Nga Viola Stefanello, Il Post
Agjencia e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO), tha se në vitin 2019 të gjitha vendet e botës regjistruan 1.5 miliardë turistë të huaj. Ky numër u rrit me shpejtësi dhe vazhdimisht prej vitesh, i nxitur nga një sërë faktorësh të ndryshëm, nga rritja e klasave të mesme, dhe rrjedhimisht edhe forcimi i fuqisë blerëse të tyre edhe në vendet e shumë-populluara si Kina dhe India, dhe deri tek çmimet më të ulëta të biletave të avionëve dhe akomodimit që ofrohet në platforma të tilla si Airbnb.
Shifra ra ndjeshëm në vitet 2020-2021, për shkak të kufizimeve në lëvizje që imponoi pandemia e Covid-19, dhe më pas nisi dalëngadalë të rritet përsëri. Po sipas UNWTO, në vitin 2023 hyrjet e turistëve të huaj në të gjitha vendet ishin 1.3 miliardë, ose afro 88 për qind e nivelit së 2019-ës.
Shumica e flukseve turistike, priren të përqendrohen masivisht në disa vende veçanërisht të famshme, si për rëndësinë e tyre historike, ashtu edhe për bukurinë e tyre të njohur. Dhe mbërritja e miliona njerëzve në një territor, dhe shpesh në një sezon të caktuar, sjell së bashku me paratë e shumta, edhe një sërë problemesh të mëdha për njerëzit që jetojnë atje, siç janë ata në qendër të protestave të javëve të fundit në Spanjë, por edhe ata që nxitën marrjen e masave të ndryshme në Japoni, të cilat synojnë të frenojnë ndikimin e turizmit masiv.
Përgjegjësia për menaxhimin e flukseve turistike dhe minimizimin e pasojave negative për banorët vendas, bie kryesisht mbi administratat lokale, qeveritë dhe industrinë e turizmit. Por edhe në nivel individual, tek njerëzit që i duan udhëtimet, por edhe që janë të shqetësuar për ndikimin negativ që mund të ketë turizmi, vitet e fundit është shfaqur një ndjeshmëri dhe vëmendje e re ndaj mënyrave se si mund të praktikohet i ashtuquajturi “turizëm i përgjegjshëm”.
Kjo qasje do të thotë të vazhdosh të udhëtosh për të parë botën, por ta bësh këtë në një mënyrë më të vetëdijshme dhe më të kujdesshme. “Turisti i përgjegjshëm, është personi i vetëdijshëm për pasojat e veprimeve të tij, dhe i gatshëm t’i ndryshojë ato nëse e kupton se janë negative”, shpjegon Corrado Del Bò, profesor i filozofisë të së drejtës në Universitetin e Bergamos, dhe autor i librit “Etika e turizmit: Përgjegjësia, qëndrueshmëria, barazia” (2017).
“Natyrisht, të mendosh që është sjellja e turistëve, ajo që e bën turizmin të përgjegjshëm apo të qëndrueshëm është një narativë utopike, sepse në fakt ka nevojë për ndërhyrje radikale. Ndikimi i sjelljes së secilit person apo familje që udhëton është shumë i vogël. Fakt është se duhet ai shumëzuar me shifra të rëndësishme. Në këtë kuptim, turizmi është një aktivitet i lehtë pushimi, por ka një ndikim të ngjashëm ndotës me një rafineri nafte”, thekson Del Bò.
Megjithatë, ashtu siç sjelljet individuale mund të kontribuojnë në mbrojtje të mjedisit, edhe individët mund të jenë turistë të përgjegjshëm. Qendra për Udhëtim të Përgjegjshëm (CREST), një nga organizatat ndërkombëtare më të rëndësishme që merret me këtë çështje, ka publikuar një listë të gjatë të sjelljeve që mund të adoptohen, në varësi të llojit të udhëtimit që keni në mendje.
Në mesin e turistëve evropianë, një nga tendencat më të përhapura, dhe kësisoj me ndikimin më të madh, është të udhëtojnë me avion me një linjë me kosto të ulët për të kaluar fundjavën në një qytet të madh, që është një ose dy orë larg vendit ku jetojnë.
Ata e bëjnë këtë duke shmangur shkuarjen në një agjenci udhëtimi, dhe për gjithçka informohen nga kërkimet në internet. Sigurisht, është një qasje që kursen kohë, para dhe energji, ndaj preferohet mbi të gjitha nga të rinjtë, të cilët duan të shohin pak nga bota,
por që nuk mund t’i përballojnë dot shpenzimet e mëdha.
