Është mbesa e Visar Ymerit. Javë më parë ajo humbi jo vetëm shokun e saj të kauzës, Astrit Dehari, por dhe njeriun me të cilin është akuzuar se kanë sulmuar godinën e Kuvendit të Kosovës.
Adea Batusha, prej tre muajsh është në masën e arrestit shtëpiak.
Ajo, në një intervistë për tesheshi.com, tregon se në ç’vend ka qenë kur u sulmua institucioni ligjvënës, pse u akuzua ajo në mesin e shumë aktivistëve dhe përgjigjet ndaj dëshmive të publikuara nga policia për rastin në fjalë.
Flet gjithashtu dhe për të ndjerin, Astrit Dehari…
Intervistoi: Blendi Gashi
Adea, ju si një aktiviste e VV-së jeni arrestuar nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës? A mund të tregoni saktësisht se ku dhe më kë ishit në kohën që ndodhi sulmi (me familje apo shoqëri)?
Në natën e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës unë kam qenë në lagjen e spitalit ku jam takuar me Astritin, saktësisht ne kemi qenë në banesën e tij dhe më pas kemi dalur për të blerë diçka në dyqanin “A&B” ku edhe kemi dëgjuar që ka ndodhur një sulm në Kuvendin e Kosovës.
Në dëshmitë që ka preznatuar policia thuhet se ju më datë 5 gusht keni blerë një telefon të menqur, me anë të së cilit është dërguar emaili nga grupi i ashtuquajtur “Rugovasit”, të cilët kanë pranuar autorësinë e sulmit? Ç’përgjigje keni ?
Po, pushteti kriminal këtu ka vendosur që të ma mvesh mua dhe Lëvizjes një akuzë të tillë të rëndë si terrorizmi. Rast ky i cili është parë nga fillimi që është plotësisht i montuar dhe i kulluar politik. Nuk ka asnjë dëshmi e asnjë provë të ketë ndodhur një gjë e tillë.
Pretendimet e prokurorisë janë kundërthënëse, i tëri ky rast po bazohet në deklaratat e disa personave, pra të një dëshmitari që gjoja ma paska shitur telefonin. Deklaratat e tilla në procese si kjo mund të shërbejnë ndoshta si dëshmi përforcuese kur faktet kryesore i ke në rregull, pra nëse njëmend ka foto/xhirime duke e blerë telefonin, ose duke e përdorur atë. Por, në rastin tonë dëshmitarët janë prova kryesore, gjë që është shumë e rrezikshme jo vetëm për ne, por për tërë sistemin e drejtësisë. Kjo do të thotë se fjala e një personi i cili mund të ketë qenë i korruptuar nga Prokuroria apo Policia e Kosovës të çoj deri tek dënimi i padrejtë i disa aktivistëve politik. Në fakt ata kanë vetëm disa foto ku paraqitet një ditë e imja e zakonshme, duke tërhequr para në bankomat, duke ngrënë bukë e duke ecur në shesh. Fakti që kanë piketuar një aktiviste të “Vetëvendosje”-s në mesin e tërë qytetarëve që kanë ecur në shesh atë ditë tregon një gjë shumë të rëndësishmë për këtë pushtet, që duan ta sulmojnë e linqojnë Lëvizjen “Vetëvendosje” me çdo kusht. Natyrisht po e shohim të gjithë që kjo përndjekje tash e sa kohë ndaj aktivistëve tanë del të jetë përpjekje e dështuar për të na frikësuar ne e për ta bindur popullin se “Vetëvendosje” na qenka terroriste.
