Nga Hannah Critchlow, The Guardian
Që nga sekuencimi për herë të parë i gjenomit njerëzor në vitin 2003, gjenetika është bërë një nga kornizat kryesore mbi mënyrën se si ne të gjithë mendojmë për veten tonë. Nga shqetësimi për shëndetin, deri tek debati sesi shkollat mund të kenë nxënës jo neurotipikë, ne mbërrijmë tek ideja se gjenet na japin përgjigje për pyetjet tona më intime rreth rezultateve dhe identitetit të njerëzve.
Këtë e mbështetin edhe studimet e fundit, duke treguar se tipare komplekse si temperamenti, jetëgjatësia, rezistenca ndaj sëmundjeve mendore, dhe madje edhe prirjet ideologjike, janë të gjitha “të lidhura” në një farë mase midis tyre. Natyrisht, për këto cilësi ka rëndësi edhe mjedisi.
Edukimi si dhe përvojat e jetës, ndërveprojnë me faktorët gjenetikë për të krijuar një matricë ndikimi fantastike. Po sikur çështja e trashëgimisë gjenetike, të ishte edhe më e nuancuar sesa kaq? Po sikur debati i vjetër, dhe tejet i polarizuar, rreth ndikimeve konkurruese të natyrës dhe edukimit, të ishte shkak për një përmirësim të dukshëm gjatë këtij shekulli XXI-të? Shkencëtarët që punojnë në fushën në zhvillim të epigjenetikës, kanë zbuluar mekanizmin që lejon trashëgimin nga një brez në tjetrin të përvojës së jetuar dhe njohurive të fituara, duke ndryshuar formën e një gjeni të caktuar. Kjo do të thotë se përvoja jetësore e një individi nuk vdes me të, por vijon të ekzistojë më tej në një formë gjenetike.
Për shembull ndikimi i urisë që përjetoi gjyshja juaj gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo trauma e shkaktuar gjyshit tuaj kur ai u largua nga shtëpia e tij si refugjat, mund të vazhdojë të ndikojë në trurin e prindërve tuaj, sjelljet e tyre dhe përfundimisht edhe tuajat.
Pjesa më e madhe e punës së hershme epigjenetike u krye në organizmat model, përfshirë minjtë. Studimi im i preferuar, është ai që e tronditi komunitetin e neuroshkencarëve kur u botua fillimisht në “Nature Neuroscience” në vitin 2014 . Të kryera nga profesor Kerri Resler i Universitetit Emori në Xhorxhia, SHBA, gjetjet e studimit analizojnë mjeshtërisht mënyrën sesi sjelljet e një personi, ndikohen nga përvojat e të parëve.
Studimi përdori pasionin e minjve për qershitë. Zakonisht, kur aroma e ëmbël e qershisë arrin në hundën e miut, një sinjal dërgohet në bërthamën sistemit nervor, duke sjellë aktivizimin e kësaj zonë të kënaqësisë dhe duke e motivuar miun të vrapojë në kërkim të frutit të ëmbël. Shkencëtarët ekspozuan fillimisht një grup minjsh ndaj një arome të ngjashme me qershinë, dhe më pas menjëherë ndaj një goditjeje elektrike të lehtë. Minjtë mësuan shumë shpejt të qëndronin si të ngrirë dhe në pritje sa herë që ndjenin erën e qershive.
Ata kishin pasardhës dhe të vegjlit e tyre u lejuan të kishin një jetë të qetë pa goditje elektrike, megjithëse pa qasje tek qershitë. Të vegjlit u rritën dhe patën edhe ata pasardhësit e tyre. Në këtë pikë, shkencëtarët e nisën sërish eksperimentin. A mund të jetë transmetuar në brezin e tretë lidhja e fituar nga aroma e frutit të ëmbël? Po, kështu ndodhi.
Gjyshërit e minjve ishin shumë të frikësuar por edhe më të ndjeshëm ndaj aromës së qershive. Si kishte ndodhur kjo? Ekipi zbuloi se ADN-ja në spermën e gjyshit mi kishte ndryshuar formë. Nga ana tjetër, kjo e ndryshoi mënyrën se si u vendos qarku neural tek të vegjlit e tij dhe të vegjlit e këtyre të fundit, duke ridrejtuar disa qeliza nervore nga hunda larg qarqeve të kënaqësisë dhe shpërblimit, dhe duke i lidhur ato me amigdalën, e cila është e përfshirë në reagimin ndaj frikës.
Gjeni për këtë receptor nuhatës ishte de-metiluar (etiketuar kimikisht), ndaj qarqet për zbulimin e tij ishin përmirësuar në pikëpamje strukturore. Nëpërmjet një kombinimi të këtyre ndryshimeve, kujtimet traumatike u përhapën ndër breza për të siguruar që të vegjlit të trashëgonin mençurinë e fituar me shumë vështirësi, se qershitë mund të kishin vërtet aromë të shijshme, por i paraprinin një lajmi të keq.
Autorët e studimit, donin të përjashtonin mundësinë që në këtë studim të mund të luante një rol të mësuarit përmes imitimit. Kështu ata morën disa nga pasardhësit e minjve dhe i mbajtën jashtë. Po ashtu, morën spermën nga minjtë origjinalë të traumatizuar, përdorën metodën in vitro (IVF) për të ngjizur më shumë këlyshë, dhe i rritën larg nga prindërit e tyre biologjikë.
