Nga Bardha Nergjoni
Pas Elbasan Arena-s, qyteti në zemër të Shqipërisë, që në komunizëm morri dhe epitetin qyteti i metalurgëve, pritet të ketë dhe xhaminë më moderne të Ballkanit, atë të Ballijes. Tashmë, qyetarë të ndryshëm, e natyrisht besimtarë, janë paska të befasuar nga forma e ndryshme e saj, nga që janë mësuar të shohin, duke u dalë para syve diç tjetër.
Kështu pra, pritet që Elbasani brenda vitit që vjen të inagurojë të parën xhami me arkitekturë moderne të ndërtuar në themelet e xhamisë së vjetër të shkatërruar në vitet 60-të nga sistemi komunist. Xhamia e Ballijes, dikur më e madhja dhe më e rëndësishmja, aq sa konsiderohej “xhamia blu” e Elbasanit po merr tashmë formë. Objekti islam çdo ditë e më shumë po tregon pamjen e saj dhe sipas projektuesve materialet prej betoni, xhami dhe në dru do të kombinohen për të sjellë një ndërtesë multifunksionale. Lartësia e ndërtesës do të jetë 18 metra ndërsa dy minaret 36 dhe 27 metra.
Por me ndërtimin e minares së parë, qytetarët por sidomos edhe besimtarët kanë filluar të diskutojnë mes tyre. Disa shprehen kundër, pasi sipas tyre nuk ka karakteristikat e një minareje tradicionale. Ajo ka një tjetër formë në krahasim me minaret e zakonshme. Myftiu Agim Duka është i ndërgjegjshëm për këtë kur konfirmon se ka besimtarë që nuk e kanë “gëlltitur”pamjen moderne të xhamisë së Ballijes.
“Është një projekt modern i gërshetuar me elementët klasikë të xhamisë. Nuk mund të them se është një projekt identik me atë të xhamisë së Ballijes. Ka përmasa të tjera, koha ka ndryshuar dhe padyshim ne do t`i përshtatemi modernes. Ky objekt është një xhami por njëkohësisht do të shërbejë edhe si një qendër kulturore, duke përfshijë salla konferencash, zyra të Myftinisë, etj. Projekti modern u diktua edhe nga plani urbanistik i qendrës së qytetit. Mbrapa xhamisë do të renditen 8 kulla xhami dhe një xhami tradicionale nuk do të qëndronte dot përballë tyre. Kjo është një xhami e veçantë. Pjesa ballore ku falet imami do të jetë e xhamtë dhe me një ujëvarë. Për çështjen e minares kemi pasur një reagim dhe habi nga besimtarët. Në fakt nuk është tradicionale. Përfundimin do ta shikojmë dhe kur të mbarojë. Është e veçantë në Shqipëri por edhe në Ballkan”, sqaron myftiu Agim Duka.
Pyetjes nëse kjo xhami moderne do të pritet mirë nga besimtarët, myftiu shprehet i bindur se po.
“Ajo tregon avancimin dhe zhvillimin, tregon një hapsirë tjetër të islamit, një islam në zhvillim. Edhe simbolika e dy minareve do të tregojë më pastër atë e çfarë transmeton ajo”, shton Duka.
Myftiu konfirmon edhe kohën e përfundimit por edhe faktin se donatori më i madh ka qenë një familje nga Kuvajti.
“Shpresojmë që Ramazanin tjetër do ta kemi të përfunduar dhe do të mund të organizojmë pritjen tradicionale në ditët e shënuara të islamit nga kjo xhami. Dua të falenderoj të gjithë ata që dhuruan. Besimtarët ishin të parët që me kontributin e tyre ndërtuan themelet e kësaj xhamie. Më pas u ofruan edhe donator të tjerë. Donatori më i madh është një familje nga Kuvajti që ka dhënë afërsisht 1 milion euro. Ka edhe shumë kontribute nga besimtarë e dashamirës që ky objekt të përfundojë në cilësinë më të mirë të mundur”.
Arkitekti Jurtin Hajro, në një intervistë shpjegon zgjedhjen e tij dhe përshtypjet që ka marrë nga besimtarë apo qytetarë elbasanas.
Hajro ju keni guxuar të projektoni ndoshta të parën xhami moderne në Ballkan. Keni rrezikuar?