Kundërthënia tjetër vjen nga vetë deklarat e dëshmitarit të supozuar. Ai paska deklaruar që telefoni është blerë ngan jë vajzë 25-30 vjeçare. Unë sapo kam mbushur 22 vjet dhe është shumë lehtë të dallohet që në shikim të parë që unë jam shumë më e re se 25-30 vjet. Pastaj, një kundërthënie tjetër është fakti që policia para meje ka arrestuar një person tjetër, mashkull, si të dyshuar për blerjen e telefonit. Si është e mundshme që deklarata e të ashtuquajturit dëshmitar qenka që një vajzë e ka blerë telefonin, kurse policia ka arrestuar fillimisht një djalë (që me gjasë, pasi e kanë kuptuar që nuk është nga “Vetëvendosje” e kanë liruar). Të gjitha këto kundërthënie tregojnë për një montim amator që ka synim politik për të krijuar percepsion të caktuar në publik.
E kuptuat nga mediat se u sulmua institucioni ligjvënës apo nga kush? Si u ndjet kur emri juaj u përmend si një nga personat që sulmoi kuvendin?
Atë natë, apo natën kritike siç po quhet, e kam kuptuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës në lajme. Unë dhe të tjerët e kemi kuptuar që jemi aktivistët të cilët po akuzohemi mëngjesin kur jemi arrestuar padrejtësisht nga njësiti anti-terror – FIT, po i njëjti njësit që para një viti kishte hyrë dhunshëm në zyrat tonë të Lëvizjes për ta arrestuar poashtu padrejtësisht Albin Kurtin. Unë fillimisht kam qenë e shokuar, meqë nuk e kisha të qartë se çfarë po ndodhte. Pas 3 deri në 4 orë që u mora në pyetje nga hetuesit përkatës e kuptova se për çfarë po akuzohesha.
Pse shteti pikërisht juve në mesin e shumë akitvisteve të VV-së ju akuzoi për terrorizëm? A thua vetëm pse jeni mbesa e kreut të VV-së Visar Ymeri?
E ceka edhe më lartë, siç duket montimi i rastit e ka detyruar pushtetin ta arrestoj një aktivist/e që po ecte në shesh atë ditë në mënyrë që të kishin kujt t’ia mveshin blerjen e telefonit. Ashtu ka ndodhur edhe me aktivistët tjerë për të cilët nuk ka asnjë provë apo fakt. Regjimi së fundmi ka filluar edhe një propagandë të re, se unë jam arrestuar në fillim sepse jam mbesa e kreut të Lëvizjes si të ishte ndonjë ndëshkim për të, pastaj qenkam liruar në arrest shtëpiak sepse jam mbesa e Visar Ymerit si të ishte privilegj. Këto të dyjat nuk mund të qëndrojnë. Kjo u tha edhe nga shefi i nëntokes njëkohësisht Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe është një tendencë ta mjegullohet opinioni publik me gjëra komplet të parëndësishme.
Po, unë mund të jem mbesa e Visar Ymerit, por së pari jam aktiviste e Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe arsyeja kryesore dhe e vetme pse unë jam arrestuar e burgosur pa fakte e prova bashkë me 5 aktivistë të tjerë është pikërisht pse jemi aktivist të kësaj Lëvizje. Në fund të fundit, personi kyç që e di më së miri pse jemi arrestuar ne aktivistët e VV-së është Kadri Veseli. Ai i kontrollon policinë, gjykatat e prokurorinë dhe ai ka dhënë urdhër për arrestimin e aktivistëve të “Vetëvendosje”-s. Sot e asaj dite, prokuroria ka dështuar të prezantojë fakte që na lidhin neve me sulmin. As analizat e forenzikës dhe asgjë tjetër nuk përputhet me ne. Ky është fakt dhe për këtë arsye ne, të 5 të arrestuarit për terrorizëm po mbahemi në arrest shtëpiak!
Pse sipas teje tre aktivistëve ju dha masa e arrestit shtëpiak e tre të tjerë i dërguan në paraburgim?
