisës, duke caktuar menjëherë edhe drejtorët e drejtorive.
Por pas rreth një muaji, Bahtiri tha se PDK-ja nuk është e denjë dhe se po vazhdon koalicionin qeverisës me LDK-në, duke ndërruar vetëm një drejtor, atë Drejtorisë atë për Kulturë Rini e Sport, që vinte nga radhët e LDK-së.
Ky ishte një poshtërim për elektoratin e PDK-së në Mitrovicë, që është dega më e madhe e kësaj partie në tërë Kosovën.
Një “anonimus” në politikë, siç e quajnë kundërshtarët e tij, Agim Bahtiri shkon edhe më tej.
Dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, pra Isa Mustafa e Hashim Thaci nga Kosova e Edi Rama e Ilir Meta nga Tirana, “bëjnë pazar por pa hanxhiun”, me eshtrat e heroit kombëtar, Isa Boletinit.
Dy qeveritë vendosën në një takim në Tiranë se eshtrat e Isës e bashkëluftëtarëve të tij do të varrosen në Vlorë e jo në Boletin, më 10 qershor.
Por Agim Bahtiri, këtë vendim e kundërshtoi, fuqishëm siç thotë ai, duke pasur përkrahjen edhe të popullatës, çka bëri që vendimin e Isa Mustafës e Hashim Thaçit në njërën anë dhe të Edi Ramës e Ilir Metës në anën tjetër ta thyejë haptazi, duke detyruar varrosjen eshtrave të Isa Boletinit e bashkëluftëtarëve të tij në Boletin, më 10 qershor.
Dhe ndodhi më pas që këta katër burra u zemëruan nga “fitorja” e Bahtirit me vendvarrimin e eshtrave të bacës Isë, ndaj dhe nuk morën fare pjesë në ceremoni.
Tanimë ka filluar lufta e heshtur politike në qeverinë e Kosovës në mes të partnerëve qeverisës, Isa Mustafës e Avdulla Hotit nga njëra anë dhe Hashim Thaçit e Kadri Veselit nga ana tjetër, për qeverisje në Mitrovicë.
Agim Bahtiri, nga Brukseli, në fund të gushtit çon selam në Mitrovicë përmes motrës së tij se do ta prishë koalicionin me LDK-në e do të shkojë me PDK-në.
Bahtiri në Bruksel ishe dakorduar me Hashim Thaçin për koalicion të ri, e për këtë, ky i fundit kishte ra dakort me vartësin e tij, Kadri Veselin.
Veseli këshillon kryetarin e degës, Avni Kastratin, që të fillojë negociatat për koalicion me Bahtirin, gjë që edhe e bënë.
Kastrati edhe kësaj radhe në restorantin ‘Vig’ në fshatin Kushtovë arrin marrëveshje me Bahtirin duke caktuar edhe drejtorët e drejtorive.
Tek PDK-ja vërehej një gëzim, që për fat të keq nuk po realizohet, pasiqë politikani- biznesmen po luan me kartën e parave, kush jep më shumë.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke parë se Bahtiri po e çon në opozitë LDK-në në Mitrovicë, herët në mëngjes nis për Mitrovicë emisarin e tij, ministrin e Financave, Avdullah Hotin.
‘Kuleta’ e Kosovës, Hoti, në Mitrovicë i thotë Bahtirit se i ke 20 milion euro në buxhetin e Komunës, vetëm mos e prish koalicionin me LDK-në, si dhe 800 mijë euro të tjera për shlyerjen e borxheve të Komunës.
Por politikani-biznesmen vetëm hesht, nuk merr asnjë vendim rreth koalicionit, pasi pret ofertën nga PDK-ja e Hashim Thaçit dhe e Kadri Veselit.
Në Mitrovicë është duke u folur me të madhe se Hashim Thaci i ka premtuar Bahtirit se, nëse prish koalicionin me LDK-në dhe bën koalicion të ri me PDK-në, nga buxheti i Kosovës do t’i ndajë për të, pra për komunën e Mitrovicës, 25 milion euro.
Elektorati i PDK-së, i pakënaqur me vendimet e marra të kryesisë dhe kryetarit të degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastratit, kërkon që ai dhe kryesia të japin dorëheqje, pasi që për të dytën herë rradhazi munden politikisht nga Agim Bahtiri, ish-biznesmeni i kërpurdhave. /tesheshi.com/