Nuk jam i sigurt nëse është e drejtë që xhamia e re e Ballijes të cilësohej si e para xhami moderne në Ballkan. Di që pak më shumë se dy vite më parë është inaguruar një xhami tepër interesante në Rijeka të Kroacisë. Por nëse konsiderojmë kohën e projektimit të xhamisë së Ballijes, ashtu siç e drejtoni edhe ju pyetjen, e cila daton më shumë se pesë vite më parë (Mars-Maj 2010), atëherë ndoshta mund të konsiderohet e para në Ballkan . Gjithësesi besoj se pak rëndësi ka kjo. Pyetja juaj qëndron me vend në çdo rast. Unë mendoj se arkitektura, edhe duke rrezikuar, mundet dhe duhet të veprojë si një mjet për të nxitur diskutime në shoqërinë e kohës kur ajo vepron.
Por nuk jam i bindur sa me vend është kio në rastin tonë. Shpeshherë na ndodh të japim një gjykim të menjëhershëm mbi perceptimin tonë të parë, pasi shohim një ndërtesë apo objekt. E kjo na vështirëson aftësinë për të kuptuar brendësinë e asaj çfarë mund të jemi duke përjetuar ne apo mesazhi që përcillet në të. Në rastin e xhamisë së Ballijes ne jemi munduar të projektojmë një atmosferë shpirtërore. Një atmosferë që stimulon ndjenja të forta shpirtërore për besimtarët. Jemi ende në proces projektimi, dhe jemi duke marrë parasysh detaje të ndryshme si hyrja e dritës, shpërndarja e zërit, përdorimi i materialeve etj., në mënyrë që të krijojmë një hapësirë ku në qendër të saj të ketë një lidhje thelbësore me Krijuesin.
Ne besojmë se kjo është mënyra meë e përshtatshme për të interpretuar traditën e Islamit. Materializimi nga ana e formës së i këtij qëllimi është me pak i rëndësishëm.
Për më tepër unë mendoj se interpretimi modern, ose “i kohës” shkon për shtat mjaft mirë në rastin e ndërtesës së një xhamie. Vlerat e Islamit janë të kompozuara në mënyrë që të gjejnë vend në çdo kohë, si rrjedhojë të jenë moderne. Në këtë mënyrë pak rëndësi ka trajta fizike e materiale që përfaqëson ose interpreton këto vlera, dhe sesi ajo kthehet në formë në kohëra të ndryshme.
Si e kanë pritur drejtuesit e komunitetit mysliman në Elbasan këtë projekt. Ka pasur skeptikë?
Ky projekt është zhvilluar në bashkëpunim me perfaqësues të Myftinisë në Elbasan. Mbaj mend se kemi patur diskutime të gjata në fazat e para të projektimit. është e vërtetë që idetë tona mbështeteshin nga një pakicë në fillim. Pas diskutimesh dhe reflektimesh nga të dyja palët, arritëm në një zgjidhje që mund të na bindte ne si projektues, por edhe një shumicë të konsiderueshme të perfaqësuesve të Myftinisë.
Mund të përmend që një ndër skeptikët e paktë atëherë, pas përfundimit të minares së vogël pak muaj më parë, morëm një telefonatë për të na uruar. Ishte një emocion i fortë. Kjo nuk do të thotë që zërat e atyre që janë të zhgënjyer kanë mbaruar.
Jam i sigurt që do ketë shumë nga ata që kanë patur pritshmëri tjetër nga ajo çfarë po shohin. Por për mos ta konsideruar arrogant, rolin edukues të arkitekturës, të paktën dhënia e mundësisë së të shprehurit në një mënyrë tjetër nga ajo çfarë ështe mësuar, mund të konsiderohet një vlerë. Le të jemi në kërkim të kësaj vlere që vjen nga intërpretimi i ndryshëm i të njëjtit realitet.
Në këtë fazë të punimeve qytetarëve i kanë bërë përshtypje minarja, jo në formën tradicionale. Si do ta përcaktonit ju?
Së pari, duhet thënë se studimet tregojnë se minarja është një element i shtuar përgjatë historisë së xhamisë. Roli i minares ka ardhur si nevojë për të shpërndarë zërin e ezanit (thirrjes për lutje) nga një pikë të lartë. Pra ka një rol shumë funksional dhe jo fetar.
Ne kemi vënë re që në vende të ndryshme të praktikës islame duke filluar nga vendet arabe përgjatë Azisë së Vogël, Turqisë e deri në Afrikën e Veriut si edhe në Indonezi, xhamitë dhe minaret janë të ndryshme. Mund të thuhet që secila prej tyre mund të ketë krijuar traditën e saj.