Është më se e qartë çfarë ka tentuar të bëj ky regjim, që të mat pulsin e popullit. Ka provuar që me anë të një akuzë të tillë ta shpall Lëvizjes “Vetëvendosje” njëherë e përgjithmonë terroriste. Buja spektakulare mediatike për këtë rast të montuar vështirë se është parë në Kosovën e pasluftës, me konferenca e prononcime të përditshme nga Prokuroia e policia e Kosovës. Por, sërish në fund askush nuk e besoi. Nuk kishte kuptim të na lironin të gjithëve sepse do dilnin qesharak, e po të na mbanin të gjithëve revolta e publikut që nuk e beson aspak këtë farsë, do të ishte e madhe.
Andaj zgjodhën ta balanconin situatën, për aq sa mundën, ndonëse e gjithë kjo tendencë për të na njollosur po dështon si mos më keq pasi që Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi janë liruar tash në arrest shtëpiak. Petrit Ademit i është ndërruar masa e paraburgimit që tash e tutje të paraqitet në polici. Në mënyrë graduale këta duan të na lirojnë të gjithëve duke shpresuar se harrohet ky proces i padrejtë politik. Për ne nuk çon peshë lirimi jonë, për ne është e rëndësishme që të vihet drejtësia për Astritin, i cili do ishte sot në shtëpi me familjen e tij, po të mos ishte ndërtuar ky montim nga këta njerëz të poshtër.
Gjatë kohës që jeni në arrest shtepiak, sa herë jeni intervistuar nga prokuroria apo hetuesia rreth akuzave për terrorizëm? Ç’pyetje ju ka bërë prokurori? A jeni përgjigjur? Nëse s’jeni përgjigjur çfarë u kanë thënë prokurorët?
Për gati tre muaj që unë dhe aktivistët tjerë që po mbaheshim padrejtësisht disa në arrest shtëpiak e disa në burg, jemi intervistuar vetëm një herë. Kjo ndodhi si pasojë e presionit qytetar dhe protestave që ndodhën pas vdekjes së Astritit. Pra, është dashur që të ndodh një rast tragjik që prokuroria ta kryej punën e saj, sërish pjesërisht. Meqë ky rast paska qenë aq me prioritet, e kemi të paqartë sesi nuk ka as aktakuzë e as seancë, por mbajtje peng. Kjo tregon që këta s’janë fare profesional, këta punojnë sipas ngjarjeve politike, andaj dhe kemi raste të tilla të montuara, një gjë shumë e dhimbshme për sistemin gjyqësor e të drejtësisë në Kosovë. Si është e mundur që as 3 muaj e 10 ditë pas arrestimit, forenzika nuk ia ka dorëzuar rezultatet prokurorisë?! Kjo shpjegohet qartë. Po t’i dorëzonte me kohë, Prokuroria, në mungesë të përputhjeve të ADN-ve dhe shenjave të gishtave, do të detyrohej të na lironte shumë më herët. Prandaj është bërë dhe po vazhdon kjo vonesë.
Në intervistën e vetme nga prokuroia unë nuk jam përgjigjur. Unë kam qenë e arrestuar edhe më herët për aktivitete të “Vetëvendosje”!-s dhe asnjëherë nuk jam përgjigjur para prokurorisë. Kjo nuk ka ndodhur ngase ndjej faj por pikërisht ngase këto raste i konsideroj si politike dhe si rrjedhim refuzoj bashkëpunimin me prokurorinë. Ky është parim i “Vetëvendosje”-s dhe e bëjmë të gjithë aktivistët sa herë që arrestohemi.
Prokurori pasi që refuzova të përgjigjesha më tha se “sa për mua të gjithë do të ishit në burg”. Ky deklarim i tij vetëm sa e konfirmon se këtij regjimi nuk i paska mjaftuar që e ka dërguar Astritin, ai do të na fus aty te gjithëve pa marr parasysh që s’e kanë as edhe një provë të vetme për këtë rast.
Si jeni ndjerë kur morët vesh për vdekjen e Astrit Deharit? A mund të na tregoni një bisedë më të veçantë, apo të fundit që keni pasur me të?
