Ata që duan të udhëtojnë nga Berlini në Bruksel, tani mund të blejnë sërish një biletë treni nate.
Linja u prezantua nga kompania startup European Sleeper. Kështu, a do të ringjallen sërish “makinat e fjetjes” në territorin e Bashkimit Europian?
Stacioni kryesor i trenit në Berlin. E diel, ora 11:00. Në platformën 14, një grup udhëtarësh po presin trenin e natës për në Bruksel. Kryesisht mbajnë çanta shpine, e disa kanë edhe biçikleta.
“Nuk jam shumë i emocionuar, sepse kam udhëtuar tashmë në trenat e natës në jetën time, por sigurisht që jam kurioz ta shoh këtë tren”, thotë Eugenio nga Italia, duke shtuar se shpreson që kompania e vogël që zotëron trenin të sjellë më shumë dinamizëm në treg.
Çdo vit krijohen linja të reja hekurudhore që lidhin qytetet evropiane. Aktualisht, shumica e tyre hapen nga Hekurudhat Austriake (ÖBB), por në treg janë shfaqur edhe kompani më të vogla: BTE, Snälltåget, Regiojet, FlixTrain, WESTbahn, ILSA dhe European Sleeper. Ato do të ringjallin tregun, beson Josef Doppelbauer, kreu i Agjencisë Evropiane të Hekurudhave (ERA). Sipas tij, kjo përputhet edhe me qëllimin e Komisionit Evropian dhe “Marrëveshjes së Gjelbër” të tij, sipas të cilit Bashkimi Evropian duhet të jetë neutral ndaj klimës deri në vitin 2050.
Në sektorin e transportit parashikohet zgjerimi dhe përmirësimi i trafikut hekurudhor, veçanërisht gjatë natës dhe atij ndërkombëtar. European Sleeper është një nga dhjetë projektet pilot që Komisioni Evropian po bashkëfinancon në mënyrë të synuar në kuadër të Planit të Veprimit për inkurajimin e trafikut hekurudhor ndërkufitar.
Ideja është e shëndetshme dhe e mirë, por lidhja e qyteteve evropiane me linja hekurudhore është më komplekse sesa duket në shikim të parë. Aty ka një sërë sfidash, siç raporton një nga themeluesit e European Sleeper, Chris Engelsmann. Vagonët janë vetëm një prej tyre.
Gjatë dekadave të fundit, trenat e natës janë bërë një fenomen pothuajse i harruar dhe prodhimi i vagonëve të përshtatshëm është zvogëluar ndjeshëm. “Makinat e gjumit”, të cilat aktualisht funksionojnë në hekurudhat evropiane, janë të paktën 30 vjeçe. Oferta ndaj tyre është e vogël. Eksperti i trafikut Christian Böttger raporton se ka një mani të vërtetë për vagonët e vjetër dhe të lirë. Në fund të fundit, në stacionin hekurudhor të Berlinit mund të shihni se vagonët duken, le të themi, jashtë modës. Njerëzit në përgjithësi e imagjinojnë ndryshe një tren modern trans-evropian.
European Sleeper dëshiron të investojë në “makina gjumi” të reja dhe të pajisura në mënyrë moderne, tha Engelsmann për DW.
Por trena të tillë janë të shtrenjtë. Në vend që të investonte në një proces që zgjat me vite, kompania vendosi pët një rrugë pragmatike me vagonët e vjetër.
“Situata është ashtu siç është. Ne nuk kemi asgjë tjetër në dispozicionin tonë. Dhe ne duam të fillojmë punën menjëherë.”
Kompania dëshiron të zgjerojë aktivitetet e saj dhe të prezantojë një linjë në Barcelonë deri në vitin 2025. Por gjithçka do të varet nga vagonët në dispozicion.
Problemi me vagonët është vetëm një pjesë e kësaj historie. Sepse është gjithashtu e nevojshme të zgjidhen një mori rregullash kombëtare, të cilat janë në fuqi në rrjetin e ndarë hekurudhor në Bashkimin Evropian. Një tren i ri nate udhëton nga Gjermania përmes Holandës për në Belgjikë. Tre vende, tre sisteme të ndryshme. Të gjithë “mendojnë vetëm në kategori kombëtare”, thotë themeluesi i European Sleeper.
Qasja evropiane në të menduar dhe vullneti politik – këto janë gjërat që mund të japin një kontribut vendimtar në lidhjen e destinacioneve evropiane me trena, thotë kreu i Agjencisë Hekurudhore të BE-së Doppelbauer. Sipas tij, ajo agjenci ka vite që punon në uljen e rregulloreve kombëtare. Dhe numri i rregullave teknike tashmë është ulur nga 14 mijë në 600. Doppelbauer thotë se problemi më i madh me hekurudhat është pikërisht se, ndryshe nga transporti detar dhe ajror, nuk ka rregulla që zbatohen në të gjithë botën.
Qasja evropiane në të menduarit dhe vullneti politik – këto janë gjërat që mund të kontribuojnë në mënyrë vendimtare në lidhjen e destinacioneve evropiane me trena.
Megjithatë, udhëtimi ndërkombëtar me trenat e natës po bëhet më i lehtë. Trenat e natës së shpejti duhet të fillojnë të qarkullojnë në të gjitha vendet e BE-së, jo vetëm aty ku ishin miratuar fillimisht. Gjërat po bëhen më të thjeshta për pronarët e trenave dhe vlera e vagonëve po rritet. Kreu i Agjencisë Evropiane të Hekurudhave shpreson se kjo do ta bëjë punën shumë më tërheqëse për pronarët e kompanive. Bashkimi Evropian planifikon të prezantojë një platformë për blerjen e biletave për të gjithë trenat e natës në dispozicion.
Për të lehtësuar punën për kompanitë e vogla dhe të mëdha, jo vetëm duhet të reduktohet numri i rregulloreve kombëtare, por duhet të vendosen marrëdhënie të drejta me trafikun ajror. Sepse, ndryshe nga hekurudhat, trafiku ajror është i subvencionuar.
Organizatat Back-on-Track.eu dhe Transport & Environment kanë llogaritur se udhëtimi me tren mund të jetë midis 7 dhe 48 për qind më i lirë se sa është tani, nëse TVSH-ja në linjat ndërkombëtare do të hiqej dhe nëse pronarët e trenave do paguanin më pak tarifa të përdorimit të hekurudhës.
Futja e linjës Berlin-Bruksel padyshim që pasuroi tregun hekurudhor evropian.
“Ne shpresojmë që nismat e tjera do të shohin tani se është e mundur që lojtarët e vegjël të marrin një pozicion midis kompanive të mëdha dhe të fillojnë një biznes,” tha Chris Engelsmann për DW. Sepse, pavarësisht të gjitha sfidave, treni i ri i natës, i cili lidh dy kryeqytete evropiane, përfaqëson një alternativë të rëndësishme ndaj udhëtimit më aeroplan. /tesheshi.com/