Këta të fundit kishin ende ndjeshmëri të shtuar, dhe një qark të ndryshëm nervor për perceptimin e asaj arome të veçantë. Vetëm për t’i fiksuar gjërat, të vegjlit e minjve që nuk kishin përjetuar lidhjen traumatike të qershive me goditjet elektrike, nuk i shfaqën këto ndryshime edhe nëse ishin ushqyer nga prindërit.
Gjëja më emocionuese nga të gjitha, ndodhi kur studiuesit nisën të shqyrtonin nëse ky efekt mund të ndryshohej, në mënyrë që minjtë ta shëroheshin, dhe pasardhësit e tjerë të kurseheshin nga kjo traumë biologjike. Ata morën gjyshërit dhe i ekspozuan sërish ndaj aromës, këtë herë pa asnjë goditje elektrike shoqëruese.
Pas disa përsëritjeve të caktuara të përvojës pa dhimbje, minjtë pushuan së frikësuari nga aroma. Anatomikisht, qarqet e tyre nervore u kthyen në formatin e tyre origjinal. Më e rëndësishmja, kujtesa traumatike nuk u transmetua më tek sjellja dhe struktura e trurit të brezave të rinj.
A mund të ndodhë e njëjta gjë me njerëzit? Studimet mbi të mbijetuarit e Holokaustit dhe fëmijët e tyre, të kryera në vitin 2020 nga profesoreshë Rashel Jehuda në Shkollën e Mjekësisë Mali Sinai, Nju Jork, zbuluan se efektet e traumës prindërore mund të transmetohen vërtet në këtë mënyrë.
Studimi i saj i parë, tregoi se pjesëmarrësit kishin ndryshime tek një gjen që ka lidhje me nivelet e kortizolit, i cili është i përfshirë në reagimin ndaj stresit. Në vitin 2021, Jehuda dhe ekipi i saj kryen më shumë punë për të gjetur ndryshime të shprehjes tek gjenet që lidhen me funksionin e sistemit imunitar.
Këto ndryshime e dobësojnë barrierën e qelizave të bardha të gjakut, gjë që e lejon sistemin imunitar të përfshihet në mënyrën jo të duhur në sistemin nervor qendror. Kjo ndërhyrje, ka qenë e lidhur me depresionin, ankthin, psikozën dhe autizmin.
Që nga ajo kohë, Resler dhe Jehuda kanë bashkëpunuar me studiues të tjerë, për të zbuluar etiketa epigjenetike tek ushtarët e prekur nga sindroma e stresit post-traumatik, PTSD, që janë ekspozuar në zonat e luftës. Ata shpresojnë që ky informacion të ndihmojë në diagnostikimin e rasteve me PTSD apo edhe të gjurmojnë paraprakisht individët që mund të jenë më të prirur ta zhvillojnë këtë gjendje, përpara se të shkojnë në fushën e betejës.
Në të gjitha kohërat dhe kulturat, njerëzit i kanë paguar detyrimet ndaj paraardhësve të tyre, dhe kanë menduar për trashëgiminë që do të lënë për pasardhësit e tyre. Pak prej nesh besojnë ende se biologjia dikton domosdoshmërisht fatin tonë, apo që linja jonë e gjakut përcakton se kush jemi.
E megjithatë, sa më shumë të mësojmë se si trupi dhe mendja jonë punojnë së bashku për të formuar përvojën tonë, aq më shumë mund të shohim se historia jonë e jetës është e endur tek struktura biologjike e trupit tonë. Dhe nuk është vetëm trupi ynë që e bart rezultatin, por vetë gjenet tona.
A mundet që ky kuptim i ri, të forcojë kapacitetin tonë për vetëdije dhe ndjeshmëri ndaj të tjerëve? Nëse mund ta kuptojmë ndikimin e mundshëm të përvojave të paraardhësve tanë në sjelljen tonë, a mund të jemi më të kuptueshëm për të tjerët, të cilët gjithashtu bartin peshën e trashëguar të përvojës nga të parët e tyre?
Me sa dimë, ne ne jemi të vetmet kafshë të afta për të menduar dhe zbatuar projekte që shtrihen në shumë breza, dhe për të mirën e atyre që vijnë pas nesh. Kjo është një mënyrë idealiste për të menduar për trashëgiminë. Por pa të ne do ta kishim të vështirë të përballeshim me sfidat komplekse të shumë brezave si klima dhe emergjencat ekologjike.
Njohuritë tona mbi epigjenetikën, dhe potencialin e saj për të përshpejtuar masivisht përshtatjen evolucionare, mund të na ndihmojnë të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të qenë paraardhësit që u duhen pasardhësve tanë.
Konflikti, neglizhenca dhe traumat, shkaktojnë ndryshime të paparashikueshme dhe me një ndikim të gjerë. Por po ashtu edhe besimi, kurioziteti dhe dhembshuria. Të bësh gjënë e duhur sot, mund të ndikojë vërtet tek breza që do të vijnë.
Shënim: Dr.Hannah Critchlow, neuroshkencëtare dhe autore e librit “Shkenca e fatit dhe mendimit të bashkuar”.