Ish-shefi i grupit parmentar të PDK-së, Adem Grabovci, është marrë sërish në pyetje nga prokuroria lidhur me skandalin e përgjimeve të ashtuquajtur “Dosja e shefave”.
Por, ashtu sikur në paraqitjen e parë para prokurorëve, Grabovci ka vendosur të mbrohet në heshtje.
“Unë jam gjithmonë në shërbim të drejtësisë dhe për gjithçka është i autorizuar avokati im që të flas”, ka thënë ai, për mediat kosovare.
Kurse Florent Latifaj që mbron Grabovcin, ka thënë se e ka udhëzuar atë që të mbrohet në heshtje sepse Prokuroria jashtëligjshëm ka nisur këtë hetim.
“Kanë kaluar 6 vite që nga ato përgjime dhe Prokuroria nuk mund të nis hetime pa pasur prova të reja, çka nuk i ka. Hetimi në 2014 është mbyllur nga një prokuror i EULEX-it”, ka thënë Latifaj.
Kujtojmë se Adem Grabovci, që nuk u përfshi në listën për deputetë të PDK-së, po hetohet nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës dhe shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Kosovës. Pos tij, duke u hetuar për këto përgjime janë edhe zyrtarë të tjerë të PDK-së. /tesheshi.com/