Arrestimi i komandantit të policisë rajonale të Mitrovicës Nehat Thaçi nga Serbia, ka ngritur në këmbë edhe administratën komunale në Mitrovicë, e cila ngriti zërin dhe kërkoi lirimin sa më të shpejtë të tij gjatë një proteste.
Dhjetëra nëpunës protestuan për 15 minuta para objektit të komunës kundër, siç thanë ata, mbajtjes së padrejtë në paraburgim të policit Thaçi.
Ata kërkuan lirimin e tij të menjëhershëm nga burgu i Nishit të Serbisë.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri tha se drejtori Thaçi, i cili po mbahet padrejtësisht në burg, duhet të lirohet menjëherë, derisa ka sugjeruar edhe ndërprerjen e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Ndryshe, drejtori i Policisë, Nehat Thaçi, u arrestua të mërkurën e kaluar në hyrje të Serbisë nga pika kufitare “Dheu i Bardhë”, pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata e Lartë në Nish të Serbisë, nën akuza për terrorizëm.
Institucionet e Kosovës nuk kanë mundur të bëjnë asgjë që polici Thaçi të lirohet edhe pse kanë kërkuar një gjë të tillë përmes bisedimeve në Bruksel, por që kërkesa e pales kosovare nuk është marrë parasysh. /tesheshi.com/