Vdekja e Astritit na ka goditur rëndë të gjithëve, në mënyrë të papërshkrueshme. Kemi humbur një aktivist dhe një shok të jashtzakonshëm. Fakti që s’e kemi më pranë gërsheton dy ndjenja në raport me këtë rast tragjik, trishtimin që nuk e kemi më Astritin dhe luftën e pakompromis që do e bëjmë për të vënë drejtësi për të dhe për ndryshime rrënjësore në Kosovë, ashtu siç ka bërë Astriti dhe siç do vazhdojmë ne rrugën e tij të cilën ia ndali dhunshëm ky pushtet.
Si e shihni raportin e Mjekësisë Ligjore por edhe më pas të EULEX-it që konstatojnë se Astriti është vetëvrarë? Nga ajo që ju e njihni, a besoni se mund të ketë bërë një gjë të tillë?
Raporti i Mjekësisë Ligjore ka shumë mangësi, shumë kundërthënie dhe shumë kriminel të përfshirë në përpilimin e saj. Së pari dalin na thonë se Astriti ka pasur mbidozë të barnava, pastaj që ishte gjallë në burg por kishte vdekur në spital. Pastaj që kishte vdekur rrugës. Më tutje thonë ka vdekur nga asfiksia, kurse zyrtarja shëndetësore e burgut deklaron që kur e ka parë Astritin ai kishte puls dhe frymmarrje. Prokuroria ngutet ta mbyllë si vetëvrasje, kurse Ministria e Drejtësisë kërkon hetim ndërkombëtar (pikërisht ngase nuk i beson vetes). Deklarata të njëpasnjëshme jo kredibile dhe shumë të dyshimta. Në fund dolën dhe thanë se ishte vetëvrasje, dhe kjo gjë u mbështet nga EULEX-i.
Qëllimi i përfshirjes së EULEX-it ishte vetëm sa për të na bindur se janë përfshirë ndërkombëtarët andaj dhe s’kemi pse ta kundërshtojmë një verdikt të tillë. Por, është pikërisht e kundërta, EULEX-i nuk është i pastër, ky mision ka qenë aktor në skandale të mëdha korruptive e politike. Kjo ndodhi edhe me rastin e Astritit, EULEX-i harroi ta përmend në komunikatën e tyre se Sylë Hoxha, një njeri i emëruar nga klani ‘Pronto’ dha llojlloj deklaratash pa përputhje për vdekjen e Astritit. Siç po shihet EULEX-i po vazhdon me avazin e vjetër duke bërë se është i paanshëm e në fakt duke përkrah kriminelët të cilët po na gënjejnë.
Unë e kam pasur shok Astritin, ka qenë një karakter i fortë, një njeri i buzëqeshur dhe punëtor. Gjëja kryesore për mua dhe të gjithë është pse ka vdekur një aktivist politik në burg, në vendin që do të duhej të ishte institucioni më i sigurt i shtetit. Regjimi po mundohet ta zhvendos vëmendjen, por përgjigjen për pyetjen tonë do ta marrim me çdo kusht, herët apo vonë.
VV ka dërguar në gjykatat dhe prokurori dëshmi përmes të cilave thotë se dëshmohet pafajësia e gjashtë aktivistëve? Sa besoni që drejtësia kosovare ndaj të cilës VV ka shumë vërejtje mund të vendos drejtësi në rastin tuaj?
VV ka publikuar dëshmitë për alibitë tona 2 muaj më herët. Po të donte prokuroria ta zbardhte këtë rast, do të bazohej në kamerat e sigurisë ku veprimet tona shihen dhe janë të pamohueshme. Të secilit prej nesh. Po t’i merrte parasysh prokuroria, nuk do të kishte mundësi të na mbante deri tash, prandaj nuk i ka marrë fare parasysh.
