Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë të ditur nësë do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës e cila është caktuar për të mërkurën në ora 11, e në të cilën pritet që të votohet qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, gjatë një deklarimi për media tha Vetëvendosje do të kundërshtojë siç e quajti ai “rrëmbimin e fitores së Vetëvendosjes”.
“Ata kanë një target, që ta rrëmbejnë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, fitoren e qytetarëve dhe ta tjetërsojnë atë”, tha Selimi.
“Lëvizja Vetëvendosje si gjithmonë edhe nesër do të jetë në anën e të drejtës së qytetarëve për të zgjedhurin e vet. Do të jetë në përputhje më qëndrimet e saj politike dhe secili deputet do të jetë në përputhje me mandatin e tij dhe me besimin që i kanë dhënë qytetarët”, deklaroi Selimi.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, vendosi që seanca e thirrur nga LDK-ja, të mbahet të mërkurën në ora 11 e ku pritet që deputetët të votojnë për kabinetin e ri qeveritar.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se tashmë janë kryer të gjitha procedurat dhe se janë siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re, të drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ka arritur koalicion me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe minoritetet.
Më 30 prill, ditën që presidenti i Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin për formimin e qeverisë së re, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar interpretimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit.
Vetëvendosje pretendonte se presidenti Thaçi kishte bërë shkelje kushtetuese kur kishte nxjerrë dekretin për mandatimin e Hotit për shkak se kjo e fundit nuk e kishte konsumuar të drejtën e saj për propozimin e mandatarit të ri, pas rrëzimit të qeverisë.
Por, Gjykata Kushtetuese, e shpalli të ligjshëm dekretin e Thaçit. /REL/