Ashtu siç është krijuar edhe tradita e xhamive dhe minareve të ndërtuara në Perandorinë Osmane. Por kam përshtypjen se tradita që kërkojnë besimtarët shqiptarë në këtë kohë është më e thellë dhe e qenësishme sesa forma e një minareje.
U kushtëzuat nga plani urbanistik i qendrës së qytetit për të projektuar xhaminë e Ballijes?
Plani urbanistik kishte parashikuar vendndodhjen dhe përcaktimin e njollës së xhamisë së Ballijes në vendin e xhamisë së vjetër. Ne u bëme me dije dhe e kishim të qartë se çfarë roli do të kishte një ndërtesë kulti në qendrën e re të qytetit. Disa detaje teknike si lartësite maksimale të kupolës dhe minareve, përshtatja e fasadës me aksin e bulevardit u përcaktuan në bashkëpunim me këshillin bashkiak të qytetit. Më shumë se kushte, ne këto i konsideruam si udhëzues për një zgjidhje urbane më të mirë.
Çfarë do të kenë mundësi të shikojnë në përfundim të realizimit besimtarët por edhe qytetarët e Elbasanit?
Xhamitë dhe vendet përreth tyre janë konsideruar vazhdimisht si burim qytetërimi. Ne besojmë fort në këtë rol të xhamisë në qytet. Besojmë se sheshi përpara saj do të funksionojë si një hapësirë publike në shërbim të dialogut. Ndërtesa e xhamisë në vetvete nuk është një hapësirë virtuale që përdoret nga ana shpirtërore e besimtarëve. Kjo ndërtesë është pjesë e qytetit, dhe si rrjedhojë e të gjithë përdoruesve të tij.
Si e tillë duhet përceptuar nga qytetarët jo si një objekt kulti i tjetërsuar por gjithashtu duhet perceptuar e tillë edhe nga besimtarët. Ne shpresojmë që xhamia bashkë me sheshin përpara saj, të krijojë një hapësirë urbane që shkon për shtat me vlerat tona qytetare, që ndajnë besimtarë të ndryshëm e që i perkasin një qyteti, një hapësire për një identitet ndërkulturor.
Pak histori
Xhamia e Ballijes është ndërtuar pas xhamisë së Nazareshës në Elbasan.
Studiuesit mendojnë se ajo është ndërtuar në fillim të shekullit XVII në kohën kur në Perandorinë Osmane kishte shkëlqyer si kryearkitekt Sedefqar Mehmet Aga Biçakçiu. Xhamia e Ballijes është vizituar nga Evlija Çelebiu, që informon në shkrimet e tij se ajo është ndërtuar në vitin 1017 të hixhretit (17 Prill 1608 deri më 6 Prill 1609) dhe është vendosur në qendër të qytetit. Ndërtuesi kishte shkruar për këtë xhami: ” Për hir të Perëndisë Hasan Balliu ndërtoi këtë shtëpi të Zotit e cila shëmbëllen me parajsën”.
Në veprën e tij, Evlija Çelebiu la të shkruar dhe tekstin e mbishkrimit datues të xhamisë:
..Pas kësaj, te tregu është xhamia e Hasan Balliut me këtë shkrim datonjës mbi portë:
I biri i Hasan Balliut e ndërtoi për Perëndinë,
Këtë shtëpi të Zotit që i gjason xhenetit.
Lavdi i qoftë Zotit që u ndërtua kjo vepër,
E pranoftë Perëndia, që s’ka shok tjetër.
Kjo vepër do të jetojë deri në kiamet.
Njerëzit natë e ditë do t’i japin rahmet.
Manasttirliu fëmijëve u caktoi këtë datë,
Dhe ata ndërtuan tempullin që meriton lëvdatë.
Viti 1017.
Elementë përbërës të saj si salla e faljes, portiku, minareja, etj. plotësohen me siluetën e një kupole gjysëmsferike me një tambur poligonal tetëkëndor. Elementi më tërheqës i xhamisë së Ballijes ka qenë minareja e cila për nga lartësia, modelimi dhe ballkoni kanë qenë të vetmet e këtij lloji në Shqipëri. U hodh poshtë me shumë vështirësi në fund të viteve 60-të në kuadër të “revolucionit kulturor” e antifetar të regjimit komunist në Shqipëri. /tesheshi.com/