Para disa ditëve përmes një konference për media janë paraqitur sërish këto dëshmi ku tregohet trajektorja se ku kemi qenë në natën kur u sulmua Kuvendi i Kosovës. Ato dëshmi janë të pamohueshme, meqenëse janë të vërteta. Policia e Kosovës kur ka filluar hetimet ka marr xhirimet në plot lokacione në Prishtinë, gjë që na bën të besojmë që ata tashmë i kanë ato pamje për të cilat po flasim. Fatkeqësisht siç kemi parë dhe më herët, drejtësia jonë funksionon në bazë të urdhërave të kryekriminelëve, dhe natyrisht se ato xhirime nuk ju shkojnë përshtat planeve që i kanë, rrjedhimisht nuk i publikojnë. Lirimi i Petritit së pari, dhe tash Egzonit dhe Atdheut në arrest shtëpiak tregon se këta nuk posedojnë asnjë provë apo fakt. Këta do mundohen ta zgjasin këtë proces to montuar, por pashmangshëm e vërteta do dal në shesh. E vërtetë e cila shenjon se këta kriminel do duhej të ishin në burg, e jo Astriti të cilin na e kthyen në arkivol.
Adea, a mund të nga tregoni si është një ditë e juaja në arrest shtëpiak? Sa mund ta ndihmoni VV nga kjo pozitë? Konkretisht çfarë po e ndihmoni?
Ditët e mia janë shumë të zakonshme, unë jam në përfundim të studimeve andaj po fokusohem më shumë në këtë drejtim. Lexoj, shikoj dokumentarë e filma dhe sigurisht që ndihmoj Lëvizjen për aq sa mundem nga shtëpia. Meqë unë jam pjesë e sekretariatit për media dhe komunikim, puna ime ka të bëj me produksionin dhe me shkrim komunikatash.
Për fund, cila është porosia juaj nga arresti shtëpiak si aktiviste e partisë së parë opozitare?
Kosova sot gjendet para një udhëkryqi shumë të rëndësishëm, situata e rëndë në shtetin tonë na detyron të marrim vendime qenësore. O duam drejtësi o do t’i nënshtrohemi këtij regjimi që na ka sjellur në këtë gjendje, dhe s’e besoj që ekziston më mundësia e të qenit neutral. Përkrah shumë të këqijave që po i ndodhin vendit tonë prej privatizimeve, marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit që na humb territor, e keqja kulmoi me rastin e fundit tragjik, humbjes së jetës së shokut dhe bashkaktivistit tonë Astritit. U bënë më shumë se një muaj nga vdekja e tij, dhe regjimi ende nuk e ka zbardhur këtë rast, ende nuk ka dhënë askush dorëheqje. Ende vazhdojnë punën si të mos kishte ndodhur asgjë ministrja e Drejtësisë e ai i Punëve të Brendshme.
Dhe Kuvendi i cili e ka për detyrë ta diskutojë këtë çështje të ndjeshme ka brenda deputetë të shitur të cilët bashkë me krerët e këtij vendi nuk po duan të na tregojnë të vërtetën. Ky është moment vendimtar për të bërë ndryshime rrënjësore. Nuk ka rëndësi se a mbahemi në burgje unë me aktivistët të tjerë, kauza dhe rrugëtimi ynë i tejkalon këto rrethana objektive të cilat bëhen të parëndësishme para qëllimit tonë përfundimtar. Dhe, qëllimi jonë përfundimtar është vetëvendosja për popullin tonë, një shtet i drejtë ku kurrë nuk mund të ndodhin të tilla gjërash. Ne (aktivistët e VV-së) nuk ndalemi, nuk frikësohemi dhe nuk i përulemi pushtetit, po vetëm atyre që ranë për këtë komb. Me Astritin në mendje, drejt rrugës që ai dhe plot të tjerë na e lanë për ta përfunduar, për një Republikë sovrane dhe të dinjitetshme. /tesheshi.com/