Nga Kamal Ozturk
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit.
Në rregull, kjo nuk na ndalon të bëjmë pyetjen: A do të shpërthejë një luftë midis Turqisë dhe Izraelit, e ngjashme me atë që ndodhi me Iranin?
Le të filloj aty ku duhet të përfundoj normalisht: për sa kohë që qendrat e vendimmarrjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael janë të mbushura me njerëz që marrin vendime bazuar në besime teologjike irracionale, asnjë vend në botë nuk do të jetë i sigurt.
Të gjitha vendet që sot mendojnë se janë në marrëdhënie të mira me Trump-in ose se nuk kanë probleme me Izraelin duhet të kuptojnë se janë të ekspozuara ndaj rrezikut nga ata që e shohin botën përmes një prizmi teologjik irracional.
Kjo është pikërisht dilema me të cilën përballet Evropa. Kushdo që nuk vepron në përputhje me logjikën dhe realitetet gjeopolitike, por udhëhiqet nga iluzione dhe obsesione, është i aftë për çmenduri pa kufij.
Izraeli është ndoshta një nga vendet e pakta që i tregon qëllimet e tij kaq hapur, sepse nuk e fsheh më ëndrrën e “Tokës së Premtuar”, por e ka shndërruar atë nga një utopi në një qëllim politik të përcaktuar qartë. Çdo vend në rajon që beson se ka marrëdhënie të mira me SHBA-në dhe kufijtë e tij janë brenda asaj që Izraeli e konsideron “Tokën e Premtuar”, duhet të jetë i vetëdijshëm se një shuplakë amerikane e pret në të ardhmen.
Edhe në SHBA ekziston një lëvizje ideologjike që është e ngjashme me mënyrën irracionale të të menduarit izraelit dhe është ideologjikisht e lidhur me të. Problemi thelbësor i vendeve në rajon qëndron në faktin se ato ende nuk e kanë kuptuar se jetojnë në një botë të qeverisur nga shtete që vendimet e tyre nuk i bazojnë as në arsye dhe as në realitete gjeopolitike.
Dy faza të marrëdhënieve turko-izraelite
Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit kanë kaluar nëpër dy faza. Në fazën e parë, qeveritë që kishin vendosur marrëdhënie të ngushta me Izraelin u përqendruan më shumë në Evropë sesa në Lindjen e Mesme. Edhe pse Evropa nuk e pranoi kurrë Turqinë si anëtare të plotë, ajo vazhdoi ta mbante atë në pragun e saj, duke i ofruar asaj një shkëndijë shprese.
Gjatë kësaj periudhe, ndërsa Turqia mungonte në Lindjen e Mesme dhe distancohej nga vendet muslimane, Izraeli vepronte plotësisht lirshëm. Sa herë që Turqia ngrinte pak zërin, ajo përballej me presion nga Shtetet e Bashkuara dhe shpërthenin trazira brenda vendit.
Faza e dytë filloi me ardhjen në pushtet të Recep Tayyip Erdogan. Eshtë kjo kohë që Turqia tregoi për herë të parë se Izraeli nuk mund të bënte çfarë të donte në rajon dhe se Turqia nuk do të thoshte “po” për gjithçka. Kjo u demonstrua qartë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos në vitin 2009, kur Erdogan iu hakërrye deri në poshtërim presidentit izraelit, duke e treguar me gisht si “vrasës fëmijësh”.
Në atë kohë, unë isha këshilltari për median i Erdoganit dhe e shoqërova atë në Davos. Kur hipëm në aeroplan, patëm një takim me këshilltarë të tjerë dhe Erdogan tha: “Çfarëdo që të ndodhë, ne nuk do të tërhiqemi nga vendimi ynë”, duke njoftuar kështu fillimin e një faze të re historike.
