Njeriu që pret të bëhet kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, pati një takim me Nenad Rashiq, kreun e koalicionit serb “Slloboda”, njeriun që bëri thirrje për sfidimin e Listës Serbe, duke qenë kështu një ndër të rebeluarit ndaj Beogradit.
Për Kurtin, ka arsye për t’u takuar, e pse jo dhe bashkëpunuar me serbë të cilët janë të papërlyer dhe respektojnë institucionet e Kosovës.
“Nenad Rashiq nuk e ka asnjë aferë apo skandal si ministër. Ai është një ndër ministrat më të mirë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Bisedova me të për procesin zgjedhor në vendbanimet me shumicë serbe dhe ky ishte shumë i zhgënjyer. Unë isha i interesuar që të marr vesh prej tij për procesin zgjedhor se si ka shkuar në vendbanimet me shumicë serbe. Ndërkombëtaret raportuan se ka pasur parregullsi. Qeveria e kaluar nuk i ka trajtuar fare këto parregullsi dhe ne duhet t’i trajtojmë”, tha kreu i VV-së, në pritje për të marrë frenat e qeverisjes së Kosovës.
Sa i përket raporteve me serbët, Albin Kurti ka premtuar krijimin e urave të dialogut me ta, si provë që mospajtimet i ka vetëm me politikën e Beogradit. /tesheshi.com/