Nuk keni nevojë ta braktisni plotësisht këtë qasje, sidomos nëse nuk keni mundësi të udhëtoni ndryshe. Por mund të bëni disa rregullime të vogla, për të qenë turistë më të përgjegjshëm. Këshilla e parë është të udhëtoni jashtë sezonit, jo vetëm sepse zakonisht është më pak i kushtueshëm, por edhe për të shmangur kontributin tek mbipopullimi, si dhe për të pasur një ndikim pozitiv ekonomik në periudhat e vitit kur njerëzit që punojnë në turizëm fitojnë shumë më pak.
Për shembull, të shkosh në Paris për një fundjavë gjatë Lojërave Olimpike dhe në mes të verës, është ndryshe nga të shkosh atje në muajin mars. Ashtu siç të shkosh në Romë midis pranverës dhe verës, është ndryshe nga të shkuarit atje në dimër.
Është e qartë se jo të gjithë mund të zgjedhin lirisht ditët, në të cilat do të udhëtojnë jashtë për pushime, veçanërisht nëse keni fëmijë në moshë shkollore. Por për ata që munden, udhëtimi në sezonin e ulët bën tashmë një ndryshim. Ndërkaq thelbësor është edhe mjeti i zgjedhur për transport.
Transporti ajror dhe ai me anije turistike (kroçera), emetojnë në atmosferë shumë dioksid karboni dhe substanca të tjera ndotëse. Ndaj është e këshillueshme, atëherë kur është e mundur, që të shmangni destinacionet që kërkojnë përdorimin e këtyre mjeteve të transportit. Në vend të tyre zgjidhni të udhëtoni me tren, ndoshta duke reduktuar numrin e ndalesave dhe duke kaluar më shumë ditë në çdo vend, duke ndjekur të ashtuquajturën filozofinë e “turizmit të ngadaltë”. Për destinacionet që kërkojnë domosdoshmërisht fluturim me avion, CREST rekomandon të informoheni rreth aeroporteve që janë më të përkushtuara ndaj qëndrueshmërisë turistike, si Oslo në Norvegji, Boston në Shtetet e Bashkuara apo Singapori.
Një faktor tjetër, i cili ka një ndikim të rëndësishëm tek pikat turistike, është lloji i akomodimit që zgjidhni. Një ndër debatet më të mëdha dhe më të nxehta në lidhje me turizmin masiv vitet e fundit, ka lindur për shkak të përhapjes së Airbnb.
Në fillim, kjo platformë i lejoi individët dhe familjet që një dhomë rezervë në shtëpinë e tyre ta japin me qira për disa ditë të vitit. Por sot është bërë diçka krejtësisht ndryshe, dhe në shumë qytete të botës ajo akuzohet se ka inkurajuar një sistem, në të cilin apartamente të tëra u jepen me qira turistëve për periudha të shkurtra, në vend se të mbeten të disponueshme me çmime më të ulëta për qiraxhinjtë afatgjatë.
Kjo qasje e ka rritur koston e qirasë për banorët vendas, duke pasuruar vetëm ata që janë tashmë të pasur, pra që kanë një ose më shumë shtëpi. Edhe për këtë çështje, ka alternativa të vlefshme më të “përgjegjshme”, në varësi të llojit të udhëtimit që keni në mendje.
Personat më aventurierë, kanë gjithmonë mundësinë e “couchsurfing”, pra të flenë në divanin e kuzhinës së një banori vendas, i cili e ka nxjerrë atë në faqet apo grupet e veçanta në rrjetet sociale. Për ata që duan të jenë më rehat, është një ide e mirë të flenë në hotele tradicionale.
Shpesh në qytetet e mëdha, ato nuk kushtojnë shumë më tepër se Airbnb, dhe nëse drejtohen nga familjet apo nëse nuk kanë lidhje me turizmin e kompanive të mëdha, ato kontribuojnë dukshëm në ekonominë lokale. Nëse udhëtoni jashtë qyteteve opsionet zgjerohen.
Ka kampingje, përfshirë ato që ofrojnë strehim më të rehatshëm se tendat, siç janë bungalotë, por edhe shtëpi në ferma të drejtuara nga familjet. Që të dyja janë opsione të shkëlqyera për ata që duan të kalojnë kohë duke pushuar në male, buzë detit apo në fshat.
Ndërkohë, ata që tërhiqen nga ideja për t’i kaluar pushimet e tyre në këtë mënyrë, duke qëndruar në të njëjtin vend për një javë ose më shumë, mund të zgjedhin ta bëjnë atë në vende më pak të frekuentuara, si zona bregdetare më modeste apo lugina alpine të ndryshme nga ato më të famshmet për vendpushimet e tyre të skive.
Një këshillë tjetër është të eksploroni destinacione më pak të njohura dhe turistike, sidomos nëse keni më shumë se sa një fundjavë kohë. Bota është e madhe, dhe nuk janë vetëm ato 10 vendet ku shkojnë të gjithë çdo verë. Në të njëjtën kohë, është e qartë se jo të gjitha vendet janë gati për të pritur turistët apo kanë infrastrukturë të mjaftueshme.