Që nga ajo ditë, Izraeli është përpjekur të destabilizojë Turqinë. Kur dështoi ta bënte këtë vetë, u përpoq të bënte një grusht shteti ushtarak brenda Turqisë me ndihmën e udhëheqësit të lëvizjes Gylen, i cili jetonte në Shtetet e Bashkuara para vdekjes së tij atje.
Më 15 korrik 2016, organizata FETO, e udhëhequr nga Fethullah Gylen, kreu një përpjekje të dështuar për grusht shteti ushtarak. 251 persona u vranë dhe më shumë se 2,000 u plagosën. Turqia e kapërceu këtë përpjekje grushti shteti, e cila gëzonte mbështetje të fshehtë amerikane dhe izraelite, dhe doli edhe më e fortë.
A do ta sulmojë Izraeli Turqinë?
Vendet në rajon ende nuk e kuptojnë se Izraeli, i cili nuk vepron në mënyrë racionale ose në përputhje me logjikën gjeopolitike, mund të kryejë çdo akt çmendurie me mbështetjen e rrymave të ngjashme në SHBA. Këta aktorë nuk tregojnë vetëm qëndrimet e tyre të ashpra ndaj vendeve myslimane, por edhe ndaj aleatëve të tyre më të ngushtë në Evropë.
Për sa kohë që kjo mënyrë të menduari bazohet në ndjenja fetare dhe teologjike dhe jo në racionalitet politik, rreziku është serioz. Kur marrim në konsideratë atë që administrata amerikane ka thënë për aleatët e saj tradicionalë në Evropë, mund të kuptojmë se çfarë mund të bëjë me vendet muslimane.
Irani ishte deri vonë një “vijë e kuqe” për SHBA-në, por Izraeli megjithatë e sulmoi atë. Sot, media izraelite po flet për Turqinë si armikun e radhës me të cilin do të përballet Izraeli në fazat e fundit. Kjo nuk na habit, sepse ne besojmë se mendësia teologjike dhe obsiesioniste e Izraelit është e aftë të kryejë një çmenduri të tillë.
Turqia ndihet e kërcënuar nga Izraeli
Një sulm ndaj Iranit ka qenë një ëndërr e kahershme e Izraelit, por Izraeli nuk ka arritur ta bindë Uashingtonin për këtë. Megjithatë, situata ka ndryshuar kohët e fundit kur më në fund arriti ta tërheqë SHBA-në në një sulm ushtarak ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Kushdo që mendon se Izraeli do të ndalet këtu gabohet. Turqia ka njohur një kërcënim të drejtpërdrejtë në politikën ekspansioniste dhe agresive të Izraelit dhe ka filluar të përshtasë politikën e saj të sigurisë në përputhje me rrethanat. Pas sulmit ndaj Iranit, presidenti Erdogan deklaroi se vendi i tij do të ripërcaktojë qasjet e tij të mbrojtjes dhe sigurisë.
Në një mjedis ku politika agresive e Izraelit është shndërruar në sulme ushtarake, asnjë vend nuk është më i sigurt. Sidomos pasi “Toka e Premtuar” pushoi së qeni vetëm një ëndërr dhe u bë një politikë e arritshme. Turqia gjithashtu e ka rritur nivelin e ndërgjegjësimit për kërcënimin në nivelin më të lartë.
Turqia, e cila ka një nga ushtritë dhe industritë mbrojtëse më të forta në botë, ka filluar të përshtasë politikën e saj të sigurisë për t’iu kundërvënë “kërcënimit ekspansionist” që paraqet Izraeli, dhe këtë do ta shohim më qartë në të ardhmen.
Është gjithashtu interesante që 96 përqind e popullit turk e konsideron Izraelin një kërcënim dhe ndien zemërim ndaj tij. E vërteta është se asnjë vend apo komb në Lindjen e Mesme nuk do të jetë i sigurt për sa kohë që Izraeli këmbëngul në ëndrrën e “Tokës së Premtuar”. Dhe pse nuk e pranojnë këtë, vërtet nuk e kuptoj.