Pas Dani Alves-it, një tjetër brazilian, një tjetër mbrojtës, largohet nga skuadra katalanase për ta vazhduar karrierën diku tjetër.
Adriano, mbrojtësi i majtë i Barcelonës, do të luajë në tre vitet e ardhshme me kampionët e Superligës turke. Beshiktashi është skuadra e re e lojtarit që asnjëherë nuk ia doli të bëhej zgjedhje e parë te Barcelona.
I transferuar tek katalanasit nga Sevilja gjashtë vite të shkuara, Adriano bëri 189 paraqitje me Barcelonën, duke shënuar dhe 17 gola.
Ai ka qenë një element i rëndësishëm në sukseset e Barcelonës, por në dy vitet e fundit u pa gjithnjë e më pak në fushë.
Debutimin te përfaqësuesja braziliane do ta kishte në 2003-shin, por vetëm 18 herë ka mundur të dalë në fushë me të.
Mbrojtësi 31-vjeçar ka patur dhe oferta të tjera, por ai zgjodhi ta vijojë karrierën me një prej tre skuadrave më të njohura të Turqisë, me Beshiktashin. /tesheshi.com/