Jo më larg se para dy javësh, 15-vjeçari Abdurahim Idrizi, një ndër karatesitët më me perspektivë në Maqedoni, ka shënuar sukses historik. Ai ka hyrë në historinë e “Katave” (lloj i karatesë) po në Maqedoni, duke u bërë medalisti i parë në një europian, ku megjithatë nuk i’a doli të fitojë mbi favoritin turk, Selahatin Gynxhel, nga i cili u mposht në finalen e ëndërrave në Limasol të Qipros.
Por edhe përkundër kësaj, njohësit e mirë të këtij sporti thonë se koha punon për djaloshin e “argjendë” shkupjan. Sipas tyre, atij i paraprin ardhmëri dhe karrierë e ndritshme duke e krahasuar atë me legjendat Enver Idrizin, Mirdi Limanin, Berat Jakupin dhe shumë e shumë të tjerë. Ajo që vlen për t’u theksuar, është se djaloshi esmer nuk është i suksesshëm vetëm në sport, por bëhet fjalë për një nxënës shembullor dhe besimtar të madh, që për asnjë moment nuk heziton të heq nga gjuha e tij përmendjen e Zotit si indikator kryesor të suksesit të vet.
Intervistoi: Mensur Krasniqi
Të fillojmë nga hapat e para të tua si karateist. Cili ka qenë inspirimi për t’u marr pikërisht me këtë sport?
E mbaj veten në mend kur isha shumë i vogël dhe kur të gjithë familjarët mblidheshin të shikojnë futboll, unë isha krejtësisht “OUT” sepse më tërhiqnin gjërat më atraktive. Kështu, ose shkoja në dhomë tjetër për të shikuar filma si “Xheki Qen”, “Xhet Lee”, apo kërkoja në youtube sportet ku garohet me përleshje fizike. Nga këtu, kur mbusha 8 vjet babai im më regjistroi në klubin e karatesë “Forca”, dhe nga ai moment e këndej filloi jeta ime profesionale si sportist i karatesë.
Na thuani diçka më tepër për këtë sport, si kategorizohet?
Ky sport ndahet në dy lloje, Komite dhe Kata. Komite nënkupton karatenë luftarake, ku ke përballje direkte me kundërshtarë, ndërsa kata është një lloj i karatesë me kundërshtarë të imagjinuar. Ana ime më e fortë është Kata, po nuk mungojnë sukseset as në Komite. Ndërsa kur jemi te kategorizimet, fillestarët quhen pionir, më pas avancohesh në një kategori më të lartë si kadetë (ku jam unë), dhe kur të arrij moshën madhore atëherë kaloj në seniorë.
Të kalojmë te suksesi juaj. Ndonëse 15-vjeçar, ju tani jeni një nënkampion Evropian i karatesë. Sa peshon ky titull në shpatullat tua?
Të potencoj që unë jam shqiptari i vetëm në Maqedoni i cili ka arritur të sjellë medaljen e argjendë në kategorinë e Katas në ndonjë kampionat evropian. Kjo për mua është një sadisfaksion i madh. Po falë Zotit, edhe përkundër sprovave që kam pasur para se të fillon kampionati evropian, meqë mbeta pa klub për arsye sa objektive dhe subjektive, unë me ndihmën e babait tim i cili më siguroi trajner privat si Stojan Andrijevskin nga K.K. Funa Giqin, trajnerët e K.K. Kushtrimi, Irfan Aliu dhe Ismet Sherifi, po edhe nën kushte të ndryshme hapësinore arrita të përgatitem për ta realizuar ëndrrën e të qënit finalist në kampionatin evropian në Qipro. Meqë nuk lejohej të jem pjesëmarrës pa klub, unë me 1 shkurt të vitit 2016 nënshkrova kontratën me klubin e karatesë Makpetrol, dhe si garues i tyre nga Qiproja u ktheva me medaljen e argjendë. Pas këtij suksesi tani ndjehem shumë i privilegjuar ngado që shkoj.
Kujt i’a ke dedikuar medaljen e argjendë?
Atë ditë që unë u bëra nënkampion i Evropës kishte ditëlindjen personi më i dashur për mua, nëna ime. Unë vlerësova se dhurata më e mirë për të do ishte ky triumf i imi historik për shqiptarët dhe shtetin maqedonas, andaj dhe me të ardhur në Shkup këtë medalje ia vura në qafë nënës time, dhe ajo u ndje shumë krenare për mua.
Sukseset me klubin dhe ato me reprezentacionin?
Para se të kaloj në klubin e karatesë Makpetroll kam qenë pjesë e një klubi tjetër ku 10 herë jam shpallur kampion i Maqedonisë, 5 herë fitues i Grand Pri Kroacia, vendi i 3-të në kupën botërore në UMAG të Kroacisë, fitues i turneut botëror për fëmijë, kampion i dyfishtë mbarëkombëtar në Kata dhe Lufta për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, fitues i Turkish Open dhe mbi 150 medalje tjera të ndryshme.
Ndërsa kur jemi te reprezentacioni, unë që kur i mbusha 11 vjet fitova të drejtën ligjore të jem pjesë e reprezentacionit të Maqedonisë dhe gjatë gjithë kësaj periudhe vazhdoj të përfaqësoj vendin tonë me dinjitet në çdo garë. Sukseset e mia në reprezentacion janë këto: shtatë medalje ballkanike, 2 herë kampion ballkanik, 2 herë nënkampion dhe 3 herë bronzë në kata dhe në lufta. Pra jam mirënjohës ndaj federatës së Maqedonisë, e posaçërisht nga kryetari i saj të cilët më qëndrojnë pas si në aspektin e përgatitjes po edhe të financimit.
Dhe meqë jemi te reprezentacioni, do kishit pranuar që në ndonjë të ardhme të afërt të përfaqësoni Shqipërinë ose Kosovën?
Unë ndjehem krenar që jam shqiptar, por më duhet ta pranoj që për dallim nga Shqipëria dhe Kosova, Maqedonia e ka më të zhvilluar këtë sport, andaj edhe unë jorastësisht kam arritur këtë sukses. Ndryshe nuk kam pranuar ndonjë ofertë konkrete nga asnjëra nga dy shtetet.
Çfarë nxënësi është Abdurahimi? Dhe a ndikojnë stërvitjet dhe garat në shkollimin tënd?
Unë gjithmonë i kordinoj mësimin dhe stërvitjet. Për momentin jam klasa e nëntë në shkollën fillore “Petar Zdravkovski Penko” dhe jam nxënës i shkëlqyeshëm. Për mua nuk ka vend më shumë njëra se tjetra, meqë edhe sporti është i atillë, ku nëse dëshiron të kesh sukses duhesh të jesh edhe i edukuar dhe të punosh me mençuri. Poashtu, do ta shfrytëzoj rastin t’i përshëndes shumë drejtorin e shkollës, arsimtarët dhe shokët e shoqet e klasës që kanë mirëkuptim dhe më mbështesin pa rezervë.
Keni ndonjë sportist të preferuar të Karatesë?
Meqë siç e theksova edhe më lartë unë jam karateisti i parë shqiptar që kam fituar medalje të argjendë në kampionatin evropian në kategorinë e Kates, nuk mund të them se dëshiroj të bëhem si ndonjë shqiptar tjetër meqë askush deri tani nuk ka një sukses të tillë, andaj kisha veçuar italianin Lluka Valldezi. Ndërkaq, në kategorinë e Komites (karatesë luftarake), kemi pasur kampionë të mëdhenj shqiptar siç janë: i madhi Enver Idrizi, Afrim Latifi, Fehmi Mahalla, dhe normalisht si Berat Jakupi që po na përfaqëson me dinjitet popullin shqiptar.
Dhe në fund cilat janë planet, synimet tua për të ardhmen?
Me lejen e Zotit nuk e kam ndërmend të ndalem, do vazhdoj me këtë intensitet të punës deri sa të arrij majat e suksesit edhe në kategorinë e seniorëve duke shumëfishuar medaljet.
Na falni, gjatë tërë bisedës që zhvilluam ju shpesh herë përmendët Zotin. Pse?
Po, unë i takoj fesë islame dhe jam edukuar në këtë frymë. Prindërit e mi më kanë mësuar të lutem dhe të besoj se pa lejen e Zotit nuk mund të korri sukses asnjëherë. E si mund të mos jem faleminderues për këtë?! /tesheshi.com/